​Çollaku: Mbi 7 milion euro për ndërtimin e Fabrikës për asgjësimin e nënprodukteve të kafshëve

Ekonomi

​Çollaku: Mbi 7 milion euro për ndërtimin e Fabrikës për asgjësimin e nënprodukteve të kafshëve

Më: 30 gusht 2015 Në ora: 12:12

Në tetor të këtij viti pritet të nisin punimet për ndërtimin e Fabrikës për përpunimin dhe asgjësimin e nënprodukteve të kafshëve, në përputhje me standardet evropiane që do t’i jap fund problematikës së trajtimit të këtyre lloj mbeturinave.

Një impiant i tillë, që do të jetë i pari i këtij lloji në Ballkanin Perëndimor që do të financohet nga fondet e BE-së, ka për qëllim mbrojtjen e shëndetit publik dhe të mjedisit si dhe vendosjen e një sistemi efektiv e të sigurt për trajtimin e nën-produkteve të kafshëve.

Kështu ka vlerësuar ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku duke bërë të ditur se ky projekt do të bashkëfinancohet nga fondet IPA si dhe Qeveria e Kosovës.

“Ky projekt që është i një rëndësie të veçantë për shëndetin publik ka një kosto financiare prej 7.7 milionë euro prej të cilave 5.7 milion do të jepen nga KE përmes fondeve IPA, kurse 2 milion nga Qeveria e Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.

Ndërkaq Valdet Gjinovci, kryeshef ekzekutiv i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë e cila ka përfituar projektin për ndërtimin e kësaj fabrike, ka thënë se nëpërmjet këtij investi mi do të trajtohen në mënyrë profesionale nën-produktet shtazore të cilat sipas tij, janë duke paraqitur potencial të lartë për përhapje të sëmundjeve tek njerëzit dhe kafshët si dhe një ndotje permanente të ambientit.

“Ndërtimi i objektit të Fabrikës planifikohet të filloi gjatë muajit tetor 2015, ndërtimi parashihet të përfundoi gjatë muajit prill të vitit, 2016 ndërsa aktivizimi i saj nëse çdo gjë shkon sipas programit, planifikohet të filloi gjatë muajit shtator të vitit 2016”, ka njoftuar ai.

Po ashtu përmes këtij projekti ka njoftuar se do të gjenerohen dhjetëra vende të reja pune.

Sipas Gjinovcit, qëllimi primar i projektit është që të ofroj mënyrë të sigurt të trajtimit të mbetjeve organike dhe kafshëve të ngordhura në mënyrë që ato mos të paraqesin burim të infeksioneve dhe epidemive për shkak të hedhjes së tyre në ambient të hapur.

“Përmes kësaj ndikohet në parandalimin e kontaminimit të ujërave nëntokësore, ambientit rreth nesh, ndotjen e natyrës, ajrit si dhe ndikon në uljen e humbjeve ekonomike që krijohen për arsye të pamundësisë së shfrytëzimit të lëndëve organike të gjeneruar. Gjithsesi që ky projekt, jo drejtpërsëdrejti do të ndikonte edhe në çështjet lidhur me qenët endacak, duke ndërprerë një nga hallkat e shumëzimit të tyre, frekuentimin dhe habitatin e tyre”, ka plotësuar ai.

Implementimi i këtij projekti kapital ka thënë se do të ndikoj pozitivisht në radhë të parë në shëndetin publik të qytetarëve si dhe në avancimin e vendit drejt arritjes së standardeve mjedisore të aplikuara në vendet e BE-së.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat