Përdorimi i dronëve luftarakë në Ukrainë

Evropë

Përdorimi i dronëve luftarakë në Ukrainë

Më: 6 gusht 2023 Në ora: 18:32
Foto ilustrim

Ukraina ka përdorur dronë për vëzhgim dhe sulme që nga fillimi i agresionit rus. Por, siç njofton nga rajoni i Donbasit korrespondentja e Zërit të Amerikës Anna Kostutschenko, nganjëherë operatorët e dronëve luftarakë i përdorin ato për të shpëtuar civilët apo edhe për të kapur armikun.

Ky është një nga sulmet e shumta që ka kryer operatori i dronëve luftarakë, Andriy, i cili për arsye sigurie nuk pranoi ta zbulonte mbiemrin e tij. Ai thotë se njësia e tij eliminoi rreth 200 ushtarë rusë në rajonin Bakhmut në vetëm një muaj.

"Partneri im është duke bërë punë zbulimi dhe unë jam përgjegjës për sulmet me dron. Pra, pas identifikimit të objektivit, detyra ime është ta godas atë. Ne eliminojmë pesë deri në 10 armiq gjatë orarit tonë të punës”, tha ai për Zërin e Amerikës.

Përpara se t’i bashkohej ushtrisë në vijën e pare të frontit, Andriy kishte qenë boksier profesionist për rreth pesë vjet.

Pak para fillimit të sulmit të Rusisë, ai po përgatitej të merrte pjesë në Kampionatin e Boksit në Kiev.

“Mund të duket sikur boksi është i thjeshtë, por duhet shumë kohë për të përsosur teknikat e goditjeve”, thotë ai.

Pasi iu bashkua kompleksit të avionëve luftarakë “Achilles”, në mars të vitit 2022, Andriy gjeti profesionin e tij të ri.

Misioni i njësisë së tij është të kryejë operacione zbulimi në mënyrë që këmbësoria të mund të veprojë në rrethana të sigurta dhe të shkatërrojë forcat dhe pajisjet ushtarake të armikut.

“Eliminuam shumë tanke, pajisje të tjera, armë dhe ushtarë. Ndërsa jemi duke bërë detyrën tonë, armiku na sulmon shpesh me avionë luftarakë. Është e vështirë, por ne bëjmë punën tonë”.

Dronët përdoren ndonjëherë për të shpëtuar jetë, thotë Andriy. Gjatë një misioni zbulimi ajror pranë Bakhmutit, ai vuri re dy civilë që po përpiqeshin të evakuoheshin nga një zonë brenda rrezes së artilerisë ruse. Oficerët komandues vendosën t'i shpëtonin.

Një herë tjetër, Andriy thotë se shpëtoi një ushtar rus.

“Ai po ecte në llogore dhe dukej vërtetë i pafuqishëm. Rreth tij kishte trupa të pajetë të mercenarëve të grupit Wagner. Nga shprehia e tij dukej qartë se ai ishte i tronditur. Ai ishte gjithashtu i paarmatosur. Kështu që ne i dërguam një mesazh me dron, duke i kërkuar që të dorëzohej dhe të ndiqte dronin. Këtë radhë, në vend që të hidhja një bombë, i dhashë atij një shans që të jetonte”.

Andriy thotë se ka në plan të vazhdojë të luftojë për vendin e tij deri kur të përfundojë lufta./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat