Rusia thotë se ura e Krimesë është rihapur pjesërisht

Evropë

Rusia thotë se ura e Krimesë është rihapur pjesërisht

Më: 18 korrik 2023 Në ora: 14:22
Pamje satelitore ku shihet ura e dëmtuar që lidh gadishullin e Krimesë me Rusinë.

Rusia tha më 18 korrik se trafiku rrugor është rihapur pjesërisht në një urë kryesore që lidh gadishullin e Krimesë me Rusinë mbi ngushticën e Kerçit, pasi ajo ishte dëmtuar nga një shpërthim një ditë më parë.

Rusia ka fajësuar Ukrainën për shpërthimin, nga i cili humbën jetën dy persona dhe vajza e tyre u plagos rëndë.

Autoritetet ruse thanë se kanë goditur objektet në Odesa të Ukrainës dhe Mikolaiv, në shenjë hakmarrjeje për sulmin në urë.

Presidenti Vladimir Putin, i cili e ka prezantuar personalisht urën pas aneksimit të Krimesë në vitin 2014, u zotua për "një përgjigje" për atë që Rusia e quajti "sulm terrorist".

Ukraina nuk mori përgjegjësinë për sulmin, por mediat ukrainase raportuan se shërbimet e sigurisë kishin vendosur dy dronë detarë për të kryer operacionin.

Zëvendëskryeministri rus Marat Khusnullin, i cili është vënë në krye të punimeve për riparimin e urës, shkroi në Telegram mëngjesin e 18 korrikut se "transporti në Urën e Krimesë është rikthyer ".

Khusnullin tha se një pjesë e rrugës në urë është shkatërruar dhe do të duhet të rindërtohet, por se nuk ka dëmtime strukturore në shtyllat e urës. Ai shtoi se ura do të riparohet plotësisht deri më 1 nëntor.

Dëmi i shkaktuar në urë, e vetmja rrugë që lidh Krimenë me Rusinë, mund të ketë ndikim në aftësinë e Moskës për të furnizuar trupat e saj në Ukrainën jugore.

Më 17 korrik, Putini kërkoi propozime për të garantuar sigurinë e urës, e cila po riparohet për herë të dytë, për shkak të një sulmi të mëparshëm në tetor.

Ura rrugore dhe hekurudhore prej 19 kilometrash u hap në vitin 2018 dhe është një rrugë e rëndësishme transporti midis Rusisë dhe rajonit të Krimesë, të cilën Moska e aneksoi ilegalisht në 2014.

Ura u mbyll pjesërisht pasi një shpërthim i madh në tetor të vitit të kaluar dëmtoi strukturën e saj në atë që Moska pretendoi se ishte një akt terrorist.

Në fillim të këtij muaji, përmes një postimi në rrjete sociale që përkujtonte 500 ditët e luftës, zëvendësministrja e Mbrojtjes Hanna Malyar dukej se pranonte përfshirjen e Ukrainës në sulmin e mëparshëm të urës.

Ajo përmendi se "273 ditë më parë, [ne] filluam goditjen e parë në urën e Krimesë për të prishur logjistikën ruse."

Pas këtij incidenti, Rusia rindërtoi urën. Presidenti Putin drejtoi një makinë nëpër strukturën e restauruar më 5 dhjetor, pasi u kryen riparime të shumta./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat