Nuk është përcaktuar pronari i shufrave të floririt të gjetur në tren në vitin 2019 në Zvicër, është vendosur se kujt do t’i përkasin

Evropë

Nuk është përcaktuar pronari i shufrave të floririt të gjetur në tren në vitin 2019 në Zvicër, është vendosur se kujt do t’i përkasin

Më: 27 gusht 2023 Në ora: 13:10
Shufra floriri

Pavarësisht hetimit të detajuar, nuk u arrit të përcaktohej pronari i 120 shufrave të floririt të gjetur në vitin 2019 në një tren në linjën Sankt Gallen – Luzern, të cilat kapin vlerën totale prej 200,000 frangash. Floriri do t’i jepet Kryqit të Kuq.

Shufrat ishin në një paketë të bardhë me shënimin “IKRK Wertsendung (dërgesë e vlefshme për Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq)”.

Prokuroria supozon se pronari i panjohur arin e ka pasur për Kryqin e Kuq. Pas një hetimi të gjatë, nuk u bë e mundur të gjurmohej pronari dhe as të lidhej floriri me ndonjë krim.

“Duke qenë se floriri ishte në një paketë të destinuar për Kryqin e Kuq, mund të supozojmë se pronari i panjohur ka dashur t’ia japë arin kësaj organizate. Për këtë arsye ari do t’i jepet Kryqit të Kuq”, tha prokuroria e Luzernit.

Në përgjigjen e tyre për agjencinë AFP, Kryqi i Kuq theksoi se pas hetimeve policore, ata kanë marrë një certifikatë për origjinën e arit dhe se e kanë pranuar atë si dhuratë.

“Ne dëshirojmë të shprehim mirënjohjen tonë për këtë kontribut bujar. Dhurimi do të jetë një ndihmë e rëndësishme në financimin e aktiviteteve në mbarë botën, të cilat kanë të bëjnë me mbrojtjen dhe ndihmën e më të cenuarve, të prekur nga lufta dhe dhuna”, tha një zëdhënës i Kryqit të Kuq.

Siç shkruan swissinfo, donacioni ka ardhur në kohën e rritjes së inflacionit dhe rënies së donacioneve për Kryqin e Kuq. Kjo është arsyeja pse Kryqi i Kuq miratoi një plan për të ulur kostot me disa qindra milionë franga dhe për të zvogëluar numrin e stafit. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat