Kosova duhet të liberalizojë tregun energjetik

Ekonomi

Kosova duhet të liberalizojë tregun energjetik

Më: 22 maj 2015 Në ora: 13:29

Kosova duhet ta liberalizojë tregun e saj energjetik, pasi kjo do t’i mundësonte qytetarëve të zgjedhin ofertuesit, por gjithashtu do do të mundësonte çmime dhe furnizim më të mirë.

Kështu u tha në një konferencë për media të Institutit për Politika Zhvillimore në kuadër të Konsorciumit Kosovar të Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm, ku u publikua analiza “Mundësitë e Kosovës për një Treg të Energjisë: Rasti i Energjisë Elektrike”.
Po ashtu, u tha se në kuadër të zhvillimeve të fundit që po bëhen edhe në shtetet e rajonit edhe në Kosovë, është vërejtur çalimi i Kosovës në dy aspekte. Në aspektin legjislativ, për t’i përmbushur kriteret që kanë dal nga Traktati i Energjisë, dhe atë teknik, për të rregulluar sistemin energjetik në mënyrë që të pranojë energjinë që vjen nga prodhuesi në rajon dhe në Evropë.

Me këtë rast, Visar Azemi nga KOSID-i (Konsurciumi kosovar i shoqërisë civile për zhvillim të qëndrueshëm), tha se Kosova nuk po e hap tregun për konkurrencë, e cila do ofronte çmime më të arsyeshme për qytetarët.

Azemi: Kosova nuk po e liberalizon tregun energjetik

“Kosova nuk ishte gati që me 1 janar të 2015-ës të liberalizojë tregun e saj energjetik për t’iu mundësuar konsumatorëve dhe qytetarëve të Kosovës që të kenë mundësi të përzgjedhin ofertuesit e tyre të energjisë në mënyrë që të jetë një treg konkurrent, i hapur dhe mundësi për t’u kyçur në tregun energjetik të jenë më të mira. Kjo do t’i mundësonte Kosovës ndoshta edhe çmimet më të mira, më të rregulluara dhe një furnizim më të mirë për të gjithë qytetarët”, tha Azemi.

Ndërsa, Gent Ahmetaj nga INDEP (Instituti për Politika Zhvillimore), tha se reformimi i sektorit të energjisë elektrike në Kosovë është një detyrë e ndërlikuar por se qytetarët e Kosovës kanë nevojë për një konkurrencë të ashpër.

Ahmetaj: Kosova ka nevojë për konkurrencë

“Një ndër sendet pozitive në tregun e lirë është që nën efekt të energjisë elektrike duhet të krijojnë një platformë për konkurrencë të ashpër, t’u japë konsumatorëve mundësi për të zgjedhur nga kush do të blejnë dhe si do të blejnë energjinë elektrike. Dhe po ashtu që të jetë kjo energji elektrike me një çmim më të mirë të mundshëm. Po ashtu konkurrenca duhet të stimulojë akterët e tregut që të jenë më efikas”, tha Ahmetaj.

Sipas Ahmetajt, pozitive e tregut të lirë është edhe bashkëpunimi me komunitetin e energjisë, në mënyrë që Kosova të iu jep sinjalin investitorëve dhe donatorëve ndërkombëtar, që ajo po bën një sërë reformash të rëndësishme politike dhe ekonomike dhe të shihet si destinacion i përshtatshëm për investimet e huaja.

Me këtë rast, u kërkua nga ZRrE që të vendosë standarde minimale të operimit për operatorin e transmisionit dhe distribucionit në përpjekje për ta promovuar llogaridhënien nga ana e këtyre ndërmarrjeve dhe për t’i ulur humbjet teknike që shkaktohen nga mungesa e investimeve të strukturuara./KP

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat