Analizë/ Shqiptarët preferojnë blerjet në dyqanet e vogla

Ekonomi

Analizë/ Shqiptarët preferojnë blerjet në dyqanet e vogla

Më: 29 qershor 2015 Në ora: 12:12

Shitjet me pakicë u rritën në tremujorin e parë me 4,7 pikë përqindje, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2014, duke dëshmuar rritjen e blerjeve kryesisht për artikujt ushqimorë, librat, veshjet, kozmetika, etj, ndërsa u ul kërkesa për karburantet.

Blerjet më të mëdha vijojnë të bëhen më së shumti nga konsumatorët tek njësitë e vogla tregtare, krahasuar me marketet e mëdha, si “Carrefour”, “Rossman”, “Big market”, “Conad”, “Eco Market”. Rënia e blerjeve në marketet e mëdha në tre muajt e parë 2015 llogaritet me -0.7%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar për grupin “Ushqime pije e duhan në njësi tregtare të specializuara”.

Sipas INSTAT-it, në tremujorin e parë 2015 ndikuan në këtë rritje nëngrupet si “artikuj të përzier kryesisht ushqime, pije, duhan në njësi tregtare jo të specializuara” me +3,9 pikë përqindje, “Produkte farmaceutike, mjeksore dhe ortopedike, kozmetike, parfume dhe të tjera të higjenës personale” me +1,9 pikë përqindje, “Veshje, këpucë dhe artikuj prej lëkure” me +0,9 pikë përqindje, “artikuj të tjerë industrial në njësi tregtare të specializuara të paklasifikuara” me +0,3 pikë përqindje. Po ashtu, “Artikuj të përzier kryesisht jo ushqimore në njësi tregtare jo të specializuara” me +0,3 pikë përqindjeje dhe “Libra, gazeta, artikuj shkollor, produkte të argëtimit, pajisje sportive, lodrat, lojrat dhe të tjera produkte industriale në njësi tregtare të specializuara” me +0,2 pikë përqindje.

Blerjet u ulën në tre muajt e parë të vitit për mallrat në nëngrupin “pajisje të ndryshme elektro-shtëpiake, mobiljet dhe pajisje të tjera shtëpiake”, që ndikuan me -0,9 pikë përqindje. Gjithashtu me ulje rezultuan dhe blerjet për karburant me -0,8 pikë përqindje dhe “Pajisje kompjuterike, informatike dhe të komunikacionit” me -0,3 pikë përqindje.

Tregu i shitjeve me pakicë sipas vlerësimit nga Anketa Strukturore e Ndërmarrjeve prej INSTAT-it, arrin në rreth 850 milionë euro, pa llogaritur informalitetin, sepse ende një numër mjaft i madh i dyqaneve të vogla nuk lëshojnë kuponë tatimorë, pra nuk deklarojnë xhirot reale.

Duket se prania e marketeve të mëdha ende nuk ka krijuar besimin e plotë konsumator për cilësinë e mallrave, por dhe sepse duke u drejtuar tek njësitë e vogla, dyqanet, nuk paguajnë TVSH-në. Ekspertët mendojnë se ky trend lidhet dhe me mosqëndrushmërinë e vërejtur vitet e fundit në rrjetin e supermarketeve “Carrefour”, që në këtë fillimvit për shkak të borxheve të pashlyera në total rreth 7 milionë euro, nuk u furnizua më nga furnitorët.

Në tremujorin e dytë kjo situatë ka ndryshuar pasi Grupi “Balfin” ka marrë ekskluzivitetin e “Carrefour Albania”, duke rikthyer normalitetin në këtë treg.

Sipas llogaritjeve, pjesa e shitjes me pakicë në rrjetet e organizuara është e ulët në rreth 7-10% të totalit të tregut, pasi përvec konkurrencës mes rrjeteve të supermarketeve të huaja “Connad”, “Carrefour” dhe vendaset “Big Market” dhe “Eco Market”, ndikon negativisht informaliteti i dyqaneve të vogla.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat