Punësimi në sektorin publik, nëpërmjet votave

Ekonomi

Punësimi në sektorin publik, nëpërmjet votave

Më: 10 tetor 2015 Në ora: 08:57

Sektori publik në Kosovë vazhdon të mbetet sektori më i preferuar për qytetarët që kërkojnë punë. Kjo sipas përfaqësuesve të organizatave joqeveritare, ndodh për shkak të pagave më të mëdha, pushimeve dhe kompensimeve tjera që gëzojnë të punësuarit në sektorin publik.

Por, sipas tyre, në këtë sektor, faktor i rëndësishëm për punësim janë anëtarësia partiake, lidhjet familjare, ryshfeti dhe jo diploma universitare që paraqitet si parakusht për punë në konkurset publike.

Në një hulumtim të publikuar vitin e kaluar nga organizata për Demokraci dhe Antikorrupsion “Çohu”, thuhet se patronazhi politik ka depërtuar në të gjitha institucionet dhe ka prekur të gjitha pozitat e larta.

Sipas këtij hulumtimi, 250 zyrtarë të lartë publikë me prapavijë të qartë partiake, kanë qenë ose janë të punësuar vetëm në pozita të larta vendimmarrëse në institucionet publike.

Në këtë aspekt, prin Partia Demokratike e Kosovës e pasuar nga Lidhja Demokratike, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe partitë tjera.

Lorik Bajrami, nga organizata "Çohu", në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se mundësia e vetme e punësimit në institucionet publike janë “dyert” e partive politike.

“Nëse një individ i caktuar që konkurron për një pozitë publike, nëse nuk kalon përmes dyerve të partive politike, ai pothuajse e ka të pamundur punësimin në atë pozitë, pa marrë parasysh kualifikimet profesionale apo akademikë që mund t’i ketë”.

“Do të thotë, kriteri kryesor është që të jesh anëtar i partive të caktuara politike, ose simpatizant dhe militant i saj ose në një mënyrë ose tjetër të jesh në lidhje më një parti të caktuar politike”, thotë Bajrami për Radion Evropa e Lirë.

Edhe Fidan Kalaja, nga Lëvizja “Fol” thotë se që nga krijimi institucioneve të Kosovës, çështja e punësimit ka qenë e dyshimtë, pasi sipas tij, gjithmonë kriter për punësim ka qenë anëtarësia partiake.

“Kriter për ta ka qenë që të përmbushin kriteret partiake, të jenë militant të partive politike, që t’u ndihmojnë partive politike që të marrin ‘vjedhin’ vota”.

“Pra, t’u ndihmojnë partive politike që të mbesin në pushtet. Për këtë kemi administratën dhe shërbimin civil më jo-efektive në nivel të rajonit dhe Evropës”, thekson Kalaja për Radion Evropa e Lirë.

Edhe disa të rinj, që janë në kërkim të punës, thonë se më dëshirë do punonin në sektorin publik.

Ajtene Gashi, ka tre vjet që ka përfunduar Fakultetin Juridik në Prishtinë. Ajo tregon se ka aplikuar në shumë konkurse, por nuk ka pasur fatin të punësohet.

Sipas saj, në institucionet publike pranohen vetëm personat që kanë lidhje partiake apo politike.

“Unë kam konkurruar në shumë konkurse , por konkurset janë vetëm formalisht. Aty personat ndoshta edhe punojnë, kur shpallet konkursi. Të gjithë të punësuarit pranohen më nepotizëm dhe në bazë të partive politike”, shprehet Ajtene Gashi.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, (ASK) në vitin e kaluar thuhet se më shumë se 81 mijë është numri i të punësuarve në sektorin publik.

Numri më i madh i të punësuarve në sektorin publik, sipas ASK-së, janë punonjës në sistemin e arsimit,përcjellë nga rendi e siguria publike, shëndetësia dhe shërbime të përgjithshme.

Punësimi pa kriter në sektorin publik, ka rezultuar me një administratë jo kualitative dhe jo profesionale, thotë Lorik Bajrami, nga organizata “Çohu”.

“Kemi parë, se në aspektin ekonomik, politik dhe social, shëndetësor, arsimor në të gjithë këta sektorë duke qenë në pozitat kyçe dhe në pozitat tjera, punojnë njerëz më prejardhje partiake, atëherë kemi gjendjen në të cilën jemi. Do të thotë me nivel të ulët të zhvillimit”, potencon Bajrami.

Në Kosovë, paga mesatare për punonjësit në sektorin publik është 300 deri në 400 euro, kurse për punonjësit në sektorin privat sillet nga 250 deri në 300 euro në muaj./Rel

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat