Stavileci: Sektori i IT-së ka potencial për punësim

Ekonomi

Stavileci: Sektori i IT-së ka potencial për punësim

Më: 13 maj 2016 Në ora: 20:28

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, gjatë një vizite në kompaninë Fingermarket, ka thënë se sektori i teknologjisë informative dhe komunikimit elektronik (TIK) ka potencial për zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës.

Ministri tha se po bën vizita në terren, kryesisht në kompani të TIK-ut, për të treguar mbështetjen për zhvillimin e kësaj fushe.

“Po mundohemi që edhe në kuadër të përgjegjësive që ne kemi ta ngrisim profilin e sektorit në një nivel i cili nuk ka qenë edhe aq i shpërndarë në shoqërinë tonë, duke ditur rëndësinë dhe potencialin që ka edhe për rritjen e sektorit dhe ndikimin e tij në zhvillimin ekonomik dhe në krijimin vendeve të punës”.

Stavileci tha se po mundohen që ta promovojnë sa më shumë konceptin e ekonomisë digjitale. “Ekonomi kjo që bazohet në tri gjëra kryesore, dije, shkathtësi dhe kreativitet”. Të gjitha këto, sipas tij, janë vlera që i posedon rinia kosovare.

“Ne kemi edhe sektorë të tjerë me të cilët punojmë dhe i mbështesim, mirëpo, konsideroj nga ajo që e shohim që sektori i TIK-ut, mund të jetë ai që me të vërtetë e ndryshon ritmin e zhvillimit ekonomik sepse bën ndryshme edhe në shumë degë të tjera të ekonomisë”, tha ai.

Fingermarket.Inc është kompani Amerikane me Zyre Qendrore në Delaware të SHBA-së dhe nga janari 2016 operon edhe në Kosovë me degën e saj të parë në Prishtinë: Fingermarket Corporation-Kosovo Branch.

Fingermarket.com është një platformë që i fuqizon bizneset në zhvillimin e tyre përkrah profesionistët në gjetjen e mundësive të reja. Kjo kompani gjithashtu synon të bëjë zhvillimin e tregtisë online (e-commerce) dhe në anën tjetër të rrisë punësimin e të rinjve.

Mentor Pllana, shef ekzekutiv i kompanisë “Fingermarket, tha se po mendojmë ta shtrijmë operacionin në gjithë Ballkanin si dhe të punësohen më shumë se 100 punëtorë deri në fund të vitit 2016.

“Fillimi në Kosovë dhe qëndrimi në Kosovë është që të kemi sa më shumë punësim dhe të promovojmë shërbimet në Kosovë duke i edukuar gjeneratat e reja për trendët e reja të ekonomisë botërore”, u shpreh Pllana.

Kurse, Diedon Kica, drejtor komercial i kësaj kompanie tha se vizitat e tilla tregojnë rëndësinë e sektorit siç është teknologjia informative.

“Kompania Fingermarket ka qëllimin që në Kosovë të bëjë sa më shpejt digjitalizimin e bizneseve dhe me iu mundësu bizneseve që sa më lehtë të gjenden me njëra-tjetrën, me i gjet partnerët potencialë, investitorët por edhe produktet dhe shërbimet që janë të interesuar që të bashkëpunojnë ndërmjet vete dhe t’i eksportojnë”, theksoi ai.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat