Në 80-vjetorin e ekzekutimit të Sophie dhe Hans Scholl

Evropë

Në 80-vjetorin e ekzekutimit të Sophie dhe Hans Scholl

Më: 21 shkurt 2023 Në ora: 14:42
Hans dhe Sophie Scholl, fotografi e vitit 1942

Ata i përkisnin grupit "Trëndafili i bardhë" që bënte rezistencë kundër Hitlerit dhe diktaturës së tij. 80 vjet më parë ata u ekzekutuan nga nazistët për rezsitecën e tyre aktive kundër sistemit.

Më 15 shkurt 1943, pak para mesnate, tre të rinj ishin duke udhëtuar në drejtim të qendrës së qytetit Mynih. Ata ishin Hans Scholl, Alexander Schmorell dhe Willi Graf. Të tre i përkisnin grupit "Trëndafili i bardhë", që bënte rezistencë kundër Hitlerit dhe diktaturës së tij. Për këtë arsye, ata kishin me vete rreth një mijë fletëpalosje që denonconin me fjalë të qarta regjimin nazist dhe krimet e tij.

Fletëpalosjet ata i hodhën në kuti të ndryshme postare. Por Scholl dhe Schmorel kishin edhe një plan shumë më të guximshëm: të mbrojtur nga nata ata shkruan me bojë të zezë në fasadën e Kancelarisë së Shtetit bavarez "Poshtë Hitleri". Në një pikë tjetër, ata shkruan: "Hitleri vrasës masiv". Në Franc-Jozef-Strasse 13 ata i priste në shtëpi motra e Hans Scholl-it Sophie Scholl.

Rruga drejt rezistencës

Hans dhe Sophie Scholl jetonin bashkë me familjen e tyre në Ulmin e qetë, kur nazistët morën pushtetin në vitin 1933. Të dy ishin ende në shkollë: Hans kishte lindur në vitin 1919, motra e tij Sophie më 1921. Babai i tyre Robert Scholl e fitonten bukën për pesë fëmijët e tij si konsulent tatimor. Me sundimtarët e rinj Scholli liberal nuk mund të identifikohej. Së bashku me gruan e tij Magdalena, ai u përpoq t'i edukonte fëmijët e tij me frymën e krishterë dhe të tolerancës. Por fëmijët e familjes Scholl ishin të magjepsur prej nazistëve. Hans Scholl u anëtarësua në organizatën rinore naziste "Rinia e Hitlerit" ku bëri karrierë të shpejtë. Në moshën 16 vjeç ai kishte nën urdhër 160 të rinj të Hitlerit. Edhe motra e tij më e re Sophie kishte simpati të forta për nazizmin. Ajo u bashkua me "Lidhjen e vajzave gjermane". Ashtu si vëllai i saj edhe Sophie Scholl u rrit shpejt në pozitë duke zënë post udhëheqës dhe si i kujtohet një dëshmitareje bashkëkohore ajo ishte "shumë entuziaste, shumë fanatike për nazizmin."

Por nga vitit 1942 besimi i Hans dhe Sophie Scholl tek Hitleri dhe regjimi i tij nuk ekziston më. Gjithnjë e më shumë, si vëllai dhe motra kishin vënë re se besimi i tyre i krishterë dhe bindjet e tyre morale nuk pajtoheshin me qëllimet e nazistëve. Hans Scholl që tani i bindur se duhet të bënte diçka kundër regjimit kriminal të Hitlerit: Hans Scholl kishte qenë në vitin 1942 si ushtar në frontin lindor. Ai e pa vetë se sa mizore qe lufta. Scholl ishte gjithashtu thellësisht i shqetësuar në lidhje me fatin e hebrejve të përndjekur dhe të deportuar.

"Rroftë liria!"

Në Universitetin e Mynihut Hans Scholl krijoi në vitin 1942 një grup të vogël simpatizantësh, i cili i kishte shpallur luftë nazizmit: përveç katër studentëve të mjekësisë Hans Scholl, Christopher Propst, Alexander Schmorell dhe Willi Graf në të bënte pjesë edhe profesori i filozofisë Kurt Huber. Sophie Scholl iu bashkua grupit në maj 1942 kur shkoi në Mynih për të studiuar biologji dhe filozofi. Ata përgatisnin dhe shpërndanin trakte dhe fletëpalosje, në të cilat ndër të tjera thuhej se "Çdo fjalë nga goja e Hitlerit është gënjeshtër."

Fletëpalosja e gjashtë e "Trëndafilit të Bardhë" ishte e fundit. Më 18 shkurt 1943 Sophie po shpërndante së bashku me vëllain e saj fletëpalosje në universitet. Kur ata hodhën një grumbull fletë palosjesh në sallonin e universitetit i zbuluan dhe i arrestuan. Oficerët e Gestapos i morën në pyetje, por dhe në këtë situatë të dëshpëruar Hans dhe Sophie Scholl treguan kurajo: ata të dy u përpoqën ta merrnin të gjithë fajin mbi vete. Sophie Scholl u tha oficerëve në fytyrë, se "nuk do të ketë të bëjë fare me nacionalsocializmin". Barra e provave qe e madhe dhe më 22 shkurt 1943 Gjykata e ashtuquajtur e Popullit shpalli nën drejtimin e kryetarit të saj Roland Freisler tri dënime me vdekje kundër Hans Scholl, Sophie Scholl dhe Christoph Provost. Dënimet me vdekje u ekzekutuan në të njëjtën ditë. Fjalët e fundit të Hans Scholl ishin "Rroftë liria!"

Hans dhe Sophie Scholl nderohen për guximin e tyre edhe sot. Vështirë se ka ndonjë qytet mesatar gjerman që nuk ka një shkollë që quhet Hans dhe Sophie Scholl. Po ashtu me emrat e tyre ka në të gjithë vendin rrugë dhe sheshe.

"Çmimi Scholl" është një nga çmimet më të rëndësishëm letrarë të Republikës Federale Gjermane./DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat