Fundi i pasigurisë: Greqia dhe Shqipëria gjejnë ‘parajsën’

Ekonomi

Fundi i pasigurisë: Greqia dhe Shqipëria gjejnë ‘parajsën’

Më: 17 maj 2016 Në ora: 19:47

Aleksis Cipras dukej në humor të mirë, teksa doli në skenë i shoqëruar në sfond nga hiti i Coldplay, “Parajsa”.

“Ky projekt i jep fund pasigurisë dhe paqëndrueshmërisë ekonomike,” tha ai.

Entuziazmi i tij vjen për shkak të gazsjellësit TransAdriatik, TAP.

Cipras e prezantoi gazsjellësin të martën.

Projekti parashikon të sjellë gaz nga Azerbajxhani, përmes Greqisë, Shqipërisë dhe Italisë për në tregun europiano-perëndimor.

Dërgesat e para të gazit nisin në vitin 2020.

Kapacitet do jetë fillimisht për 7 milionë banesa, por do dyfishohet shumë shpejt.

Ky është investimi më i madh i huaj direkt në ekonominë greke.

Në total do pompohen 1.5 miliardë euro në ekonominë e këtij vendi dhe do krijohen 8 mijë vende pune.

“Kjo është një ditë gëzimi për Greqinë. Ajo nënkupton se kriza përfundoi,” tha ministri i Transportit në Greqi, Kristos Spirciz.

Ky është një ndryshim i madh për partinë e majtë Syriza.

Kur ishin në opozitë, ata ishin kundër projektit, pasi theksonin se u shërben kompanive multinacionale dhe SHBA-së.

Në fakt projekti ofron siguri politike dhe ekonomike.

Edhe Shqipëria është pjesë krenare e këtij investimi gjigand, më i madhi në historinë e saj.

Por edhe ky projekt nuk ka mbetur pa kritika në vendin tonë.

Opozita e dikurshme ironizonte komentet e ish-kryeministrit Sali Berisha se Shqipëria do të bëhet një superfuqi energjetike.

Ndërsa kryeministri Edi Rama tha se do rinegociohet pasi Shqipëria nuk përfiton aq sa duhet.

Kurse opozita aktuale thotë se Rama po merr meritat për një projekt të iniciuar në kohën e tyre.

TAP është një projekt prej 45 miliardë dollarësh.

Ai synon të shmangë Europën Perëndimore nga varësia e gazit rus.

Zëvendëskomisioneri i BE për energjinë, Maros Sefçoviç, tha për projektin TAP: “Kjo është një ditë historike. Ky është themeli i strategjisë energjike për Europën”.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat