​Mbretëresha Elizabeth nuk kishte pasaportë

Evropë

​Mbretëresha Elizabeth nuk kishte pasaportë

Më: 10 shtator 2022 Në ora: 17:03
​Mbretëresha Elizabeth

Nuk dihej shumë për jetën private të mbretëreshës Elizabeth II, e cila vdiq të enjten në moshën 97-vjeçare, duke qenë se ajo jepte rrallë intervista, por Independent zbuloi disa detaje interesante për monarkun më jetëgjatë britanik.

Gazeta britanike shkruan se mbretëresha nuk kishte pasaportë – ajo mund të udhëtonte në shumë vende të botës pa këtë dokument.

“Meqenëse një pasaportë britanike lëshohet në emër të Madhërisë së Saj, është e panevojshme që Mbretëresha ta mbajë një të tillë”, tha faqja e internetit e familjes mbretërore para vdekjes së saj, duke shtuar se të gjithë anëtarët e tjerë të familjes kishin pasaporta.

Mbretëresha kishte edhe dy ditëlindje. Edhe pse ajo u lind më 21 prill 1926, datëlindja e saj "zyrtare" u festua nga kombi në qershor në një paradë vjetore, e cila ka qenë një festë tradicionale e ditëlindjes së monarkut që nga viti 1748.

Elizabeth, sipas ish-udhëheqësit laburist, Jeremy Corbyn, ishte një tifoze e Arsenalit.

“Ne e dimë se Mbretëresha është absolutisht mbi politikën. Ajo mund të jetë mbi futbollin, por shumë vendas e fshehin sekretin e saj se ajo është në fakt një tifoze e Arsenalit”, tha Corbyn, një tifoz i skuadrës londineze, në Dhomën e Ulët të Parlamentit britanik në vitin 2016.

Ish-futbollisti i Arsenalit, Cesc Fabregas, pohoi gjithashtu se Elizabeth është me "topçinjtë", siç i tha personalisht gjatë një pritjeje në Buckingham Palace në 2007.

Independent shton se, falë kalendarit të pasur social, mbretëresha ishte një mikpritëse e vërtetë.

Ajo mirëpriti mijëra njerëz në Pallatin Buckingham, në dreka, darka, bankete dhe ahengje të ndryshme në kopsht, kështu që llogaritet se ajo mirëpriti më shumë se 50.000 të ftuar çdo vit.

Gazeta britanike shkruan gjithashtu se ajo pinte një gotë shampanjë çdo natë, duke përmendur kushërirën e saj Margaret Rhodes, e cila pretendonte se mbretëresha ndonjëherë pinte një gotë xhin para drekës ose verë me një pjatë kryesore.

Dihet gjithashtu se ajo fliste rrjedhshëm frëngjisht, si dhe gjatë vizitave të saj në Francë fliste në frëngjisht.

Kryeministri i parë në detyrë kur ajo u bë Mbretëreshë në vitin 1952 ishte Winston Churchill. Mbretërimi i saj 70-vjeçar kishte 14 ndryshime në kabinet, me Liz Truss që u bë kryeministrja e 15-të këtë javë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat