Lukashenko i ankohet Putinit për Perëndimin

Evropë

Lukashenko i ankohet Putinit për Perëndimin

Nga: Sherif Ramabaja Më: 28 maj 2021 Në ora: 20:01
Lukashenko viziton Putinin

Pas uljes së detyruar të një avioni Ryanair në Minsk, sundimtari Bjellorus Lukashenko është nën presion. Gjatë një vizite në Soçi, ai u sigurua për mbështetjen e Vladimir Putinit.

Sundimtari Bjellorus Aleksandër Lukashenko u ankua në një takim me Presidentin rus Vladimir Putin për presionin e Perëndimit mbi vendin e tij. Sanksionet e BE u dakorduan pas uljes së detyruar të aeroplanit, ndërkoh Lukashenko të premtën në takim me Putin në Soçi tha se perëndimi po ndëshkonte kompaninë ajrore shtetërore Belavia, megjithëse nuk kishte asnjë lidhje me incidentin.

Bjellorusia e detyroi një aeroplan pasagjerësh të ulej në Minsk të Dielën dhe më pas arrestoi kritikun e regjimit Roman Protassevich. Në përgjigje, krerët e shteteve dhe qeverive të BE nisën sanksione të reja të Martën. U arrestua gjithashtu e dashura e Protassewitschs Sofya Sapega, e cila ishte qytetare ruse. Pas një vendimi të BE mbi ndalimet e fluturimit, Belavia u desh të ndërpresë lidhjet e saj me vendet e BE. Linjat ajrore perëndimore fluturojnë rreth hapësirës ajrore Bjelloruse.

Putin u shpreh për një ulje të detyruar në vitin 2013

Në këtë takim, Putini kritikoi faktin që në vitin 2013 aeroplani i presidentit të atëhershëm bolivian Evo Morales ishte detyruar të ulej në Vjenë, pa ndonjë reagim nga BE. "Në atë kohë nuk u bë kurrfar zhurme," tha Putini, duke iu referuar operacionit të SHBA.

Lukashenko tha se ka sjellur dokumente që dëshmojnë përpjekjet, për të destabilizuar në gushtin e vitit të kaluar situatën në Bjellorusi. Në atë kohë kishte protesta masive kundër Lukashenkos, i cili e kishte shpallur veten fitues të zgjedhjeve të diskutueshme presidenciale. Putini e kishte njohur sundimtarin Lukashenko si fitues, por jo edhe BE-ja.

Shefi i Kremlinit theksoi disa herë se ai mbështeste kolegët e tij në përballjen me Perëndimin. Tregtia midis dy vendeve tona është rritur. "Kjo është një trend i mirë," tha Putini, i cili gjithashtu ftoi Lukashenkon të notonte në bregdetin e Detit të Zi. Bashkëpunimi duhet të vazhdojë.

Tichanovskaya bën thirrje për "veprim më të guximshëm" nga BE

Liderja opozitare e Bjellorusisë Svetlana Tichanovskaya i bëri thirrje BE-së që të jetë më e guximshme, në marrjen e masave kundër qeverisë në Minsk. " Bashkimi Evropian duhet të jetë më i fortë dhe më i guximshëm në rezolutat dhe vendimet e tij," tha politikania e mërguar të premten, pas një takimi me Kryeministrin Hollandez Mark Rutte në Hagë.

Masat ndëshkuese kundër ekonomisë Bjelloruse të diskutuara nga BE, nuk shkuan aq sa duhet, tha Tichanovskaya. Përkundrazi, nevojitet një "paketë e re sanksionesh", e cila u drejtohet posaçërisht atyre, që janë përgjegjës për devijimin e avionit.

Sidoqoftë, Rutte deklaroi se presioni mbi sundimtarin Bjellorus Alexander Lukashenko, tashmë po jepte një efekt. "Regjimi është qartur në panik," tha ai. Kjo tregohet nga ulja e detyruar e avionit të dielën e kaluar.

Lituania dëboi dy diplomatë Bjellorusë

Lituania dëboi dy diplomatë Bjellorusë në përgjigje të zbarkimit me forcë dhe arrestimeve në Minsk. Me kërkesë të Ministrisë së Jashtme në Vilnius, dy punonjësit e ambasadës Bjelloruse, duhet të largohen nga vendet balltike të BE dhe NATO brenda shtatë ditësh. Dëbimi u justifikua me aktivitetet e dy personave, të cilat ishin "të papajtueshme me statusin e tyre diplomatik". Vendimi është gjithashtu një shprehje e solidaritetit me Letoninë .

Vendi fqinj iu përgjigj incidentit në Minsk me një protestë në periferi të Kupës së Botës në hokej mbi akull. Bjellorusia pastaj dëboi të gjithë stafin e ambasadës Letoneze, shteti Baltik reagoi në përputhje me rrethanat dhe në përgjigje, gjithashtu dëboi të gjithë stafin e ambasadës nga Bjellorusia.

Përveç kësaj, sipas një raporti, autoritetet Bjelloruse kanë filluar hetime kundër Ministrit të Jashtëm Letonez Edgars Rinkevics dhe Martins Stakis, kryetari i bashkisë së kryeqytetit Letonez Riga.

asa / dpa, nga gjermanishtja Sherif Ramabaja

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat