Erdogan refuzon zgjedhjet e parakohshme

Evropë

Erdogan refuzon zgjedhjet e parakohshme

Më: 23 dhjetor 2021 Në ora: 13:46
Rexhep Tajip Erdoga

Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan deklaroi se vendi nuk do të shkojë në zgjedhje të parakohshme dhe se ato do të zhvillohen në qershor të vitit 2023.

Duke iu drejtuar përfaqësuesve të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) në Asamblenë e Madhe Kombëtare të Turqisë, Erdogan komentoi pretendimet e opozitës për zgjedhje të mundshme të parakohshme në vend.

“Nuk ka zgjedhje të parakohshme në Turqi. Ky është shtet ligjor. Zgjedhjet do të zhvillohen kur janë planifikuar”, tha Erdogan, raporton atsh.

Duke theksuar se zhvillimet aktuale ekonomike nuk janë fryt i ndodhive në Turqi, por rezultat i ndryshimeve në ekonominë globale, Erdogan tha se plani i ri ekonomik siguron mirëqenien e të gjithë qytetarëve turq, e jo vetëm atyre që kanë para në banka dhe që eksportojnë.

“Programi për të sjellë kursin e këmbimit në nivelin e realitetit në vendin tonë brenda rregullave të një ekonomie të tregut të lirë, e ka arritur qëllimin e tij”, tha Erdogan.

Ai theksoi se Turqia është e vendosur të mbrojë të ardhurat e të gjithë qytetarëve të saj nën presionin e kursit të këmbimit dhe inflacionit.

Ai gjithashtu tha se Turqia ka filluar të paguajë mbështetjen për fermerët që po përballen me dëmet e shkaktuara nga thatësira dhe se bëhet fjalë për një mbështetje totale prej 2.6 miliardë lirash.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat