Dialogu pa rezultate mes pozitës dhe opozitës serbe

Evropë

Dialogu pa rezultate mes pozitës dhe opozitës serbe

Më: 11 shtator 2021 Në ora: 09:46
Ilustrim

Qeveria serbe po përpiqet që me një dialog me disa forca opozitare të krijojë përshtypjen se zgjedhjet e ardhshme do të jenë të lira. Por këtu ka probleme shumë të mëdha.

Data e zgjedhjeve në Serbi ende nuk dihet përfundimisht, por ka mbetur shumë pak kohë për të arritur një marrëveshje konkrete midis qeverisë dhe opozitës për kushtet e zgjedhjeve. Për momentin e sigurt është vetëm, se ato do të zhvillohen në prill të vitit të ardhshëm - më datën 3 ose 17 prill. Ndërsa data 10 prill është anashkaluar, sepse, siç theksojnë zyrtarët qeveritarë në Serbi, "kjo është dita e krijimit të Shtetit të Pavarur Kroat (NDH)".

Siç edhe pritej, dialogu mes qeverisë dhe opozitës në Serbi është i ngadalshëm dhe gati pa asnjë rezultat konkret. Pas dialogut të fundit mes qeverisë dhe pjesës së opozitës, që nuk do ndërmjetësim të huaj, në media është publikuar një dokument jozyrtar, ku shihet e gjithë mungesa e shpresës për një marrëveshje.

Pjesëmarrësit e këtij dialogu thonë, se dialogu pozitë - opozitë po zhvillohet ngadalë dhe se ky dialog "nuk po merret me gjëra të rëndësishme". Por ata nuk e përmendën faktin se kjo e ashtuquajtur opozitë patriotike ka refuzuar ndihmën e të huajve në këtë dialog.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, hodhi poshtë të gjitha propozimet e deritanishme për ndarjen e zgjedhjeve parlamentare dhe lokale. Ai nuk ka hequr dorë as nga të qenit udhëheqës i listës së partisë së tij në zgjedhje, ndonëse është president i vendit. E vetmja gjë që Vuçiqi ka pranuar është, se (ndoshta ) do të heqë dorë që në shtatë ditët e fundit para zgjedhjeve të bëjë fushatë nga pozita e presidentit.

Image
Aleksandar Vuçiq

Dialogu me pozitës dhe opozitësdo të vazhdojë në pjesën e dytë të shtatorit, por aktualisht nuk ka ndonjë optimizëm të madh për marrëveshje. Kryetari i Partisë për Liri dhe Drejtësi (SSP) Dragan Gjilas, thotë se ai nuk pret shumë as nga Brukseli në këtë dialog. Gjilas thotë se qeveria në Beograd është e interesuar që në opinion të krijojë përshtypjen se po bën dialog me opozitën, për shkak të proceseve në Bashkimin Evropian, por kërkesat kryesore të opozitës nuk do të realizohen.

Kërkesat dhe mundësia e ndryshimeve

Më e rëndësishme se çdo dokument jozyrtar është situata në terren, ku asgjë nuk ka ndryshuar, thotë për DW, Zoran Gavriloviq nga Zyra për Kërkime Sociale (BIRODI). "Kjo në veçanti ka të bëjë me situatën në media, të cilat janë nën kontrollin e plotë të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq", thotë Gavriloviq.

"Në një shtet ku nuk ka opinion publik, nuk mund të ketë as negociata dhe marrëveshje. Nga ana tjetër, është shkatërruese, nëse në një vend që është kandidat për anëtarësim në BE, nuk ka negociata për respektimin e ligjit. Situata në praktikë është e tillë që nuk mund të ndryshojë në gjashtë muajt e ardhshëm", mendon Gavriloviq.

Mesazhi i BE

Image
Vuçiq në Bruksel me presidenten e KE, Ursula von der Leyen

Qëllimi i vetëm i qeverisë së Serbisë me simulimin e këtij dialogu është që opozita të marrë pjesë në zgjedhje, thotë për DW, Gjorgje Vlajiq: "Qeveria është e interesuar që të mos ketë delegjitimim të zgjedhjeve. Mendoj se edhe europarlamentarët do të kërkojnë pjesëmarrjen në zgjedhje. Ndërkohë është dërguar edhe mesazhi, 'të gjithë në zgjedhje'". Por fakt është që në dialogun e deritanishëm me një pjesë të opozitës qeveria ka refuzuar kërkesat kryesore, ndër të cilat është edhe ajo që Vuçiqi të mos jetë pjesë e listës dhe fushatës parazgjedhore.

Pushteti nuk ndryshon qëndrimet

Analistët thonë se në Serbi ka ligje të mjaftueshme për zgjedhje të lira dhe korrekte, por këto ligje nuk po zbatohen në tërësi. Gjorgje Vlajiq paralajmëron se edhe në vetë ditën e zgjedhjeve vërehen parregullësi që kanë të bëjnë me kontrollin e votimit dhe frikësimin e njerëzve. Ndaj çdo marrëveshje është e kotë, nëse ajo nuk realizohet në tërësi. Ai thotë se opozita në pjesën më të madhe është e dëshpëruar edhe me sjelljen e BE. Por Vlajiq mendon se "një bojkot i dytë i zgjedhjeve do të ishte i pakuptimtë". Ndaj duhet insistuar që të krijohen kushtet për zgjedhje të lira dhe demokratike. Në opinion ka dhe ide për bashkimin e Partisë Socialiste të Serbisë me Partinë Përparimtare Serbe të Vuçiqit, që do të çonte Serbinë në fakt në një sistem njëpartiak, në qoftë se zgjedhjet prapë bojkotohen nga partitë e mëdha opozitare./DW/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat