Kreditë e këqija, plan-veprimi për fshirjen e tyre

Ekonomi

Kreditë e këqija, plan-veprimi për fshirjen e tyre

Më: 29 qershor 2015 Në ora: 09:17

Ulja e nivelit të kredive me probleme ishte objekti kryesor i diskutimeve në forumin e tretë financiar, që mblodhi në një tryezë diskutimi përfaqësues të qeverisë, Bankës së Shqipërisë dhe bankave tregtare. Palët diskutuan rreth mekanizmave për të ulur nivelin e kredive me probleme dhe që do të adresohen së shpejti në një plan veprimi gjithëpërfshirës, me një qasje strategjike të koordinuar nga të gjithë grupet e interesit.

Ndër çështjet që duhen adresuar janë nevoja për mbështetjen e skemave të ristrukturimit vullnetar të borxhit, të cilat do të mundësonin zgjidhje të tij jashtë gjykatave rritja e transparencës së pasqyrave financiare të huamarrësve përdorimi i instrumenteve tatimore dhe mbikëqyrëse për nxitjen e ristrukturimit dhe zgjidhjes së borxhit etj. Për të adresuar çështjet ligjore që pengonin zgjidhjen e shpejtë të kredive me probleme, pjesëmarrësit ranë dakord që projekti i Ministrisë së Drejtësisë për të bërë ndryshime në ligjin për falimentimin është një mundësi e mirë për të hequr disa prej këtyre pengesave.

Diskutimet treguan se, në një pjesë të madhe, kreditë me probleme pasqyrojnë dhe kontribuojnë në brishtësinë e institucioneve dhe të ekonomisë shqiptare. Përvoja e deritanishme duhet të shërbejë për ndërtimin e një sistemi që do ta trajtojë me eficencë problemin e kredive me probleme. Në këtë proces, bankat kanë një rol kyç dhe duhet të përmirësojnë proceset e tyre të brendshme për dhënien, monitorimin dhe analizimin e kredive, si dhe për mbështetjen e trajtimit me eficencë të kredive me probleme. Asistenca e institucioneve financiare ndërkombëtare është e mirëpritur dhe e domosdoshme.

Fokusi i asistencës do të jetë në përmirësimin e kapaciteteve zbatuese të institucioneve në Shqipëri, të cilat merren me praktikalitetet e zgjidhjes së kredive me probleme. Në përfundim të forumit, Guvernatori Sejko theksoi se ndonëse sektori bankar është i mirëkapitalizuar dhe mjaft likuid, zgjidhja e kredive me probleme është faktor thelbësor për përmirësimin e qëndrueshmërisë dhe rritjen e kreditimit, me ndikim të drejtpërdrejtë në mbështetjen e zhvillimit ekonomik të vendit./Shekulli

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat