Interesat e bonove, tjetër minimum. BSH: Do të vazhdojnë të bien

Ekonomi

Interesat e bonove, tjetër minimum. BSH: Do të vazhdojnë të bien

Më: 30 maj 2015 Në ora: 22:22

Interesat e bonove të thesarit cekën një tjetër minimum historik teksa bankat, institucionet e tjera financiare dhe individët duken të gatshëm t’i japin borxh qeverisë edhe kundrejt përfitimeve minimale.

Në ankandin e fundit të zhvilluar nga Banka e Shqipërisë, interesi i bonove me afat maturimi një vjeçar zbriti në 3.39 për qind, ndërsa ai i bonove 3-mujore ra për herë të parë në 2.9 për qind, një minimum historik i pashënuar më parë.

Ekspertët e Bankës së Shqipërisë thonë se vala e re e rënies së interesave shkaktohet nga dy faktorë. Sipas tyre, së pari tregu është duke përcjellë lehtësimin e politikës monetare, ndërsa shkaku i dytë është tërheqja e qeverisë nga borxhi i brendshëm dhe financimi i deficitit me kredi nga jashtë.

Në raportin e fundit të politikës monetare, Banka e Shqipërisë parashikon se interesat e letrave me vlerë do të vazhdojnë të bien edhe gjatë muajve në vijim.

Sipas saj, kërkesa e paktë e qeverisë për borxh të brendshëm dhe likuiditeti me tepricë i bankave, do të bëjnë presion që interesat të bien në minimume të reja, një situatë që godet atë që kursejnë.

Sipas Bankës së Shqipërisë, në tremujorin e parë të këtij viti, qytetarët që kanë kursime në bankë, fituan nga interesat 5.1 miliardë lekë më pak se sa në tremujorin e parë të vitit 2013.

Ulja dramatike e interesave në të gjithë instrumentët financiarë është rezultat i politikës agresive të Bankës së Shqipërisë, e cila kërkon të dekurajojë kursimet dhe të inkurajojë më shumë konsum apo investime në ekonomi.

/ Top Channel

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat