Greqia: Jo armë për Turqinë/ Athina i ankohet Francës për Spanjën që po armatos Ankaranë

Evropë

Greqia: Jo armë për Turqinë/ Athina i ankohet Francës për Spanjën që po armatos Ankaranë

Më: 20 nëntor 2021 Në ora: 19:59
Foto

Turqia vazhdon të kërcënojë me luftë, të cenojë sovranitetin dhe të drejtat tona sovrane dhe roli i saj ka mbetur vazhdimisht destabilizues ka theksuar kreu i diplomacisë greke në konferencën e përbashkët për shtyp në Athine gjatë takimit të ministrave të jashtëm të Greqisë, Qipros, Egjiptit dhe Francës.

Nikos Dhendias në takimin personal me homologun francez nuk e fshehu pakënaqësinë e Athinës ndaj Madridit për marrëveshjen e shitjes së armatimeve dhe sistemeve të mbrojtjes që nënshkroi kryeministri spanjoll me presidentin turk dy ditë më parë.

Ne vërtet furnizohemi me pajisje luftarake nga Franca dhe Franca e furnizon Greqinë, sepse Greqia është një vend që promovon stabilitetin rajonal –ka thënë ai.

Nikos Dhendias: Do të dëshironim që shtetet e tjera anëtare të Bashkimit Evropian të ndjekin shembullin e Francës. Dhe te mos pajisin me armatime vende që kërcënojnë me luftë vendet e tjera. Marrëveshja jonë me Francën nuk kërcënon askënd,por parashikon gjithashtu koordinimin tonë të ngushtë për çështjet e politikës së jashtme.

Gjithashtu Dhendias ka ripërsëritur se Greqia është në favor të fillimit te negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut para fundit të ketij viti. Më herët, ministri francez u prit edhe nga kryeministri grek, takim ku u përmend edhe njëherë nënshkrimi i Marrëveshjes së Partneritetit Strategjik mes dy vendeve.

Kyriakos Mitsotakis: Ne e konsiderojmë shumë të rëndësishme këtë skemë bashkëpunimi. Vlerësojmë veçanërisht pjesëmarrjen e Francës. Vizita juaj vjen vetëm pak javë pas përfundimit të Marrëveshjes së Partneritetit Strategjik, e cila e ngriti marrëdhënien tonë në një nivel historikisht të lartë.

Edhe Mitsotakis ka ripërsëritur se marrëveshja ushtarake e Greqisë me Francën nuk kërcënon askënd dhe nuk drejtohet ndaj askujt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat