LIVE: Zelensky parashikon fitoren në vitin 2023 - Putin, mesazh të ashpër Perëndimit për Vitin e Ri

Evropë

LIVE: Zelensky parashikon fitoren në vitin 2023 - Putin, mesazh të ashpër Perëndimit për Vitin e Ri

Nga: Bota sot Më: 31 dhjetor 2022 Në ora: 07:08 Përditësuar në ora: 22:03 më 31.12.2022
Vladimir Putin

Presidenti i Ukrainës Zelenskyy parashikon fitoren në vitin 2023

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka parashikuar fitoren në luftën kundër Rusisë vitin e ardhshëm, duke thënë se ajo do të vinte me punë të palodhur dhe jo me mrekulli, si dhe me ndihmën e partnerëve të huaj.

“Sot ka vetëm një dëshirë. Dhe kjo do të bëhet realitet jo me një mrekulli, por me punën tonë, luftën tonë, ndihmën e ndërsjellë dhe humanizmin”, tha ai në një mesazh të shkurtër me shkrim. “Gëzuar Vitin e Ri! Viti i fitores sonë.”

Zelenskyy aludoi për sulmet e përsëritura ruse që kanë shkatërruar sistemin e gjenerimit të energjisë, duke thënë se drita mund të gjendet tek të gjithë, edhe kur nuk kishte energji elektrike.

Putin, mesazh të ashpër Perëndimit për Vitin e Ri

Vladimir Putin u tregua i ashpër me vendet e Perëndimit në mesazhin e tij të Vitit të Ri, drejtuar popullit rus. 70-vjeçari tha se në lidhje me Ukrainën mori “vendimet e nevojshme”.

“2022 ishte viti i vendimeve të vështira, të nevojshme dhe i hapave përpara për të fituar sovranitetin e plotë të Federatës Ruse. Ky vit vendosi gjërat në vendin e vet, ndau heroizmin nga tradhtia. Ne po luftojmë për të mbrojtur popullin tonë në territorin tonë”, tha Putin, duke apeluar për bashkim ndaj armikut perëndimor.

“E vërteta morale dhe historike është nga ana jonë. Elita perëndimore ka vite që na garanton për synimet e saj paqësore, përfshirë zgjidhjen e konfliktit në Donbas. Në fakt, ata inkurajuan nazistët në Ukrainë. Perëndimi gënjeu për paqen, po përgatitej për agresion”, shtoi Presidenti i Rusisë.

Rusia nuk i ka kursyer bombardimet në të gjithë territorin e Ukrainës as në ditën e fundit të vitit 2022. Sipas zyrtarëve atje, dhjetëra predha janë lëshuar në drejtim të qyteteve të ndryshme.

Kiev, shpërthime vdekjeprurëse në natën e vitit të ri

Rusia lëshoi dhjetëra raketa në qytete anembanë Ukrainës, thanë zyrtarët, derisa raportohet për të paktën një person të vdekur.

Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko tha se pati disa shpërthime në qytet, duke shkaktuar dëme dhe të paktën një të vdekur.

Sulmet ndodhën dy ditë pasi Rusia kreu një nga sulmet më të mëdha ajrore që nga fillimi i luftës.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka paralajmëruar se Rusia mund të nisë më shumë sulme për t'i bërë ukrainasit "të festojnë Vitin e Ri në errësirë".

Disa zyrtarë të lartë ukrainas kanë aluduar për sulmet në postimet e mediave sociale, duke thënë se Rusia nuk do të ketë sukses të prishë festimet e tyre.

Guvernatori i Mykolaivit, Vitaly Kim tha në Facebook se okupatorët kanë vendosur të përpiqen t’ju prishin ditën.

Në Kiev, njerëzit nxituan drejt strehimoreve derisa u dëgjuan sirenat e sulmit ajror, shkruan BBC.

Punonjësit e urgjencës u dërguan në tri lagje të goditura nga shpërthimet. Mbrojtja ajrore u aktivizua në rajone në të gjithë vendin.

Sulmet erdhën pasi presidenti rus, Vladimir Putin akuzoi Perëndimin për "provokimin" e Moskës për të nisur pushtimin e saj në Ukrainë.

"Perëndimi gënjeu për paqen. Ai po përgatitej për agresion... dhe tani ata po përdorin në mënyrë cinike Ukrainën dhe popullin e saj për të dobësuar dhe përçarë Rusinë.", tha Putin.

Ukraina dhe Perëndimi hedhin poshtë pretendimet e Rusisë për fillimin e agresionit.

Lufta në Ukrainë, shpërthime në Kiev

Një seri shpërthimesh sot u dëgjuan në kryeqytetin ukrainas, Kiev.

"Qëndroni në strehimore!", u shpreh në Telegram kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko.

Paralajmërimi erdhi menjëherë pasi sirenat e sulmit ajror u dëgjuan në të gjithë Ukrainën, shkruan BBC.

Sulmet ndodhën dy ditë pasi Rusia kreu një nga sulmet më të mëdha ajrore që nga fillimi i luftës.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky kishte paralajmëruar se Rusia mund të nisë më shumë sulme për t'i bërë ukrainasit "të festojnë Vitin e Ri në errësirë".

Shefi i Mbrojtjes paralajmëron se nuk duhet të lejohet që Rusia të fitojë në Ukrainë!

Çfarë do të bëjë Putini me ato pak kilometra katrorë për të cilat vdesin ushtarët rusë?

Kjo është shumë e vështirë për t'u kuptuar, prandaj ai duhet ta ndalë luftën.

Kështu thotë shefi i mbrojtjes Eirik Kristoffersen në një intervistë për ABC Nyheter.

Ai beson se presidenti rus ka bërë zgjedhje katastrofike dhe ka shkaktuar vuajtje të mëdha si për vendet e tjera ashtu edhe për njerëzit e tij.

- Unë mendoj se ai ka një ditë shumë të keqe çdo ditë. Shkuarja në një luftë krejtësisht të papranueshme kundër një shteti sovran, Ukrainës është diçka me të cilën ai do të duhet të jetojë për pjesën tjetër të jetës së tij.

Pse Putini është i gatshëm t'i lejojë ushtarët e tij të gjakosen kaq shumë dhe t'i nënshtrojë njerëzit e tij ndaj gjithë kësaj?

- Kjo është pyetja e madhe, dhe gabim strategjik i Presidentit Putin, derisa rusët do të jenë në gjendje të qëndrojnë në këtë me kalimin e kohës, nëse nuk ndodh diçka krejtësisht e paparashikuar.

Mund të kemi një kolaps të moralit rus, që ata thjesht të heqin dorë sepse nuk mund të durojnë….!

- Por a nuk është e mundur që Putini të bëjë zgjedhje të mençura nëse vërtetë e kupton se ka gabuar?

Nuk e di se çfarë po mendon Presidenti Putin, por sigurisht ka ardhur koha për të gjetur një zgjidhje.

I takon Rusisë së presidentit Putin, i cili e ka nisur luftën, që të përpiqet të gjejë një mënyrë për të dalë nga kjo, përgjigjet Eirik Kristoffersen.

Shefi i mbrojtjes beson se lufta tashmë është përmbushë me pasoja dramatike, por dyshon se lufta do të përfundojë për së shpejti.

Përkundrazi, ai nuk mendon se do të ketë paqe edhe në vitin 2023….)

Kjo do të varet nga Zelenskyj dhe Putin, derisa nuk vërehet një zgjidhje e afërt ushtarake për rajonin!

Ukraina pretendon se Rusia po përgatitet për një mobilizim të ri ushtarak

Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Oleksiy Reznikov, pretendoi se Rusia, që ka nisur pushtimin e Ukrainës mbi 10 muaj më parë, shumë shpejt do të njoftojë për mobilizim të mëtejmë ushtarak. Ai u bëri thirrje rusëve që të shmangin mobilizimin.

“Shmangni mobilizimin në çdo mënyrë. Kur liderët e bunkerit nuk janë në gjendje të dërgojnë rekrutë të rinj, ata do të detyrohen ta pranojnë humbjen. Dhe lufta do të përfundojë. Kjo megjithatë do të ndodhë, por pyetja është me çfarë çmimi. Dhe a do të paguhet ky çmim me gjakun tuaj”, tha Reznikov përmes një video-mesazhi të publikuar në orët e vona të 30 dhjetorit.

Sipas Reznikov, Rusia po përgatitet që të mbyllë kufijtë për burrat që janë në moshën e shërbimit ushtarak.

“Dua t’u bëj apel të gjithë rekrutëve rusë. E para, kjo vlen për banorët e qyteteve të mëdha. Me të vërtetë unë e di se ju ka mbetur rreth një javë për të bërë të paktën një zgjedhje. Në fillim të janarit, autoritetet ruse do të mbyllin kufijtë për burrat, atëherë ata do të shpallin gjendje lufte”, tha Rezikov.

Ai shtoi se Bjellorusia po ashtu mund të ndërmarrë veprime të ngjashme.

Rusia ka pushtuar Ukrainën 10 muaj më parë, nën pretendimet e një kërcënimi të sigurisë së saj të orkestruar nga NATO-ja. Lufta ka lënë të vrarë dhjetëra mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur.

Pasi kishte mohuar se do të shpallte mobilizim ushtarak, më 21 shtator presidenti rus, Vladimir Putin, urdhëroi “mobilizim të pjesshëm”. Atëbotë, ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, deklaroi se ushtria synonte të rekrutonte deri në 300.000 persona.

Shpallja e mobilizimit nxiti një eksod masiv nga Rusia. Qindra mijëra rusë ikën nga shteti, duke shkuar në Gjeorgji, Kazakistan dhe Kirgizi.

Videoja e Reznikovit vjen pasi ai i tha gazetës Guardian se trajnimi i dhjetëra mijëra burrave të mobilizuar dhe rekrutëve të rinj në Rusi, mund të jetë tregues i qëllimeve të Kremlinit për të nisur një ofensivë të re në Ukrainë.

Rusia lejon shtetet “jomiqësore” të paguajnë borxhin për gaz me valuta të huaja

Rusia do të lejojë shtetet “jomiqësore” që të shlyejnë borxhin e tyre për furnizimet me gaz natyror me valuta të huaja. Kjo mundësohet përmes ndryshimeve të bëra në një dekret që më herët kishte lëshuar presidenti rus, Vladimir Putin.

Dokumenti, që u publikua më 30 dhjetor në ueb-faqen e Qeverisë ruse, tha se furnizuesit me gaz natyror rus mund të bëjnë marrëveshje me blerësit nga shtetet “jomiqësore” në valuta të huaja, të specifikuara në kontratë.

Borxhi për furnizimet me gaz do të konsiderohet i paguar pasi paratë nga blerësit e huaj të jenë dërguar në bankën e autorizuar, ku një llogari speciale është hapur me qëllim që të pranojë pagesat.

Putin e nënshkroi dekretin për pagesa të gazit natyror rus në muajin mars, duke detyruar konsumatorët “jomiqësorë” evropianë që të hapin llogari bankare në rubla në Gazprombank, dhe të paguajnë në rubla, nëse dëshironin të merrnin gaz natyror rus. Ky dekret ka prekur vetëm furnizimet që janë bërë nga Gazprom.

Furnizimet më pas u ndërprenë për disa kompani dhe shtete, sikurse Polonia dhe Finlanda, që refuzuan të pajtoheshin me kushtet e këtij dekreti. Ky vendim i Rusisë për pagesa në rubla erdhi pasi Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian vendosën sanksione të ashpra ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Dekreti i Putinit nënkuptonte se blerësit e gazit rus në Evropë – të gjitha shtetet e BE-së, ku ishte përfshirë edhe kategoria e shteteve “jomiqësore” – duhej të blinin rubla në tregun rus, për të paguar për furnizimet me gaz.

Putin mbrojti këtë politikë duke thënë se shtetet perëndimore kishin dëmtuar rublën ruse, duke vendosur sanksione ndaj Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë.

Ndryshimi i njoftuar më 30 dhjetor do të lejojë marrëveshje për borxhe, por nuk nënkupton se automatikisht do të rikthehen furnizimet me gaz rus, u tha në njoftimin e publikuar në ueb-faqen e Qeverisë ruse.

Historiani britanik vjen me një parashikim: Lufta në Ukrainë do të përfundojë në verën e vitit 2023

Historiani britanik, Ian Kershaw, ka deklaruar në një intervistë për gazetën Süddeutsche Zeitung, se lufta në Ukrainë do të përfundojë në verën e vitit 2023.

“Vladimir Putin e vuri veten në një pozicion që nuk e kishte parashikuar kurrë. Tani është në një luftë të pafitueshme që është shumë e kushtueshme dhe e dëmshme”, ka thënë Kershaw, duke shtuar se “tani mbetet për t’u parë se si do të jenë forcat e armatosura të të dyja palëve në fund të dimrit”.

Ky dimër “do të jetë shumë i vështirë për Ukrainën, por edhe për shumë rusë “, vlerëson historiani britanik, i specializuar në historinë evropiane të shekullit të 20-të dhe është më i njohur për biografinë e tij të Adolf Hitlerit.

“Në pranverë do të shohim nëse ukrainasit, me mbështetjen e Perëndimit, janë gati për një sulm të ri, i cili do t’i lejojë ata të zmbrapsin agresorin. Nëse kjo ndodh, atëherë në pranverë ose verë do të jemi në rrugën e njërës zgjidhje ose tjetrës. Niveli aktual i prishjes është diçka që do të jetë shumë e vështirë për të përballuar të dyja palët. Kjo është arsyeja pse unë mendoj se lufta do të përfundojë brenda një gjysmë viti”, vazhdon Ian Kershaw.

Sipas tij, lufta kundër Ukrainës do të ketë pasoja afatgjata për Moskën: “Rusia tani është e izoluar, të paktën në Evropë. Në këtë kuptim, vendimi për të pushtuar ishte shumë i kushtueshëm. Do të ndryshojë Evropën, por saktësisht se si nuk mund të parashikohet. Megjithatë, tashmë është e qartë se lufta na imponoi një politikë të re energjetike dhe shkaktoi recesion”, thekson ai.

Rusia e sulmoi Ukrainën me dronë të prodhuar nga Irani

Rusia e sulmoi Ukrainën me 16 dronë të prodhuar nga Irani- me shtatë prej tyre të synuar në kryeqytetin, Kiev, thanë zyrtarët ukrainas. Të gjithë dronët u shkatërruan, sipas ushtrisë së Kievit.

Të enjten, një valë raketash ruse u gjuajt drejt qyteteve në të gjithë vendin. Rusia tha se ka goditur objektivat energjetike dhe ushtarake për të dobësuar kapacitetin e Ukrainës.

Në kryeqytet, një alarm ajror u shpall pas orës 02:00 me orën lokale të së premtes dhe banorëve iu kërkua të strehohen. Pesë nga dronët u rrëzuan në ajër dhe dy "në afrim", tha Vitali Klitschko, kryebashkiaku i qytetit.

Nuk u raportua për të lënduar në Kiev, por dritaret në dy ndërtesa u dëmtuan, shtoi Klitschko. Një zjarr u ndez edhe nga një prej dronëve në një ndërtesë administrative katërkatëshe, sipas zyrës presidenciale.

Forcat e armatosura të Ukrainës thanë se vendi ishte goditur nga më shumë se 180 sulme të llojeve të ndryshme në 24 orët e fundit – kryesisht në infrastrukturën energjetike, sipas presidentit Volodymyr Zelensky, shkruan BBC.

Sulmi erdhi nga "drejtime të ndryshme me raketa lundrimi me bazë ajrore dhe detare", tha forcat ajrore, duke vënë në dukje se një numër dronësh "kamikaze" u përdorën gjithashtu.

Besohet se Rusia ka përdorur dronët Shahed-136 të prodhuar nga Irani në konfliktin në Ukrainë që nga mesi i shtatorit. Irani e ka mohuar këtë.

Dhjetëra sulme ruse kanë goditur Ukrainën në javët e fundit, duke shkaktuar ndërprerje të vazhdueshme të energjisë në të gjithë vendin.

Makinat kontrollohen me rreze X në urën e Krimesë

Kjo është skena në urën e Krimesë në një klip që besohet se është filmuar gjatë natës, duke paraqitur rreshta të gjatë të makinave që kontrollohen nga rrezet X.

Kalimi - i njohur gjithashtu si ura e Kerçit - lidh Rusinë me Kerçin në Krimenë e pushtuar. Ishte vendi i një shpërthimi më 8 tetor, i cili shkaktoi një zjarr të madh në korsitë e automjeteve në drejtim të perëndimit të urës rrugore.

Rusia fajësoi Ukrainën për sulmin - dhe u përgjigj me të vetën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat