Hoti: ATK për vitin 2016 pret të hyra prej 388 milionë euro

Ekonomi

Hoti: ATK për vitin 2016 pret të hyra prej 388 milionë euro

Më: 7 shkurt 2016 Në ora: 12:22

Ministri i Financave të Kosovës, Avdullah Hoti ka bërë të ditur se Administrata Tatimore e Kosovës ka plan ambicioz për vitin 2016.

“Të hyrat që pritet të mbledh ATK gjatë këtij viti janë 388 mil euro, prej të cilave 10 mil janë nga falja e borxheve dhe 8 mil nga AKP si borxhe të Ndërmarrjeve Shoqërore. Ky plan është ambicioz, por i realizueshëm duke marrë parasysh resurset njerëzore të krijuara me vite në ATK” ka thënë Hoti në një postim në Facebook.

Ai ka treguar se gjatë vitit 2016, prioritetet strategjike të ATK-së janë: rritja e aftësive të stafit, përmirësimi i proceseve kyçe tatimore, zvogëlimi i ekonomisë jo-formale, ripërtëritja e teknologjisë informative si dhe sigurimi i një strukture organizative efektive dhe llogaridhënie të qartë.

Hoti ka thënë se “realizimi i të hyrave kryesisht është i orientuar në përmbushjen vullnetare, duke ofruar informatat që tatimpaguesit detyrimet e tyre tatimore t’i plotësojnë me kosto sa më të ulët”.

“Për realizimin e këtyre objektivave, ATK ka buxhet prej 9.7 mil euro, që është pak më i ulët se në vitin 2015. Bazuar në të hyrat e planifikuara prej 388 mil euro, rrjedh se për çdo 1 euro që ATK shpenzon, i sjell buxhetit të shtetit 40 euro të hyra”, ka përfunduar ai.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat