Alarmi, firma të palicensuara mashtrojnë shqiptarët për të investuar në bursë. Ja lista

Ekonomi

Alarmi, firma të palicensuara mashtrojnë shqiptarët për të investuar në bursë. Ja lista

Më: 22 nëntor 2015 Në ora: 08:20

“Ujqërit” e Tiranës; Kujdes nga investimet në bursa nga skemat e palicencuara!


Me dhjetëra skema me leje dhe pa leje kanë nisur të grumbullojnë kursimet e shqiptarëve për t’i investuar në bursat jashtë vendit. Institucionet mbikëqyrëse të tregut, Banka e Shqipërisë dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare janë zënë në befasi. A janë gati qytetarët për të investuar në bursa ndërkombëtare dhe për të përballuar rrezikun? Punonjësit brenda këtyre skemave pohojnë se klientët nuk i perceptojnë humbjet dhe nuk njohin rreziqet. Ja skemat e licencuara dhe ato pa licenca….


Tani kur interesi real i depozitave në banka është në vlera negative, individët gjithnjë e më shumë po joshen nga forma të reja investimesh jo shumë të sigurta.


Shumë biznese dhe qytetarë po shohin bursat matanë vendit, si një mundësi për të shtuar vlerat e kursimeve të tyre, teksa pesimizmi për zhvillimet ekonomike në vend i ka larguar ata nga konsumi dhe investimet, duke nxitur edhe më tej prirjet për kursim.


Kompanitë që ndërmjetësojnë investimet në bursa dy vitet e fundit janë shtuar shumë. Duke ofruar produkte krejt të panjohura për shqiptarët me kulturë financiare që lë për të dëshiruar, shoqëritë e brokerimit me leje dhe pa leje me një treg ende të pazyrtarizuar dhe të parregulluar po ofrojnë në merimangën e tyre të marketingut qindra qytetarë, të cilët nuk janë të qartë ku po investojnë kursimet e tyre.


Të shumtë janë ata që gjatë këtij viti kanë marrë më shumë se një telefonatë ku ftohen të investojnë para në bursë.“Nëse investon 2000 euro nëpërmjet nesh kjo shumë mund të shumëfishohet shumë shpejt”. Operatorët janë shumë këmbëngulës përtej telefonit,nganjëherë dhe dhunues të privatësisë deri në limit, po çojnë shqiptarët drejt një tregu jo shumë të njohur dhe të rrezikshëm për momentin.


Kjo tendencë për të kanalizuar kursimet në forma të reja investimi vjen në një moment të papërshtatshëm, pasi tregu ndërkombëtar i kapitaleve është ndërlikuar nga ulja e çmimeve dhe paraqet më shumë risk se sa fitim.


Duke e parë investimin në bursë vetëm si fitim dhe jo si risk, shumë individë janë përfshirë në skemat e reja të ndërmjetësimit pa qenë të ndërgjegjshëm për atë që i pret.


Institucionet financiare në vend, Banka e Shqipërisë dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare të autorizuar me ligj për licencimin, rregullimin dhe mbikëqyrjen e tregut financiar janë në dijeni të fenomenit. Madje jo zyrtarisht pohojnë se, këto skema janë të rrezikshme dhe duhen frenuar. Në mos duhen frenuar, më së shumti duhen licencuar, kontrolluar dhe mbikëqyrur.


Shoqëritë e brokerimit që po ndërmjetësojnë investimin e depozitave të shqiptarëve në bursa janë shtuar shumë, por vetëm tre të tilla kanë leje, Aksioner Insternational Securites Brokerage sha., Stock International Albania dhe Platinium Investment që ka marrë licencë si institucion financiar jo bankë nga Banka e Shqipërisë dhe dy të parat kanë marrë leje nga AMF, si shoqëri brokerimi në tituj për blerjen dhe shitjen e titujve me porosi të klientit në tregun e licencuar në territorin e Republikës së Shqipërisë. Por ndërsa vetëm tri kompani janë të licencuara, dhjetëra të tjera e kryejnë këtë shërbim pa asnjë autorizim të autoriteteve shqiptare. Risku i investimit në këto lloj skemash është 100% dhe për humbjen askush nuk mban përgjegjësi.


Këto forma investimi në botën e zhvilluar janë shumë të njohura, por tregjet e tyre të kapitaleve janë të zhvilluara, të mbikëqyrura dhe të rregulluara.


Rreziku


Ndërsa vetëm tri kompani janë të licencuara, dhjetëra të tjera e kryejnë këtë shërbim pa asnjë autorizim të autoriteteve shqiptare. Risku i investimit në këto lloj skemash është 100% dhe për humbjen askush nuk mban përgjegjësi.


Disa nga bizneset e brokerimit


Platinium Investment Me licencë nga Banka e Shqipërisë


Aksioner Insternational Me licencë nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare


Stock International Albania Me licencë nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare


FXLider Forex Shqipëri Pa licencë


Forex Albania| Pa licencë


ONASIS Brokers Pa licencë


Easy Trade Consulting Albania Pa licencë


Lirifinanciare.com (HG trading) Palicencë


Gjuetia e klientëve


Kompanitë e brokerimit po i krijojnë klientët e tyre në dy forma. E para, nëpërmjet promocioneve individuale nga telefoni ose nga kontakte me njerëz të njohur, për të cilët kanë informacione për të ardhurat e tyre. Forma e dytë për krijimin e klientëve është një marketing agresiv, kompanitë e kanë bërë hapur në media, edhe pse nuk ka leje të posaçme nëShqipëri për ushtrimin e aktivitetit. Operatorët e Stock.com (kompania ka licencë nga AMF) kanë targetuar një grup klientësh, mjekë, juristë dhe ekonomistë ndaj të cilëve bëjnë telefonata të paautorizuara, duke u kërkuar se nëse kanë fonde të lira deri në 2000 euro mund t’i investojë me ndihmën e Stoc në bursa dhe prej tyre mund të marrin fitime të shpejta dhe të larta. Në bisedat e përditshme shumë njerëz pohojnë të jenë shqetësuar nga telefonatat e shpeshta të operatorëve ku u prezantojnë superfitime. Nga burimet brenda kompanive mësohet se shqiptarët janë duke e parë me skepticizëm këtë formë investimi dhe nuk është se janë afruar shumë. Por ata që zgjedhin të investojnë në këtë formë luajnë me shuma të mëdha që i kalojnë të 200 mijë eurot dhe nuk e marrin parasysh rrezikun se humbja peshon njësoj me fitoren.


Pasi ke vendosur të investosh në këtë formë dhe ke ngurtësuar para në bankë për llogari të kompanisë që bën ndërmjetësimin, loja këtu fillon. Kompania ndërmjetësuese të ofron aksionet që mund të blesh, vlera e të cilave është në rritje. Investitori (qytetari që ka vlerat monetare) supozohet që do të zgjedhë një fushë për të cilën ai ka dijeni dhe e njeh mirë. Për më tepër nëse zgjedh të investojë në këtë mënyrë duhet të monitorojë zhvillimin e bursës. Ta zëmë nëse ka investuar në ar, duhet të monitorojë nëçdo sekondë çmimin. Por shumë qytetarëpasi kanë pranuar këtë mënyrë investimi, janë befasuar kur janë gjendur para humbjeve të mëdha për detaje të tilla pasi kanëharruar të hapur pozicionin gjatë natës dhe në mëngjes i kanë humbur të gjitha. Ekspertë të tregjeve të kapitaleve me njëfarë ngurrimi për ta denoncuar fenomenin publikisht të këshillojnë të mos investosh në këtë mënyrë. Pasi në Shqipëri, shoqëritë e brokerimit vetëm sa të orientojnë për investimin kundrejt një komisioni, në botën e zhvilluar financiare individët u besojnë brokerave të licencuar investimin dhe mirëmbajtjen e llogarisë kundrejt tarifave të suksesit.


Si funksionojnë kompanitë


FXlider për shumë kohë zhvilloi një fushatë agresive publicitare të të gjitha formave në tregun shqiptar, pavarësisht se, kompania nuk ka leje operimi në Shqipëri as nga Banka e Shqipërisë dhe as nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare për të ndërmjetësuar investimin e kursimeve të shqiptarëve në bursa. FXlider nga zyrat e Beogradit oferton aktualisht edhe për tregun shqiptar.


“Pavarësisht nëse çmimi shkon lart ose poshtë, duke hapur pozicionin e duhur në tregun Forex, monedha, mallra, CFD, indekse ose aksione, ju mund të fitoni para. Merrni përparësitë e tregut më të madh – të leverage ku investimet tuaja për tregtim kthehen nga 100 euro në 20,000 euro”, bën të ditur FXlider në sitin e saj.


Duke i orientuar investitorët drejt blerjeve të arit, aksioneve të naftës, grurit, pambukut dhe aksionet e Google dhe Apple, nuk sqarohet nëse shanset për humbje janë të njëjta me fitoret. Kujtdo që i rastis të vizitojë këtë faqe, joshja është e madhe. Më tej, kompania vijon në web-in e saj: “Me platformën tonë, investuesit gjejnë mënyrën më të mirë për të tregtuar aksione, monedha dhe mallra. Për shkak të krizës ekonomike globale në vitin 2008, tregtimi në mallra është rritur, çmimi i arit u rrit, vaji është forcuar në fillim të vitit 2009, gruri, pambuku dhe mallra të tjera bujqësore kanë arritur vlerën e tyre maksimale”.


Por pas entuziazmit të fitores ka edhe skepticizëm. Një nga kompanitë më të mëdha të kësaj linje në Shqipëri i numëron vetëm disa dhjetëra klientë. Por ky është një biznes në fillesa, që më tepër është në fazën e edukimit të publikut me tregun e aksioneve se sa për të nxjerrë përfitime. Por duket se themelet e para po vihen por në tokë ranishte. Mungesa e ligjshmërisë me të cilën po lulëzon biznesi i ri i minibursave vetëm sa shton panikun për rikthimin e piramidave në një formë ndryshe.


Institucionet, frikë nga fenomeni


Në Bankën e Shqipërisëdhe në Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, dy institucionet gardiane për stabilitetin financiar në vend, sytë janë bërë katër mbi skemat që kanë nisur të përthithin dhunshëm kursimet e shqiptare. Në reagimin zyrtar për “Monitor”, Banka e Shqipërisë pohoi se nuk është përgjegjëse për licencimin dhe rregullimin e këtij tregu dhe as për mbikëqyrjen e tij. Por, përtej reagimit zyrtar, ekspertët e Bankës së Shqipërisë pohuan se po ndjekin me shqetësim evoluimin e skemave në fjalë. Ekspertët e Bankës shpjeguan për “Monitor” se shumica e këtyre skemave nuk janë të licencuara dhe në këto kushte banka nuk mund të ushtrojë kontroll mbi ta në aspektin e cenueshmërisë së stabilitetit financiar në vend. Duket se disa institucione të tjera të tilla si Shërbimi Informativ etj., duhet të njoftojnë strukturat përgjegjëse të shtetit për të ndaluar aktivitetine tyre. Vetë kompanitë që e ofrojnë këtë shërbim i pohuan “Monitor” se nuk kishin leje specifike për tregun shqiptar, porse ato i ofrojnë produktet e tyre të investimeve në internet në të gjithë botën. Kompania FXlider, në faqen e saj në internet, sqaron se ka një marrëveshje bashkëpunimi për promovimin e shërbimeve tregtare dhe platformat e FORTRADE. FORTRADE Ltd është i autorizuar dhe rregulluar në Mbretërinë e Bashkuar nga FCA (Autoriteti i Sjelljes Financiare) me numër regjistrimi 609970, por shoqëria nuk është e pajisur me leje nga autoritetet shqiptare.


Kuvendi lajmërohet për rrezikun


Duke raportuar për zhvillimet në tregun financiar jobankar për 2014, Enkelejda Shehu, kryetare e AMF, lajmëroi Kuvendin për rreziqet që u kanoseshin qytetarëve nga disa subjekte të palicencuara që operojnë si fonde investimesh. “Rreziqet shtohen, pasi kohët e fundit janë vërejtur përpjekje të subjekteve të palicencuara nga AMF për të ofruar produkte apo shërbime financiare. Kjo dikton nevojën që konsumatori/investitori shqiptar të edukohet që investimet e tij financiare t’i drejtojë vetëm te subjekte financiare të licencuara nga AMF. Një informacion i tillë është lehtësisht i aksesueshëm për këdo në faqen zyrtare të internetit të AMF”, tha Shehu para deputetëve në Kuvend. Por kanë kaluar disa muaj nga kjo deklaratë dhe tregu vijon njësoj.


Ndërkohë tregu i fondeve të investimeve, në lekë dhe në euro, ka vijuar dinamikën e zgjerimit, duke u shndërruar në tregun e dytë më të madh pas tregut bankar, nga pikëpamja e aseteve. Vlera neto e aseteve të tyre arriti në 63.7 miliardë lekë, që përfaqëson 4.6% të PBB-së, nga 3.7% në vitin 2013. Numri i anëtarëve të të dy fondeve është rritur në 32,669 ose rreth 15% më shumë se një vit më parë.


Në analizën e AMF arsyetohet se dinamika e zgjerimit të këtyre fondeve tregon interesin që kanë investitorët vendas për produkte të reja kursimi apo investimi. Një situatë e tillë favorizohet edhe nga mjedisi me norma të ulëta të interesit, që zbatohen për produktet bankare të kursimeve, mjedis i cili është mbizotërues prej disa vitesh.


Nga kjo pikëpamje, kjo dinamikë zgjerimi është e mirëpritur, sepse nxit zhvillimin e tregjeve financiare, por njëherësh krijon sfida të rëndësishme për t’u përballuar, lajmëron AMF. Dinamika e shpejtë e zgjerimit të fondeve të investimeve kërkon ngritjen e kapaciteteve dhe përshtatjen e strukturës së AMF-së kundrejt këtyre zhvillimeve. Tashmë AMF po punon për marrjen e vendimeve të shpejta për të plotësuar kuadrin mbikëqyrës. Në këtë kuadër, AMF po përmirëson bazën rregullatore për fondet e investimeve me dy objektiva kryesorë: (i) forcimin e regjimit të transparencës ndaj klientit/investitorit; dhe (ii) përmirësimin e kërkesave për administrimin e rreziqeve në treg.


Kështu, në vitin 2014 u miratuan rregulloret për fondet e veta; për informacionin kyç që duhet t’i jepet investitorit; përmirësimet në prospektin; si dhe forcimi i rregullave për njohjen e klientit. Po në këtë kuadër është punuar me dy misione të asistencës teknike, me BB për miratimin e regjimit të kërkesave për likuiditetin e fondeve të investimeve, dhe me FMN për vlerësimin e aseteve të fondeve. Një tjetër zhvillim është mbikëqyrja e konsoliduar e këtij tregu, së bashku me Bankën e Shqipërisë, në përpjekje për të mbikëqyrur në mënyrë të plotë risqet, veçanërisht ato të depozitarit; ndarjes së aseteve; të forcës shitëse dhe praktikave të shëndosha në shitje etj. Për këtë arsye janë kryer inspektime të përbashkëta me Bankën e Shqipërisë, si dhe nga AMF është kërkuar ndërtimi i një protokolli veprimesh për ushtrimin e mbikëqyrjes së konsoliduar. Në përfundim, mbetet i rëndësishëm forcimi i regjimit të transparencës dhe edukimit të konsumatorit, duke pasur në vëmendje risitë që prodhojnë në treg veprimtaritë investuese financiare, me rreziqe jo gjithmonë lehtësisht të kuptueshme nga konsumatorët.


“Rreziqet shtohen, pasi kohët e fundit janë vërejtur përpjekje të subjekteve të palicencuara nga AMF për të ofruar produkte apo shërbime financiare” tha Enkelejda Shehu, kryetare e AMF në Kuvend në fillim të këtij viti.


Reagon AMF: Kemi licencuar vetëm dy agjentë brokerash, të tjerët…


Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) iu përgjigj interesimit të “Monitor” në lidhje me biznesin e ri të skemave të investimit në Bursë. Në një shpjegim të posaçëm, AMF sqaron se, me vendimin nr. 55, datë30.03.2011 “Për njohjen e veprimtarisë së agjentit të brokerit të licencuar të letrave me vlerë”, Autoriteti ka njohur veprimtarinë e agjentit të brokerit të licencuar të letrave me vlerë, që konsiston në: promovimin e veprimtarisë së brokerit; marrjen dhe transmetimin e urdhrave apo udhëzimeve nga klientët/klientët e mundshëm, si dhe ofrimin e këshillave për klientët ose klientët e mundshëm në lidhje me titujt dhe instrumentet financiare.


Sipas Vendimit, agjenti vepron në emër dhe për llogari vetëm të një brokeri të licencuar të letrave me vlerë në territorin e Republikës së Shqipërisë, apo të një brokeri të licencuar nga Autoritetet e tjera mbikëqyrëse, anëtare të IOSCO-s, nënshkruese të MMOU.


Mbështetur në Vendimin nr. 55, AMF shpjegon se Autoriteti ka licencuar:



  1. Shoqërinë “Aksioner International Securities Brokerage” sh.a. për të vepruar si agjent në emër dhe për llogari të shoqërisë së brokerimit”Saxo Bank”.

  2. Shoqërinë “Stock International Albania” sh.a. për të vepruar si agjent në emër dhe për llogari të shoqërisë së brokerimit “LeadCapital Markets”Ltd.


AMF sqaron se, investimi në platformat e tregtimit në zotërim të shoqërive të brokerimit të mësipërme, ku agjenti i miratuar nga AMF ka rolin e promovuesit të produktit që ofron shoqëria e brokerimit është një alternativë investimi në tregjet financiare ndërkombëtare, kryesisht për investitorë që kanë njohuri mbi këto tregje dhe produktet e tyre, këto platforma nuk mund të konsiderohen si alternativë e kursimeve të qytetarëve në përgjithësi.


Sipas Vendimit nr.55 “Shoqëria që kryen veprimtarinë e agjentit të brokerit të licencuar të letrave me vlerë duhet të respektojë kërkesat e Ligjit Nr. 9879, datë 21.02.2008 “Për titujt”, kjo do të thotë se subjektet që veprojnë si agjentë të platformave të tregtimit të licencuara jashtë territorit të Shqipërisë janë objekt mbikëqyrje nga Autoriteti. Në veprimtarinë mbikëqyrëse/monitoruese, Autoriteti kujdeset që kryerja e veprimtarisë nga agjenti të jetë në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore, si dhe rregullat e brendshme të shoqërisë të depozituara në momentin e miratimit të veprimtarisë. Në procesin monitorues i kushtohet vëmendje transparencës ndaj klientit, që fillon me mënyrën e identifikimit të tij dhe duke vijuar me mënyrën e reklamimit të produkteve që ofron platforma. Mbikëqyrja e AMF realizohet si nëpërmjet marrjes së informacionit nga subjekti i miratuar, sipas përcaktimeve të Vendimit nr. 55, ashtu dhe nëpërmjet inspektimit në vend.


Përsa i takon Platformës FX Lider, AMF nuk ka autorizuar ndonjë agjent që të jetë në rolin e promovuesit të kësaj platforme. Nga kërkimi i bërë, nuk rezulton që FXLider të ketë zyrë në Shqipëri, por sipas të dhënave operon nëpërmjet zyrës në Beograd, Serbi.


 


Rreziqet e investimit në bursa


Kontratat e “ndaluara”


Klientët para se të vendosin të investojnë në tregjet e kapitalit kursimet e tyre duhet të kuptojnë se tregtimi sipas kontratave për diferencë (“CFDs”) dhe kontrata për këmbime valutore (“FX Contracts”) janë spekulative dhe të rrezikshme. Stock.com, që është e ligjëruar për të operuar në këtë fushë, lajmëron klientët për rreziqet. Ekspertët e Stock pohojnë se, tregtimi i kontratave CDF dhe FX është shumë spekulativ, përmban një rrezik të lartë humbjeje dhe nuk është i përshtatshëm për të gjithë investitorët, përveç atyre klientëve që kuptojnë dhe janë të gatshëm të marrin përsipër rrezikun ekonomik, ligjor dhe çfarëdo rreziku tjetër të përfshirë. Kjo kategori klientësh kanë dije dhe përvojë për sa i takon tregtimit të derivateve dhe aseteve të nënshkruara dhe janë financiarisht të aftë të përballojnë humbjet e mëdha si pasojë e tejkalimit të marzhit apo depozitave, sepse investitorët mund të humbasin vlerën totale të kontratës, jo vetëm marzhin apo depozitën.


Transaksionet CDF dhe Fx janë ndër llojet më të rrezikshme të investimeve dhe mund të rezultojnë në humbje të mëdha. Klientët deklarojnë, garantojnë dhe bien dakord që i kuptojnë këto rreziqe, dëshirojnë dhe janëtëaftë financiarisht dhe sidoqoftë, të marrin parasysh rrezikun e tregtimit të kontratave CDF dhe FX dhe që humbja totale e gjendjes së llogarisë së klientit nuk do të ndryshojë mënyrën e jetesës së klientit.


Rreziku që vjen nga pozicionet


Mbajtja e pozicioneve të gjata në CFD nënkupton që ju jeni duke blerë CFD në treg duke spekuluar që çmimi i tregut të tyre do të rritet ndërmjet kohës së blerjes dhe të shitjes. Si zotërues i një pozicioni të gjatë (long), zakonisht gjenerohen fitime nëse çmimi i tregut do të rritet, ndërkohë që pozicioni juaj CFD është i hapur. Në të kundërt, pëson humbje, nëse çmimi i tregut do të ulet për sa kohë që pozicioni juaj CFD është ende i hapur.


Humbjet në këto raste janë potenciale dhe mund të jenë më të mëdha sesa marzhi fillestar i depozituar. Për më tepër, humbja vijon për shkak të mbylljes së pozicionit, në rast se nuk keni likuiditet të mjaftueshëm për marzhin e llogarisë me qëllim për të mbajtur hapur këtë pozicion.


Ndërsa si një zotërues i një pozicioni të shkurtër (short) zakonisht gjenerohen fitime, nëse çmimi i tregut do të ulet ndërkohë që pozicioni juaj CFD është i hapur. Në të kundërt, zakonisht ka humbje, nëse çmimi i tregut do të rritet për sa kohë pozicioni CFD i investitorit është ende i hapur. Humbjet në këtë rast, sqaron Stoc.com, mund të jenë më të mëdha sesa marzhi fillestar i depozituar.


Për më tepër, humbjet thellohenpër shkak të mbylljes së pozicionit, në rast të likuiditetit të pamjaftueshëm për marzhin e llogarisë me qëllim për të mbajtur të hapur këtë pozicion.


Si lojë bixhozi


Grada e lartë e ‘levës’ është një komponent karakteristik i kontratave CFD dhe FX. Efekti i levës i bën investimet në CFD më të rrezikshme se investimet në asete bazë. Kjo vjen si pasojë e sistemit të marzhit të përdorur te CFD-të, e cila përfshin zakonisht depozita relativisht të vogla krahasuar me vlerën e transaksionit, kështu që relativisht një lëkundje e vogël në çmimin e aseteve bazë mund të ketë një efekt dramatik disproporcional për tregtimin. Kjo mund të jetë si në avantazh ashtu edhe në dizavantazh të investitorit. Një lëkundje e vogël e çmimit në favor të investuesit mundëson kthime të larta fitimi mbi depozitën, sidoqoftë një lëkundje e vogël çmimi jo në favor mund të rezultojë në humbje të mëdha. Humbjet në këtë rast nuk do të kalojnë asnjëherë balancën e llogarisë, e cila bëhet zero nëse humbjet janë më të larta se shuma e depozituar. Të tilla humbje mund të ndodhin shpejt. Sa më i madh efekti i levës, aq më i madh rreziku. Pra, madhësia e levës vendos në mënyrë të pjesshme rezultatin e investimit.


Disa truke


Stock.com këshillon që klienti duhet të mbajë minimumin e marzhit të kërkuar për të mbajtur hapur pozicionet e tij gjatë gjithë kohës. Është përgjegjësi e klientit të monitorojë gjendjen e llogarisë së tij. Klienti mund të marrë një thirrje marzhi për të depozituar para të tjera, nëse marzhi në këtë llogari është shumë i ulët. Stock.com ka të drejtën të likuidojë çdo pozicion apo të gjitha pozicionet e hapura kurdo që nuk sigurohet minimumi i marzhit të kërkuar dhe kjo mund të rezultojë në mbylljen e kontratave CFD apo FX, humbje për të cilat ju do të jeni përgjegjës. Diferenca mes çmimit të kërkesës dhe çmimit të ofertës është ‘Spread-i brokerit’. Këto marzhe vendosen nën gjykimin plotë të brokerave, duke qenë se sillen si tregbërës dhe çdo ndryshim ka efekt të menjëhershëm. Informacion në lidhje me spread-et, levën financiare, tarifat e rinovimit dhe oraret e tregtimit përklientin kupton që kontratat CFD dhe FX mund të kompensohen vetëm me para dhe diferenca midis çmimit të blerjes dhe shitjes vendos pjesërisht rezultatin e investimit.


Fondet e investimeve (brokerat) janë pala tjetër e të gjitha transaksioneve të ndërmarra nën Marrëveshjen me Konsumatorin dhe si e tillë, interesat e tyre mund të jenë në konflikt me ato të investitorit (qytetarit)tuajat.


Super të rrezikshme


Kur tregtoni kontrata CFD dhe FX,të tilla transaksione nuk do të ekzekutohen në një bursë të njohur ose të përcaktuar dhe njihen si transaksione OTC (mbi banak). “Të gjitha pozicionet e hapura me ne duhet të mbyllen me ne dhe nuk mund të mbyllen me kompani të tjera. Transaksionet OTC mund të përmbajnë rrezik më të madh sesa investimi në kontrata në bursa, sepse nuk ka një treg burse në të cilat të mbyllet një pozicion i hapur. Mund të jetë e pamundur të likuidohet një pozicion ekzistues, të vlerësohet vlera e pozicionit të një transaksioni OTC apo të vlerësohet ekspozimi ndaj rrezikut. Çmimet e kërkesës dhe ofertës mund të mos jenë të kuotuara nga ne, bazuar në politikat e ekzekutimit më të mira të zbatueshme në treg. Nuk ka një clearing qendror apo garanci nga ndonjë palë tjetër që Stock.com do të paguajë detyrimet ndaj klientëve, kështu që klienti është i ekspozuar ndaj rrezikut të kredisë me Stock.com. Klienti duhet të kërkojë përforcimin etë gjitha kontratave në llogari të tij vetëm ndaj Stock.com, si dhe kthimin e ndonjë marzhi apo kolaterali”, sqaron Stock.com.


Stocklajmëron se performanca e kontratave CFD apo FX do të varet nga çmimet e vendosura nga vetë Stock.com dhe luhatjet e tregut të aseteve bazë me të cilat lidhen kontratat. Çdo aset bazë përmban rrezik specifik që ndikon në rezultatin e CFD-së në fjalë.


Stoc i llogarit çmimet,duke iu referuar çmimit të asetit bazë, i cili merret nga një burim i jashtëm palë e tretë apo bursat. Për kontratat CFD apo FX, merren të dhënat në lidhje me çmimet nga pjesëmarrjes të tregjeve të shumicës. Edhe pse Stock.com pret që këto çmime të jenë të arsyeshme në lidhje me çmimet mbizotëruese në treg, çmimet e Stock.com mund të ndryshojnë nga çmimet e disponueshme për bankat apo të tjerë pjesëmarrës në treg. Stock.com ka liri të konsiderueshme vendimmarrje për vendosjen dhe llogaritjen e marzheve. Gjithashtu Stockështë i autorizuar të konvertojë fondet në llogarinë e klientit për marzh në dhe nga valuta të huaja me kursin e këmbimit të vendosur nga Stock.com nën lirinë e tij të veprimit mbi bazën e normave të parasë që mbizotërojnë në treg në atë kohë.


Investimet në Kontrata FX dhe CFD me një aset bazë të listuar në një valutë të ndryshme nga valuta juaj bazë përbën një rrezik nga kursi i këmbimit, për shkak të faktit që kur kontratat CFD apo FX mbyllen në një valutë të ndryshme nga valuta juaj bazë, vlera e kthyer e investimit tuaj mund të ndikohet nga konvertimi në valutën bazë.


Risku që vjen vetëm nga klik


Sistemi i Tregtimit Online ofron transmetim të menjëhershëm të urdhrave të klientit sapo ai fut shumën e dëshiruar dhe klikon ‘Blej/Shes’. Kjo nënkupton që nuk ka mundësi rishikimi pas klikimit të butonit ‘blej/shes’ dhe Urdhrat e Tregut nuk mund të anulohen ose modifikohen. Klientiduhet të pranojë që me përdorimin e Sistemit Online të Tregtimit të Stock.com, ai ka rënë dakord me sistemin një-klik dhe pranon rrezikun e këtij opsioni të transmetimit/ekzekutimit të menjëhershëm.


Rekomandimet fakultative


Rekomandimet e përgjithshme të tregut mundësuar nga Stock.com bazohen vetëm në gjykimin e personelit të Stock.com dhe duhen konsideruar si të tilla. Burimet zyrtare të Fondit sqarojnë se klienti hyn në çdo transaksion duke u mbështetur në gjykimin e tij. Çdo rekomandim i dhënë për tregun është i përgjithshëm dhe mundet që të jetë ose jo në konsistent me pozicionin e tregut ose qëllimet e Stock.com si dhe të bashkëpunëtorëve të tij. Rekomandimet e përgjithshme të tregut nga Stock.com bazohen në informacione që vlerësohen të jenë të besueshme por Stock.com nuk garanton saktësinë apo plotësinë ose të pretendojë që të tilla rekomandime do të ulin apo eliminojnë rrezikun që mbart tregtimi i kontratave CDF dhe/ose FX, argumentojnë të njëjtat burime.


Nuk ka garanci fitimi


Nuk ka garanci fitimi apo shmangia e humbjeve kur tregton kontrata CDF ose FX. Klienti nuk merr të tillë garanci nga Stock.com apo nga ndonjë nga përfaqësuesit e tij. Klienti është i vetëdijshëm për rrezikun që mbart tregtimi me kontrata CDF-s dhe FX dhe është financiarisht i aftë të ndërmarrë të tilla rreziqe dhe të përballojë çdo humbje të shkaktuar.


Në sajë të kushteve të tregut, të cilat mund të shkaktojnë luhatje të pazakonta ose të papritura të çmimeve, si dhe në rrethana të tjera brokeri mund të mos jetë në gjendje të mbyllë pozicionin e klientit me çmimin e specifikuar prej tij dhe kontrolli mbi rreziqet të vendosura mund të mos funksionojnë.


Kur klienti tregton online (përmes internetit), përgjithësisht skemat në fjalë nuk marrin përgjegjësi për asnjë kërkesë, humbje, dëmtim, kosto ose shpenzim të shkaktuara direkt ose indirekt nga ndonjë mosfunksionim, ndërprerje ose dështim i ndonjë sistemi transmetimi, komunikimi, mjet kompjuterik ose software tregtimi, që u përkasin brokerave, klientëve, bursës apo ndonjë sistem tregtimi ose kompensimi.


Gabimet kushtojnë


Nëse ndodh ndonjë gabim kuotimi (duke përfshirë përgjigjen ndaj kërkesave të klientit), kompanitë ndërmjetëse nuk marrin përgjegjësinë për gabimet në balancat e llogarive dhe zotëron të drejtën të ndërmarrë korrigjimet apo rregullimet e nevojshme për llogaritë përkatëse. Çdo mosmarrëveshje që rrjedh nga gabimet në kuotim do të zgjidhet në bazë të vlerës së drejtë të tregut, të përcaktuara nga kompanitë në gjykimin e saj të plotë dhe veprimit në mirëbesim në tregun në fjalë dhe në kohën e kryerjes së gabimit. Në rastin kur tregu mbizotërues ofron çmime të ndryshme nga ato të postuara nga ndërmjetësi, ky i fundit do të tentojë bazuar në përpjekjet më të mira, të ekzekutojë transaksionin në çmimin e tregut ose vlerë të afërt. Këto çmime tregu mbizotëruese do të jenë çmimet që do të reflektohen përfundimisht në gjendjen e llogarisë së klientëve. Kjo mund të ndikojë ose jo negativisht në fitimet dhe humbjet e realizuara apo të parealizuara të Klientit./Monitor

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat