Zonat ekonomike drejt zhvillimit

Ekonomi

Zonat ekonomike drejt zhvillimit

Më: 28 maj 2015 Në ora: 13:46

Kuvendi pritet të miratojë sot projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9789, datë 19.7.2007, “Për krijimin dhe funksionimin e zonave ekonomike”.
P/ligji mbështetet në situatën aktuale të zonave ekonomike të shpallura deri sot dhe në disa nga përparësitë dhe prurjet pozitive që ka për vendin krijimi dhe zhvillimi i tyre në kuadër të politikës ekonomike të qeverisë për zhvillimin e tyre. Me ndryshimet ligjore, pritet të bëhet i mundur në kohë më të shpejtë dhe kosto më të ulët për biznesin zbatimi i projekteve të rëndësishme për investime në të gjitha fushat ekonomike, përfshirë mundësinë dhe nxitjen e zhvillimit të zonave ekonomike bujqësore me orientim përpunimin e produkteve bujqësore deri në paketim, të turizmit, industrisë, etj.
P/ligji është hartuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes. Ndryshimet ligjore lidhen me kushtet favorizuese në krijimin e zonave ekonomike si pozicioni gjeografik i favorshëm në lidhje me tregjet ndërkombëtare, kosto e ulët e fuqisë punëtore krahasuar me vendet fqinje, infrastruktura e përshtatshme për t’u lidhur me vendet e Evropës Lindore e më gjerë.
Përparësitë e zonave ekonomike në Shqipëri janë tërheqja e investimeve të huaja dhe teknologjisë së avancuar, nxitja e zhvillimit ekonomik, krijimi i vendeve të reja të punës, eliminimi i burokracisë për investitorët, rritja e sigurisë së biznesit, lëvizja e shpejtë e mallrave dhe kapitalit, nxitja e zhvillimeve rajonale, lidhjeve ekonomike të vendit me tregun ndërkombëtar.
Me ligjin ekzistues krijimi dhe zhvillimi i zonave ekonomike kushtëzonte zhvillimin e zonave të lira në kuadrin e procedurave të parashikuara sipas ligjit për koncesionet, ndërsa ndryshimet e reja japin modele të reja të zhvillimit ekonomik, procedura të qarta të shpejta për çdo rast nga sektori privat ose publik. P/ligji zëvendëson fjalët “zonë ekonomike” në “Zonë e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik” ku do të jetë Këshilli i Ministrave që do të caktojë kufijtë e zonës, pikave të hyrjes dhe daljes, përcaktimit të kritereve dhe procedura në zonat e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik .
Këshilli i Ministrave do të miratojë dhënien në përdorim të truallit dhe pasuri të tjera të paluajtshme për një periudhë kohore deri në 99 vjet, por parashikohen një sërë lehtësish fiskale si dhe një dritare unike me gjithë licencat, etj.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat