Qeveria neglizhon përzgjedhjen e anëtarëve të bordit të AKP-së

Ekonomi

Qeveria neglizhon përzgjedhjen e anëtarëve të bordit të AKP-së

Më: 23 maj 2015 Në ora: 12:52

Qeveria e Kosovës edhe pas gjashtë muajve të funksionimit, ende nuk ka përzgjedhur anëtarët e bordit të Agjencionit Kosovar të Privatizimit (AKP). Përfaqësues nga opozita vlerësojnë se Qeveria ka neglizhuar punën për përfitime partiake. Në anën tjetër, përfaqësues nga Qeveria e pranojnë që kanë pasur vonesë por thonë se shumë shpejtë do të bëhet përzgjedhja.

Funksionimi i rregullt i AKP-së dhe ndarja e 20 %, për punëtoret e ndërmarrjeve që janë privatizuar, ka kohë që është bllokuar për shkak se bordi i AKP-së nuk është i kompletuar.

Ndërkohë, Arban Abrashi, ministër i Punës dhe zëdhënës i Qeverisë, thotë për KosovaPress se kjo vonesë ka ndodhur për shkak të agjendës së ngjeshur legjislative.

Abrashi: Është e vërtet që jemi vonuar

"Për agjencionet të cilat shkojnë në emrime ndërmjet qeverisë në kuvend, sikurse AKP-ja, jemi në proces, kemi reaguar shpjet për komisionin për Miniera dhe Minerale ... Tani jemi në përfundim të emrave dhe për Agjencionin e Privatizimit dhe besoj se do të kryhet në kohë rekord. Është e vërtet që mund të thuhet se ka pasur vonesa, por kemi pasur një agjendë shumë të ngjeshur legjislative, posaçërisht gjatë muajit maj, i kemi pasur disa mbledhje të Qeverisë ku i kemi kaluar një numër të madh të ligjeve në sferën e gjyqësorit", ka thënë Abrashhi.

Ai ka treguar se Qeveria është në proces të përzgjedhjes së anëtarëve të bordeve të ndërmarrjeve publike, ku sipas tij janë në procesim diku të rreth 1900 aplikacioneve.

Në anën tjetër, Pal Leka, anëtar i komisionit parlamentarë për zhvillim ekonomik, thotë për KosovaPress se Qeveria ka dështuar në këtë drejtim dhe këtë e ka bërë me qëllime të caktuar për përfitime politike. Madje ka vlerësuar se vendimet që janë marrë nga AKP-ja, janë jo ligjore.

Lekaj: Qeveria ka dështuar

"Sa i përket themelimit të bordeve dhe agjencioneve të pavarura, mendoj që Qeveria ka dështuar në këtë drejtim dhe po e bënë me qëllime të caktuara, për të neglizhuar punën dhe për përfitime partiake. Ajo që mund të them nëse nisemi nga Agjencioni i Kosovarë i Privatizimit. Ai bord nuk është i kompletuar dhe ka një ngecje të privatizimit dhe marrje të vendimeve, edhe disa vendime që janë marrë janë marrë në kundërshtim me atë se nuk ka ekzistuar korumi dhe kjo e tregon krejt pasqyrën e punës së Qeverisë së Kosovës dhe mos seriozitetin", ka thënë Lekaj.

Ai ka thënë se si opozitë kanë kërkuar urgjentisht themelimin e bordeve.

Lekaj: Mos emërimi i bordeve shkakton dëme në zhvillim ekonomik

"Ne edhe si opozitë kemi kërkuar disa herë për themelimin urgjent të bordeve sepse kjo po shkakton dëme edhe në zhvillim ekonomik, edhe në funksionalitetin e të gjitha ndërmarrjeve publike që ekzistojnë në Kosovës dhe agjencioneve të pavarura. Jam në dyshime dhe këtu mendoj që ligji e përcakton që duhet të raportohet çdo vit fiskal deri më tani nuk kemi pasur një raport të tillë në mos funksionimin ebordeve dhe në mos kompletimin e bordeve, dhe prandaj kjo nuk do koment dhe mendoj që qeveri ëshët e përgjumur", ka thënë Lekaj.

Në anën tjetër, Blerim Grainca, anëtar i komisionit parlamentar për Zhvillim Ekonomik, ka thënë për KosovaPress se si komision i kanë bërë Qeverisë presion që sa më parë t’i dërgojnë emrat në kuvend.

Grainca: Po bëjmë presion tek qeveria

"Për agjencionin dhe rreth agjencionit janë ngritur shumë fjalë, janë bërë shumë zhurma, neve si komision për ekonomi jemi duke e mbikëqyrur nga afër punën e agjencionit, jemi duke e shikuar raportin e tyre...Një problem në vete është çështja e bordit të agjencionit, ju e dini se ka vonesa të shumta pastaj kjo është pengesë e bordit ku e pengon operimin ditorë të agjencionit dhe marrja e vendimeve të ndryshme që lidhën në punët tjera. Por ne si komision i kemi rekomanduar qeverisë dhe shumë shpesh po i bëjmë presion pozitiv që të sjellë sa më shpejt propozimet që kuvendi të vendos ta formoj bordin dhe kësisoj agjencioni të filloj të punoj normalisht", ka thënë Grainca.

Ndryshe, Agjencia Kosovare e Privatizimit, ka një vit që ka mbetur pa bord dhe pa menaxhment, mosfunkionimi i bordit ka bllokuar shpërndarjen e 20 për qindëshit, si dhe shumë procese të tjera siç është likuidimi i ndërmarrjeve e tjera.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat