​Eksportet gjermane kanë gjasa të bien në vitin 2023

Evropë

​Eksportet gjermane kanë gjasa të bien në vitin 2023

Më: 17 nëntor 2022 Në ora: 17:55
Foto ilustrim

Eksportet gjermane ka të ngjarë të ulen me dy për qind në vitin 2023 për shkak të ngadalësimit të ekonomisë globale, ka vlerësuar Dhoma Gjermane e Tregtisë dhe Industrisë (DIHK).

Kjo do të thotë se të ardhurat e eksportuesve gjermanë do të uleshin me 70 miliardë euro.

"Eksportet kanë filluar tashmë të ulen," tha kreu i dhomës Volker Treier.

Një sondazh i DIHK-së tregoi se 47 për qind e gjithsej 3100 kompanive gjermane aktive jashtë vendit presin një ngadalësim të aktiviteteve ekonomike në tregjet e tyre të eksportit.

Një përqindje më e lartë e “pesimistëve”, deri në 67 për qind, u regjistrua vetëm në pranverën e vitit 2020, në fillim të pandemisë Covid-19.

“Ekonomia botërore është në prag të një dimri të akullt dhe arsyet kryesore janë pasojat ekonomike të luftës ruse kundër Ukrainës dhe politika kineze e tolerancës zero ndaj Covid-it”, është përfundimi i hulumtimit.

Në vitin 2023, DIHK pret në rastin më të mirë një rritje prej 2.5 për qind të ekonomisë botërore, afërsisht në përputhje me parashikimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN).

Megjithatë, duket se eksportuesit janë më të sigurt për të ardhmen sesa kompanitë e fokusuara në tregun vendas. Kështu, pothuajse 40 për qind e të anketuarve presin biznes më të mirë jashtë vendit në vitin e ardhshëm, dhe 42 për qind nuk shohin ndonjë ndryshim në biznesin aktual, tregoi sondazhi.

Për krahasim, në grupin e kompanive që operojnë në tregun gjerman, vetëm tetë për qind e tyre presin një përmirësim në vitin 2023 dhe 52 për qind e tyre mendojnë se do të jetë edhe më keq, sipas një sondazhi të veçantë të DIHK.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat