Wagner po prek fundin, Kremlini nis hakmarrjen

Evropë

Wagner po prek fundin, Kremlini nis hakmarrjen

Më: 13 qershor 2023 Në ora: 07:45
Foto ilustrim

Marrëdhënia e manjatit rus Yevgeny Prigozhin me aleatin e tij të vjetër, presidentin Vladimir Putin, duket se ka arritur një ndarje që nuk ka më kthim pas. Prigozhin, që fitoi pseudonimin “kuzhinieri i Putinit” falë kontratave të tij të majme që fitonte nga Kremlini, drejton grupimin famëkeq paraushtarak Wagner, dhe ka qenë faktor kyç në luftën kundër Ukrainës. Megjithatë, gjërat duket se kanë ndryshuar dhe pas një sërë konfliktesh dhe polemikash, fundi i Wagner duket se është shumë afër. Këtë e ka konfirmuar vetë Prigozhin, duke thënë se luftëtarët e tij nuk do të nënshkruajnë asnjë kontratë me ministrinë ruse të mbrojtjes. Kështu ai ka refuzuar çdo tentativë për t’iu nënshtruar autoriteteve ruse.

Vendimi i Rusisë

“Të gjitha njësitë vullnetare ruse do të nënshkruajnë kontrata me Ministrinë e Mbrojtjes deri më 1 korrik”, njoftoi zëvendësministri i Mbrojtjes Nikolay Pankov në një konferencë telefonike.Urdhri përkatës është firmosur nga ministri i Mbrojtjes Sergei Shoigu dhe sipas njoftimit, ky vendim “do të mundësojë dhënien e statusit të nevojshëm ligjor të njësive vullnetare dhe zgjerimin e mundësive të plotësimit të reparteve si me ushtarakë ashtu edhe me vullnetarë”.

“Lidhja e kontratave të qytetarëve me shtetin është para së gjithash zgjerim i masave të mbrojtjes sociale dhe mbështetjes që shteti ka dhënë për ta dhe për familjarët e tyre”, sqaroi Pankov. "Kjo do t'u japë formacioneve vullnetare statusin e nevojshëm ligjor, do të krijojë qasje të unifikuara për organizimin e ofrimit të plotë dhe përmbushjes së detyrave të tyre," tha ai. "Këto masa do të rrisin aftësitë luftarake dhe efektivitetin e forcave të armatosura dhe detashmenteve të tyre vullnetare," tha zëvendësministri i Mbrojtjes.

Nuk kaloi shumë dhe në kanalet ruse u shfaqën shpjegime se në të vërtetë ky ishte një sulm ndaj Yevgeny Prigozhin dhe ushtarëve të tij. Kështu, kanali telegram “Sota” bëri me dije se me këtë urdhër Ministria e Mbrojtjes dëshiron të nënshtrojë njësitë private ruse, përfshirë edhe Wagner, të cilat tani janë në statusin e formacioneve vullnetare. Kjo është hakmarrja e Shojgut sepse Prigozhin vazhdimisht ka kritikuar publikisht Ministrinë e Mbrojtjes Ruse dhe personalisht ministrin e Mbrojtjes. Konkretisht, në muajt e parë të vitit 2023, Prigozhin akuzoi disa herë Ministrinë e Mbrojtjes për refuzimin e dërgimit të municioneve për Wagner, dhe Shoigu dhe gjeneralët se ishin të paaftë.

Përgjigja e Prigozhin

Natyrisht, nuk vonoi aspak përgjigja nga pala tjetër. Prigozhin e bëri të qartë se Wagner nuk do të nënshkruante asnjë kontratë me Ministrinë Ruse të Mbrojtjes. “Anëtarët e Wagner janë jashtëzakonisht profesionistë dhe efikas. Fatkeqësisht, shumica e njësive ushtarake nuk kanë një efikasitet të tillë, dhe kjo pikërisht për shkak të paaftësisë së Shoigut për të menaxhuar ushtrinë siç duhet”, tha Prigozhin.Ai tha se Wagner ishte plotësisht në varësi të interesave të Rusisë, por se struktura e saj komanduese shumë efikase do të dëmtohej duke raportuar te Shoigu. "Shoigu nuk mund të menaxhojë siç duhet formacionet ushtarake," tha Prigozhin, duke shtuar se Wagner i koordinoi veprimet e tij në Ukrainë me gjeneralin Sergei Surovikin, i mbiquajtur "Gjenerali Armagedon" nga mediat ruse. Prigozhin tha se ministria mund të përdorë dështimin për të përmbushur urdhrin si një arsye për të privuar Wagner nga furnizimet. "Ajo që mund të ndodhë pas këtij urdhri është që ata të mos na japin armë dhe municion," tha Prigozhin.

Ai ka përdorur luftëtarët e tij për muaj të tërë në qytetin e Bakhmut në Ukrainën Lindore, së bashku me trupat konvencionale si pjesë e një sulmit të Moskës për të siguruar fitoren e saj të parë të madhe në fushën e betejës në luftë që nga vera e vitit 2022. Jo i huaj në burgjet e Rusisë, ai rekrutoi mijëra kriminelë të dënuar nga burgu. Përpara se Rusia të fillonte atë që është bërë konflikti më i keq i armatosur i Evropës që nga Lufta e Dytë Botërore, Prigozhin u akuzua për ndërhyrje në zgjedhjet amerikane dhe zgjerimin e ndikimit rus në Afrikë. Shpesh ai është përmendur si një nga emrat e lakuar për t’i zënë vendin presidentit rus, Vladimir Putin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat