Shkëmbime tregtare me Kosovën, promovim i produkteve dhe turizmit

Ekonomi

Shkëmbime tregtare me Kosovën, promovim i produkteve dhe turizmit

Më: 25 maj 2015 Në ora: 12:38

Për promovimin e produkteve “Made in Albania” në tregjet shqiptare, ku vërehet prezencë e rëndësishme e tyre nga vendet e rajonit, brenda vitit do të organizohet një panair i përbashkët i tregtisë.

Gjithashtu pjesë e bashkëpunimit, do të jetë fusha e turizmit, duke kombinuar truizmin malor të Kosovës më atë bregdetar që ofron Shqipëria, për t’u dhënë një hov sektorit në Shqipëri dhe Kosovë.

Burime zyrtare nga ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes bëjnë të ditur se këto hapa pritet të ndikojnë në forcimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.

Ndërkohë, ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes pritet të ngreje një grup pune të përhershëm me stafet e përbashkëta me ministrinë e Ekonomisë së Kosovës, që do të punojë në mënyrë konstante për gjithë çështjet, me qëllim, nxitjen, lehtësimin e tregtisë dhe avancimin e projektit të përbashkët për eliminimin e barrierave tregtare jo-tarifore.

Rritja e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve përbën një prioritet për qeverinë, pasi zmadhimi i tregut rajonal krijon premisa pozitive për zhvillimin ekonomik të vendeve në rajon. Vihet re se në dy vitet e fundit janë shtuar shkëmbimet tregtare c’ka përbën një hap pozitiv pas mosmarrëveshjeve frenuese që u vunë re dy vjet më parë, kur u bllokua tregtimi i disa produkteve tona në tregun kosovar.

Unifikimi i praktikave doganore, njohja e çertifikatës së origjinës së produkteve, vulave të cilësisë, çmimeve të referencës në mbrojtje të konkurrencës në treg, njehsimi në fushën e akreditimit, standardizimit dhe metrologjisë, janë ndër detyrat dy-palëshe të caktuara në mbledhjen e përbashkët mes dy qeverive në 23 Mars në Tiranë, ku dy ministrat e Ekonomisë firmosën protokollin “Për Zbatimin e Marrëveshjes Kuadër ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për Bashkëpunimin në Nxitjen dhe Lehtësimin e Tregtisë”.

Kompanitë shqiptare dhe kosovare përballen me probleme, që konsiderohen si tipologjike, por që duhet të marrin zgjidhje dhe afati përfundimtar do të jetë data 15 korrik, si një zgjidhje e shpejtë në favor të mbrojtjes së interesave të kompanive shqiptare dhe kosovare, konkurrencës së lirë dhe të ndershme në treg, rritjes së volumit të shkëmbimeve dhe nxitjes së tregtisë, thonë burimet e MZHETTS-së.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat