Eksportet tkurren me 2%, shkak largimi i investitorëve italianë

Ekonomi

Eksportet tkurren me 2%, shkak largimi i investitorëve italianë

Më: 28 korrik 2015 Në ora: 17:22

Eksportet kanë pësuar një rënie me 2.3% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. INSTAT publikoi sot të dhënat për tregtinë e jashtme për periudhën janar-qershor të këtij viti.

Ndikimin kryesor në këtë rënie e ka dhënë grupi “minerale, lëndë djegëse, energji”, ndërkohë që tekstilet e këpucët kanë frenuar rënien. Tre grupet që po shënojnë rritje të lartë janë “makineri dhe pjesë këmbimi”, “ushqime, pije e duhan” dhe “produkte kimike dhe plastike”.

Për shkak të performancës së mirë të qershorit, ku eksportet u rritën 5.8% me bazë vjetore, ritmet e rënies për 6-mujorin janë ngadalësuar ndjeshëm (për periudhën janar-maj 2015, eksportet ranë me 4.1% me bazë vjetore).

Eksportet e mineraleve e lëndëve djegëse ranë me 21.7% për 6 mujorin në 36.9 miliardë lekë. Edhe energjia ka dhënë ndikimin e vet, për shkak të eksporteve më të ulëta, ndërkohë që prodhimi vendas ka qenë i lartë.

Eksportet e tekstileve e këpucëve kanë ndalur tendencën rënëse, duke u rritur lehtë me 1% me bazë vjetore për 6-mujorin, duke arritur në 43.7 miliardë lekë. Vitin e kaluar, kjo industri u zgjerua me rreth 25%, duke dhënë ndikimin kryesor në rritje në 2014-n. Sipas aktorëve të tregut, industria, që ka si avantazh kryesor koston e lirë të fuqisë punëtore, po bëhet më pak konkurruese për shkak të rritjes së kostos së punës (energjia, shtimi i taksave etj), që po largojnë partnerët italianë.

Grupi i materialeve të ndërtimit dhe metaleve, vijon performancën pozitive, ndonëse ritmet e rritjes janë ngadalësuar. Eksportet e këtij grupi janë zgjeruar me 9.6%, në gati 20 miliardë lekë, kryesisht si rrjedhojë e performancës së mirë të gizës dhe çelikut.Pas një stanjacioni muajt e parë të vitit, për shkak të përmbytjeve, eksportet e “ushqimeve, pijeve e duhanit” pothuajse u dyfishuan në qershor. Për 6-mujorin, ky grup u rrit me 29% në 9.3 miliardë lekë.

Një tjetër grup që ka pasur ecuri të mirë këtë vit (ndonëse duke u nisur nga një bazë e vogël) është ai i makinerive, pajisjeve dhe pjesëve të këmbimit, që është rritur me 55% në 6.4 miliardë lekë, si rrjedhojë e gjallërimit të kompanive të fasonit industrial (pjesëve elektrike), duke shënuar rritjen më të lartë në vlerë absolute nga të gjitha grupet.

Sipas grup-mallrave, tekstilet dhe këpucët janë grupi më i eksportuar me 35%, minerale lëndë djegëse dhe energji me 29%, material ndërtimi dhe metale me 16%, ushqimet 7% dhe grupet e tjera luhaten nën 7%.

Tregtia e Jashtme Qershor 2015

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat