E Hëna e Zezë, Kina trondit bursat botërore

Ekonomi

E Hëna e Zezë, Kina trondit bursat botërore

Më: 25 gusht 2015 Në ora: 08:24

Tregjet në gjithë botën u përfshinë nga paniku ditën e Hënë, teksa lajmet negative që vijnë nga Kina kanë rritur pasigurinë për ekonominë botërore. Në bursën e Shangait aksionet shënuan rënien më të madhe nga viti 2007, duke humbur brenda ditës 8.5 për qind të vlerës.

Sapo bursa u mbyll, gazeta zyrtare e Partisë Komuniste nxitoi ta pagëzonte ditën si “E Hëna e Zezë”. Por nervozizmi i tregjeve kineze u përhap me shpejtësi në gjithë botën. Në Japoni, indeksi i Nikkeit ra me 4.6 për qind, ndërsa në Evropë dhe SHBA, bursat ranë me 4 deri në 5 për qind. Paniku nuk është ndalur vetëm në tregjet e aksioneve dhe letrave të tjera me vlerë, por ka përfshirë edhe tregjet valutore dhe ato të lëndëve të para.

Monedhat e ekonomive në zhvillim, nga Afrika e Jugut në Malajzi u zhvlerësuan me shpejtësi, ndërsa çmimi i naftës ra edhe me 4 për qind të tjera duke zbritur në 43 dollarë për fuçi. Ky është niveli më i ulët që nga marsi i vitit 2009.

Ngadalësim global

Kina është ekonomia e dytë më e madhe e botës, pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Frika se ekonomia e saj po ngadalëson ritmet në mënyrë dramatike ka rritur shqetësimin tek investitorët kudo në botë duke i nxitur ata të mbyllin pozicionet dhe te shesin me shpejtësi aksionet apo letrat e tjera me vlerë që zotërojnë. Lëvizja e papritur e Kinës, dy javë më parë për të zhvlerësuar monedhën e saj Juan, lëshoi në treg alarmin se gjendja e ekonomisë kineze mund të jetë më e keqe nga sa mendohej më parë. Që nga ajo kohë, të dhënat zhgënjyese nga ekonomia e Shteteve të Bashkuara dhe ajo e Eurozonës kanë ushqyer frikën se Kina po tërheq në krizë gjithë ekonominë e globit. Për t’i shtuar edhe më shumë shqetësimet, çmimi i bakrit, një mineral i cili shihet si barometri i prodhimit industrial, ra me 2.5 për qind brenda ditës. Të parat që pritet të goditen nga ngadalësimi i aktivitetit ekonomik në Kinë, janë vendet në zhvillim, si Brazili apo Rusia, të cilat bazojnë një pjesë të mirë të ekonomive të tyre në lëndët e para që eksportojnë drejt Kinës. Ekspertët thonë se nervozizmi në tregjet financiare është I lartë. Por a është ekonomia botërore, duke shkuar drejt një tjetër situatë të vështirë, kjo do të shihet gjatë muajve në vijim

Bie dollari

Nervozizmi i lartë në tregje ka ulur fort shanset që Rezerva Federale e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të rrisë normën bazë të interesit muajin e ardhshëm, ashtu sikundër pritej. Ekspertët thonë se me këtë situatë të vështirë, rritja e normës në SHBA është thuajse e pamundur. Kjo ka çuar në një zhvlerësim të ndjeshëm të dollarit amerikan, i cili ra me 1.7 për qind ndaj euros dhe 3 për qind ndaj Jenit japonez. Përballë monedhës evropiane, dollari amerikan ka shënuar vlerën më të ulët të 7 muajve të fundit.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat