Në këtë tre mujor hyjnë në fuqi pushimet tatimore

Ekonomi

Në këtë tre mujor hyjnë në fuqi pushimet tatimore

Më: 8 shkurt 2016 Në ora: 15:18

Qeveria, përkatësisht Ministria e Financave, neglizhon nxjerrjen e Udhëzimit Administrativë për pushimet tatimore. Ndërsa Ligji për të Ardhurat në Korporata ka hyrë në fuqi në shtator të vitit të kaluar.

Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Financave, Udhëzimi Administrativ (UA) pritet të hy në fuqi gjatë tre mujorit të parë të këtij viti. Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, tha se Qeveria ka kohë që ka paralajmëruar pushimet tatimore por që ende nuk ka nxjerrë Udhëzimin Administrativë. Sipas tij me këtë do të u mundësohet investitorëve potencial që të lirohen nga pagesa e tatimeve për një periudhë të caktuar

Zeka: Qeveria paralajmëroj pushimet tatimore por ende nuk ka nxjerr Udhëzimin Administrativë

“Sa i përket pushimeve tatimore të cilat janë paralajmëruar tash e sa kohë nga ana e Qeverisë e cila realisht tashmë janë rregulluar me ligjin e ri për të Ardhurat në Korporata i cili ka hy në fuqi me 1 shtator të vitit 2015 . Ne e kemi shprehur shqetësimin tonë edhe përmes këshillit konsultativ , ministri të Financave, ATK, Dogana, Komunitet i Biznesit që këto pushime tatimore duhet të fuqizohen sa më shpejtë që të jetë e mundur. Atje kemi marrë premtime nga ana e ministrit të Financave se po punohet nga ekipet e Administratës Tatimore dhe Ministrisë së Financave që të përgatitet UA i cili do të rregulloj çështjen e pushimeve tatimore. Unë besoj që është moment i fundit që të kemi një Udhëzim Administrativë edhe pse realisht është koha jashtëzakonisht e shkurtër dhe nuk do të kemi mundësi as të ofrojmë komentet tona për një UA të tillë”, tha Zeka.

Sipas tij, ky udhëzim ka rëndësi të veçantë për investitorët potencial , që shumë vende të rajonit e praktikojnë.

Zeka: Pushimet tatimore ka rëndësi të veçantë për investitorët

“Sa i përket rëndësisë, unë besoj që tashmë është folur shumë për rëndësinë e ofrimit të pushimeve ta timore . Nuk do të jetë diçka unike për vendin tonë. Thjeshtë do të mundësoj përafrimin e ofertës sonë karshi investitorëve të huaj dhe investitorëve të brendshëm, me diçka që tashmë ofrohet në vendet e tjera të rajonit. Pushimet tatimore do të mundësojnë investitorëve potencial që të lirohen nga pagesa e tatimeve për një periudhë të caktuar nga 3 deri në disa vite varësisht nga shuma e investimeve që ata bëjnë dhe nga numri i vendeve të punës të cilat do të krijohen”, tha Zeka.

Drejtori i zyrës për informim në Ministrinë e Financave, Muharrem Shahini nëpërmjet përgjigjeve elektronike tha se sa i përket pushimeve tatimore, ashtu siç është kërkuar me vendimin nr. 122, datë 17.11.2015, nga Ministria e Financave për hartimin e Draft Udhëzimit Administrativ për Pushimet Tatimore, Grupi punues i përbërë nga ATK, MF, MBPZHR, MTI dhe MZHE, ka hartuar draftin e Udhëzimit Administrativ ku janë marrë parasysh edhe lehtësirat fiskale të cilat i aplikojnë vendet e rajonit.

Ky Udhëzim Administrativ, sipas tij, pritet që të miratohet gjatë tremujorit të parë të këtij viti.“Ndërsa sa i përket ndryshimit të legjislacionit Ministria e Financave është e përkushtuar që të bëjë ndryshime në legjislacionin e tatimeve për faktin se gjithmonë ekziston nevoja për perfeksionim të politikave fiskale në mënyrë që ato të jenë në funksion të zhvillimit ekonomik. Ndërsa sa u përket produkteve për prodhim kjo fushë është e mbuluar mjaft mire me ndryshimet e fundit por nuk do të thotë se nuk do ketë edhe ndryshime shtesë nëse paraqitet nevoja. Për këtë kemi kontakte të rregullta me përfaqësuesit e bizneseve në Kosovë”, tha Shahini.

Këto lehtësira që parashihen me Udhëzimin Administrativ aplikohen nga vendet fqinjë, Maqedonia, Serbia të cilat me këto politika kanë bërë që shumë investitorë nga Kosova të s hkojnë atje të investojnë kapitalin e tyre.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat