INSTAT: Rritet me 2.5 për qind ekonomia, bie konsumi

Ekonomi

INSTAT: Rritet me 2.5 për qind ekonomia, bie konsumi

Më: 6 tetor 2015 Në ora: 09:28

Rritja ekonomike ka qëndruar brenda pritshmërive për PBB gjatë vitit 2015. Konsumi ndërkohë ka një rënie me 3.16 për qind për herë të dytë radhazi

Ekonomia shqiptare është rritur me 2,53 për qind në tremujorin e dytë, por konsumi ka rënë me mbi 3 për qind, duke venë në pikëpyetje përmirësimin e ekonomisë. Rritja ekonomike ka qëndruar brenda pritshmërive për Prodhimin e Brendshëm Bruto gjatë vitit 2015. “Kontributin kryesor në këtë rritje e kanë dhënë degët e ekonomisë, si Ndërtimi me 1,96 pikë përqindje, Industria, Energjia dhe Uji me 0,72 pikë përqindje, Administrata publike, Arsimi dhe Shëndetësia me 0,46 pikë përqindje, Tregti, Hotele, Restorante dhe Transporti me 0,15 pikë përqindje, Aktivitetet financiare dhe të Sigurimit me 0,08 pikë përqindje, Pasuritë e paluajtshme me 0,03 pikë përqindje, Informacioni dhe Komunikacioni me 0,01 pikë përqindje”, – shpjegon Gjergji Mano, drejtor në INSTAT.

Sipas Institutit të Statistikave, degë të tjera të ekonomisë kanë dhënë një kontribut negativ, ku bien në sy Bujqësia, Pyjet dhe Peshkimi me -0,16 pikë përqindje. Ky i fundit shënoi një rënie prej 0.76 për qind, ndonëse në tremujorin e parë të vitit, pavarësisht përmbytjeve, pati një rritje të aktivitetit të tij. Sipas të dhënave, sektori më rritjen më të madhe ka qenë Ndërtimi me 24,49 për qind, i pasuar nga Grupi i Industrisë, Energjisë dhe Ujit me 6,28 %, ndërkohë që sektorët e tjerë kanë pasur një rritje modeste.

Por edhe pse pozitive, rritja ekonomike duket e pamjaftueshme për të ndikuar jetesën e qytetarëve. Sipas INSTAT-it, familjet tkurrën konsumin për të dytin tremujor me radhë, dhe këtë herë me ritme më të forta. “Konsumi final i popullatës, i cili përbën peshën kryesore të shpenzimeve në ekonomi në tremujorin e dytë 2015 u ul me 3,16 % krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2014”, – thotë Mano. Kjo do të thotë se nga krahu i shpenzimeve rritja ekonomike po vjen tërësisht nga investimet, të cilat pas disa vitesh me radhë në rënie janë duke u rigjallëruar.

“ Komponenti i Formimit bruto të kapitalit fiks u rrit me 19,02 %, krahasuar tremujorin e dytë të vitit 2014. Eksportet e mallrave dhe shërbimeve u ulën me 2,47 %, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2014, ndërsa Importet e mallrave dhe shërbimeve u ulën me 13,90 %, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2014”, – bën të ditur Mano. Si gjashtëmujor, rritja ekonomike për këtë vit rezulton 2.63 për qind. Qeveria dhe FMN-ja presin një rritje prej 2.7 për qind.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat