Merkel i kërkon Putinit t’i bëjë presion Bjellorusisë për “instrumentalizimin e migrantëve”

Evropë

Merkel i kërkon Putinit t’i bëjë presion Bjellorusisë për “instrumentalizimin e migrantëve”

Më: 10 nëntor 2021 Në ora: 16:41
Kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti rus, Vladimir Putin. Fotografi nga arkivi.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel e ka telefonuar të mërkuën presidentin rus, Vladimir Putin për t’i kërkuar që Bjellorusia t'i japë fund instrumentalizimit “jonjerëzor” të migrantëve.

Ndërkohë, autoritetet polake kanë thënë se kanë ndalur dhjetëra njerëz në kufi me Bjellorusinë.

Merkel “ka theksuar se instrumentalizimi i migrantëve nga regjimi bjellorus është jonjerëzor dhe i papranueshëm” dhe i ka kërkuar Putinit të “përdorë ndikimin e tij” te aleati bjellorus, Alyaksandr Lukashenka, që t’i japë fund situatës, ka thënë zëdhënësi i saj, Steffen Seibert në Twitter më 10 nëntor.

Në një deklaratë të lëshuar pas thirrjes telefonike, Kremlini ka cituar Putinin të ketë sugjeruar se BE-ja duhet të përfshihet në “kontakte të drejtpërdrejta” me Minskun në këtë çështje.

Kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki, ka akuzuar të martën presidentin Putin, për, siç ka thënë, orkestrimin e një vale të pashembullt migrantësh, që përpiqen të hyjnë ilegalisht nga Bjellorusia në Poloni.

Në muajt e fundit, mijëra migrantë nga Lindja e Mesme, Azia Jugore dhe Afrika, kanë tentuar të kalojnë ilegalisht kufirin e Bjellorusisë me Poloninë dhe vendet tjera të BE-së, Letoninë dhe Lituaninë.

BE-ja ka akuzuar Lukashenkan se është duke i shtyrë migrantët drejt kufirit me BE-në si hakmarrje kundër Brukselit për sanksionet e vendosura pas shtypjes së zërave opozitarë prej mbajtjes së zgjedhjeve të fundit presidenciale.

Qeveria e Lukashenkas, e cila përkrahet nga Rusia, ka mohuar se është duke krijuar krizë me migrantë dhe ka akuzuar Poloninë dhe BE-në për shkelje të të drejtave të njeriut, kur ato kanë refuzuar të pranojnë migrantët që të aplikojnë për azil.

Në rritje e sipër të tensioneve në mes të Minskut dhe fqinjëve perëndimorë, Parlamenti në Lituani, ka shpallur më 9 nëntor gjendje të jashtëzakonshme në mënyrë që të rrisë autoritetin e rojeve kufitare për të parandaluar hyrjen e migrantëve në këtë shtet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat