Salvini thirrje për zgjedhje, kërkesa i dorëzohet presidentit

Evropë

Salvini thirrje për zgjedhje, kërkesa i dorëzohet presidentit

Më: 30 janar 2021 Në ora: 08:18
Matteo Salvini

Opozita e djathtë në Itali bëri thirrje të premten për zgjedhje të parakohshme, si e vetmja mënyrë për të zgjidhur krizën politike pas dorëheqjes së kryeministrit Giuseppe Conte.

Conte, që aktualisht është kryeministër në detyrë, dha dorëheqjen pasi ish-aleati i tij Matteo Renzi tërhoqi partinë e tij Italia Viva nga koalicioni, duke i mohuar atij shumicën parlamentare dhe duke futur Italinë në një krizë tjetër krahas asaj të pandemisë.

“Kriza, e shkaktuar nga argumentet, mendjemadhësia dhe interesat personale të atyre që drejtonin qeverinë, kërkon një zgjidhje të shpejtë. Ne i paraqitën presidentit kërkesën tonë që të shqyrtojë opsionin e shkrirjes së Parlamentit dhe të organizojë zgjedhjet”, tha Matteo Salvini, kryetar i Ligës së Veriut.

Pasi doli nga pallati presidencial, Salvini tha për agjencinë “Reuters” se ndihej optimist dhe theksoi se kriza po zgjat shumë.

Nga ana e tij, kreu i shtetit Sergio Mattarella përfundoi tre ditët e konsultimeve me partitë pasi u takua me delegacionin e Lëvizjes 5 Yjet, me italianët që presin të dëgjojnë se çfarë zgjidhjeje mund të ketë gjetur ai.

Conte, i cili vazhdon të mbështetet nga 5 Yjet dhe Partia Demokratike e qendrës së majtë, shpreson të sigurojë një mandat të ri, por perspektiva nuk është e sigurtë përveç rastit nëse ai ripërtërin marrëdhënien me Renzin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat