Katër objektivat e dështuara të Putinit / Pse Rusia po i godet civilët me bomba memece, ndërsa ushtrinë me bomba precize!

Evropë

Katër objektivat e dështuara të Putinit / Pse Rusia po i godet civilët me bomba memece, ndërsa ushtrinë me bomba precize!

Nga: Idriz Morina Më: 13 mars 2022 Në ora: 20:02
Rusia e ka sulmuar me raketa një qytet strategjik afër kufirit me Poloninë duke vrarë 35 veta dhe duke plagosur 134 të tjerë

Presidenca e Ukrainës jep shenja shprese për një marrëveshje paqe me Federatën Ruse.

Sipas ministrit kabinetit të Presidentit Zelenski, Rusia nuk po vendos ultimatume, por Ukraina nuk e ka ndërmend të tërhiqet nga asnjë prej qëndrimeve të saja, Rusia duhet t’ia jap fund luftës dhe t’i tërheq forcat ushtarake.

“Për të qartësuar. Në negociata, RF nuk vendos ultimatume, por dëgjon me kujdes propozimet tona. Ukraina nuk do të heqë dorë nga asnjë nga pozicionet. Kërkesat tona janë - përfundimi i luftës dhe tërheqja e trupave të RF. Unë shoh mirëkuptim dhe ka një dialog”, ka shkruar Mykhailo Podoliak, këshilltar i Shefit të Zyrës së Presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelenskyy, me një cicërimë në tviter rreth orës 13.00.

Mariupoli po bombardohet çdo orë, pa ndërprerë

Ndërsa, edhe zëvendësministrja e Mbrojtjes e Ukrainës, ka deklaruar se këto ditë ka pasur rënie të intensitetit të luftimeve, prandaj edhe nuk ka pasur rritje të ndjeshme të numrit të viktimave të ushtrisë ruse, që nga 8 marsi.

Por, numri i civilëve ukrainas të vrarë nga forcat ruse ka vazhduar të rritet. Kështu sipas

Këshillit të qytetit të Mariupolit, numri i civilëve të vdekurve është rritur në 2,187.

Sipas të dhënave të këtij Këshilli, Rusia e ka bombarduar 22 herë në 24 orët e fundit Mariupolin, i cili qytet po mbahet i rrethuar nga forcat ruse, dhe ndodhet në rajonin e Donetskit. “Rreth 400,000 banorë janë bllokuar në qytet, ndërsa Rusia vazhdon të bllokojë evakuimin”, thuhet në njoftim.

Image
Rusia e ka bombarduar 22 herë në 24 orët e fundit Mariupolin.

Në ndërkohë gjatë ditës Rusia e ka sulmuar me raketa një qytet strategjik afër kufirit me Poloninë duke vrarë 35 veta dhe duke plagosur 134 të tjerë, sipas raportimeve të autoriteteve të Ukrainës.

Por, sipas mediumit ukrainas, “The Kiev Indipendent” (Kievi i Pavarur), Rusia pretendon se vrau 180 'mercenarë të huaj' në sulmin me raketa në terrenin e stërvitjes ushtarake Yavoriv në Ukrainën perëndimore. “Qeveria ruse shtoi se do të vazhdojë të vrasë shtetas të huaj në Ukrainë, të cilët i konsideron mercenarë”, citon The Kyiv Independent në një cicërimë në faqen e tij në tviter.

Ndërsa, në një sulm tjetër ajror në qytetin e Bashtanka në zonën e Nikolaevit, si pasojë e bombardimeve janë dëmtuar objektet e banimit dhe ka pasur viktima.

Ndërsa, sipas një analize të Uashington Postit janë verifikuar nëntë incidente ku spitalet u përballën me dëmtime të drejtpërdrejta si rezultat sulmeve ushtarake nga Rusia. “Tre nga objektet u shërbenin veçanërisht grave ose fëmijëve.”

Bomba që krijojnë panik

Mark Hertling, ekspert ushtarak, i ka deklaruar CNN se Rusia po përdorte "bomba memece" kundër qyteteve dhe objektivave civile për të krijuar panik dhe vdekje pa dallim, ndërsa përdor armë precize kundër objektivave ushtarake. “Sulmi në bazën stërvitore të Yavoriv këtë mëngjes është një shembull i kësaj”, ka deklaruar Hertling.

Hertling, i cili edhe vetë kishte shërbyer në bazën e sulmuar, për të ndihmuar ushtrinë ukrainase, vlerëson se Putini kishte katër objektiva kryesore, por, sipas tij, që të gjitha i ka humbur.

“Objektivat strategjike të Putinit:

1. Nënshtrimi i Ukrainës

2. Përçarja e NATO-s

3. Përfitimi nga një SHBA e ndarë

4. Rritja e të ardhurave nga nafta në Evropë.”

“Ai ka dështuar në përmbushjen e secilit objektiv deri tani”, shkruan Hertling.

Përveç se ka dështuar në arritjen e këtyre objektivave, Putini, e ka humbur plotësisht, fuqinë që e ka pasur në udhëheqjen e botës. “Dhe ai ka shkatërruar ekonominë e ardhshme të Federatës Rusë (RU) dhe e ka siguruar që nuk do të udhëheqë më kurrë në skenën botërore”, shkruan eksperti amerikan.

Duke folur për heshtjen e operacioneve ruse, Hertling këtë e diskuton nëpërmjet teorisë së Klauzevicit, teoricienit të luftërave.

“"Pauza operacionale" është një term i diskutuar gjerësisht nga Clausevitz. Pauzat janë ose vonesa të paplanifikuara për shkak të veprimit të armikut ose vonesa të planifikuara për qëllime utilitare.

RU ka qenë në këtë gjendje për më shumë se 6 ditë në një objektiv (Kiev) që donin ta kapnin në 48-72 orë”, shkruan në tviter Hertling.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm ukrainas Dimitri Kuleba ka pasur një bisedë telefonike me sekretarin e Shtetit, Antoni Blinken, me të cilin janë dakorduar për më shumë sanksione dhe më shumë ndihma për Ukrainën.

“Ne koordinuam mbështetjen e mëtejshme për Ukrainën. Të dy jemi dakord se duhet bërë më shumë për të ndaluar agresionin rus dhe për ta mbajtur Rusinë përgjegjëse për krimet e saj. Mirënjohës ndaj SHBA-ve për qëndrimin e vendosur pranë popullit të Ukrainës. Ukraina do të fitojë. Ukraina meriton çdo ndihmë të mundshme nga të gjitha vendet e NATO-s dhe BE-së... Rusia mund të mos fitojë! Kurrë!”, shkruan ai në tviter.

Në Çernobil është rikthyer energjia

Sipas zëvendësministrit të Energjisë, Ukraina e ka rikthyer furnizimin me energji elektrike në termocentralin e Çornobilit, i cili ndodhet nën pushtimin rus. Kthimi i energjisë nënkupton se sistemi i ftohjes, që është me rëndësi kritike, ka filluar të funksionojë përsëri normalisht.

Shefi i Departamentit të Policisë së Kievit, Andrey Nebitov tha se trupat ruse hapën zjarr mbi një makinë me gazetarë të huaj brenda dhe qëlluan për vdekje videogazetarin e Neë York Times, Brent Renaud, 51-vjeçar në Irpin, #Ukrainë. Kolegu i tij u plagos. Por, sipas deklarimeve të mëvonshme kameramani Renaud, nuk ishte gazetar i Nju Jork Tajmsit, por kontributor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat