Cilat janë motivet e Rusisë për pushtimin e Ukrainës?

Evropë

Cilat janë motivet e Rusisë për pushtimin e Ukrainës?

Nga: SH.R. Më: 15 shtator 2023 Në ora: 16:20
Foto ilustrim

Rusia po e lufton Ukrainën me një nivel këmbënguljeje që mahnit dhe tmerron shumë vëzhgues. Përfitimet që mund të nxjerrë nga zonat e pushtuara dhe të shkatërruara ose të shpopulluara kryesisht janë mjaft modeste, për të justifikuar humbjet e mëdha që po pëson në njerëz dhe materiale. Tashmë sot numri i ushtarëve rusë të rënë dhe të plagosur ka të ngjarë të jetë 300,000 - dhe tendenca është në rritje.

Në plan të parë janë Interesat për pushtet dhe ato politike, arsyet kryesore për një agresion të tillë. Putini donte të rivendoste Bashkimin Sovjetik, ose një formë tjetër të Perandorisë së Madhe Ruse, në mënyrë që të ishte në gjendje të krijonte një pozitë dominuese, kryesisht në Evropë. Ai donte të ringjallte konfliktin Lindje-Perëndim dhe pastaj t'i jepte fund sipas kushtet që do ti diktonte ai. Llogaritja e tij me sa duket dukej kështu: Nëse 142 milionë rusëve do t'i bashkoheshin 40 milionë ukrainas (plus 10 milionë bjellorusë dhe ndoshta republika të tjera ish-sovjetike), atëherë Rusia së shpejti do të kishte më shumë se 200 milionë banorë dhe do të fitonte gjithashtu fuqi të konsiderueshme ekonomike. Por duke pasur parasysh humbjet e mëdha në front dhe rezistencën e vendosur të ukrainasve - qoftë ukrainas apo rusë - këto plane nuk kanë asnjë shans për sukses.

A ka arsye politike të brendshme për qëndrimin e Putinit?

Kjo është plotësisht e imagjinueshme, sepse pushteti vertikal i Putinit ndoshta ka nevojë për një fitore të një lloji. Por nga ana tjetër, kontrolli i pushtetit të Putinit mbi shoqërinë është aq i fortë, sa në fakt është e vështirë të imagjinohet se sistemi i Putinit do të shembet nëse forcat e armatosura ruse tërhiqen nga Ukraina. Prandaj, shumë vëzhgues supozojnë se ka më shumë një komponent personal të Putinit: Ky njeri nuk është i përgatitur të pranojë humbjen. Përkundrazi, ai dëshiron të fitojë me çdo kusht dhe nuk tregon një gatishmëri për kompromis, sepse kjo mund të interpretohet si dobësi. Ndoshta duhet të mbajë këtë qëndrim për të mbijetuar, brenda strukturave mafioze të sistemit të tij.

A ka edhe arsye ekonomike për qëndrimin e Putinit?

Duhet të supozohet se duke pasur parasysh natyrën e pastër kriminale të pushtetit të Putinit (ne flasim për një kleptokraci), anëtarët e këtij klani mund të kenë interesa private, për t'u pasuruar nga lufta në Ukrainë. Kjo sigurisht vlente për kreun tashmë të vdekur të trupës mercenare Wagner, Prigozhin, i cili ishte kryesisht një biznesmen dhe kishte fituar shumë para nga lufta. Ai i kishte sytë te burimet në Ukrainë si "plaçkë". Përfaqësues të tjerë të pushtetit ka të ngjarë të ndjekin qëllime të ngjashme. Pas nënshtrimit të një vendi, zakonisht shpërthen një luftë për burime dhe pasuri të tjera. Kjo vlen edhe nëse keni sukses të kufizuar. Në kushtet aktuale, Rusia ndoshta do të ishte e kënaqur, nëse do të fitonte pronësinë e plotë të katër provincave të Ukrainës (Zaporiziya, Donetsk, Luhansk dhe Kherson), të cilat i kontrollon pjesërisht sot. Kjo do të nënkuptonte një rritje të konsiderueshme të pushtetit për anëtarët e pushtetit vertikal – por ndoshta edhe mosmarrëveshje se kush e merr plaçkën.

Çfarë pasojash të mëtejshme ekonomike do të kishte nëse Moska do të mbizotëronte me kërkesën e saj për të mbajtur këto katër provinca?

Sidomos në Donbas (d.m.th. provincat Donetsk dhe Luhansk) ka rezerva të mëdha të lëndëve të para fosile (thëngjill, gaz natyror, naftë) dhe minerale të rralla, disa prej të cilave nuk janë nxjerrë ende, por janë të njohura nga eksplorimet e mëparshme. Por shumë lëndë të para mund të gjenden edhe në dy krahinat e tjera. Vëmendje e veçantë duhet t'i kushtohet faktit se ka të ngjarë të ketë depozita të mëdha të litiumit dhe mineraleve të tjera të rralla (kobalt, nikel dhe të tjerë) në Ukrainë.

Një studim i sapo publikuar nga Instituti i Litiumit në Halle, e cila u krye në bashkëpunim me ekspertë ukrainas, ofron një pasqyrë të plotë të potencialit ekonomik të Ukrainës në këto dhe fusha të tjera. Autorët arrijnë në përfundimin se qëllimi i dukshëm i Rusisë është të zgjerojë potencialin e saj ndërkombëtar të fuqisë përmes kontrollit ekskluziv të këtyre lëndëve të para. Shumë prej këtyre substancave janë parakushti i domosdoshëm për dekarbonizimin e transportit rrugor dhe hekurudhor, si dhe të industrive në vendet e industrializuara perëndimore. Dhe janë të njohura varësitë e importit të vendeve evropiane për këto lëndë të para. Përveç varësisë së saj nga lëndët djegëse fosile, Moska gjithashtu duket se dëshiron t'i bëjë evropianët të varur për ato substanca dhe materiale bazë, të cilat do të jenë vendimtare për dekarbonizimin e Evropës. Kinezët po përpiqen ta bëjnë gjithashtu këtë, por deri më tani ata nuk kanë sulmuar asnjë vend tjetër për ta bërë këtë.

Në interes të një paqeje të shpejtë, a nuk do të ishte e përshtatshme t'i jepej Rusisë kontroll mbi këto lëndë të para?

Kësaj pyetje mund t´i përgjigjeshim vetëm me "Jo". Përveç faktit se një “paqe” e tillë me Putinin do të kishte vetëm një gjysmë jetë të kufizuar, do të rrezikonte rindërtimin e Ukrainës. Territoret e Ukrainës të pushtuara aktualisht nga Rusia janë një pjesë integrale e Ukrainës dhe një bazë e pazëvendësueshme për rindërtimin industrial dhe ekonomik të vendit pas luftës. Autorët e studimit të Institutit të Litiumit supozojnë se rajonet e lëndëve të para të Ukrainës, kanë pothuajse të gjithë përbërësit e nevojshëm për kalimin nga lëndët e para (miniera) në industrinë përpunuese, duke përdorur energjinë ekologjike. Nën kontrollin ukrainas, ato mund të tërheqin investime të mëdha ndërkombëtare, në logjistikë dhe prodhim dhe të nxisin inovacion të qëndrueshëm. Kjo jo vetëm që do të nxiste pavarësinë ekonomike, por gjithashtu do të rriste marrëdhëniet ekonomike të Ukrainës me pjesën tjetër të Evropës në baza të barabarta. Megjithatë, kushti për sukses është eliminimi i korrupsionit dhe dëbimi i plotë i pushtuesve rusë.

Rreth ekspertit

Prof Dr. Joachim Krause është Drejtor i Institutit për Politikat e Sigurisë në Universitetin e Kielit dhe kryeredaktor i SIRIUS. Ai punoi si asistent kërkimor dhe më vonë si pedagog privat. Krahas karrierës akademike, ai ka marrë pjesë në misione diplomatike ndërkombëtare. Puna e tij kërkimore është e dokumentuar në botime të shumta shkencore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat