Komisioni për Bujqësi del me rekomandime për grurin

Ekonomi

Komisioni për Bujqësi del me rekomandime për grurin

Më: 19 maj 2015 Në ora: 16:52

Komisioni për Bujqësi dukej se kishte rezervuar mbledhjen e sotme vetëm për deputetin e pavarur Shaip Muja i cili në tërë mbledhjen ishte ndër më të zëshmit në diskutimin lidhur me rekomandimet e dala për cilësinë e importit të grurit.

Muja që në mbledhje të takimit prezantoi rekomandimet e tij që ishin të ndryshme nga ato të Komisionit të Bujqësisë, për të cilat ai tha se janë më përmbajtjësore, mirëpo rekomandime këto që nuk gjetën përkrahjen e kolegëve të Mujës.

Përkundër kësaj Muja madje në mbledhjen e Komisionit kërkoi që të rekomandohet edhe krijimi i një baze të të dhënave në të cilën do të prezantoheshin të dhënat e sakta për cilësinë dhe sasinë jo vetëm të grurit, por edhe të qumështit dhe produkteve të tjera bazike, nga e cila më pastaj askush nuk do të kishte mundësi të bënte manipulime.

“Kur kam thënë databazën me ba, na nuk kemi nevojë me ju shku me ju kërku dokumentacioni. Kur bëhet databaza, në çdo ushqim jo vetëm gruri jo vetëm mielli, në çdo ushqim që futet me të dhëna kompjuterike me çelësa të sigurisë, ai më nuk mundet me kaluar si sasi dhe si cilësi e përshkruar prej inspektorëve hidrosanitar”, tha Muja.

Muja pati vërejtje edhe për atë se për analizat e dala pas skandalit të javëve më parë për cilësinë e grurit dhe për atë se a konsumojnë qytetarët grurë apo krunde, duke thënë se për to kishte mësuar vetëm përmes medieve dhe se qeveria kishte tentuar që të mos bëj publike rezultatet.

“Ne jemi mundu me ardhur deri te analiza. Thonë që i kanë qu analizat e miellit në mënyrë ad-hoc me radovizim që quhet , mirëpo se a i kanë nxjerr ato analiza unë e kam marrë vesh nga gazetarët që analizat kanë dal mirë. Unë e kam marrë vesh që qeveria e ka stopu informimin publik të analizës, mos me dhanë analizën që është mirë analiza. Dhe mu më jep përshtypje si deputet për çka unë mos me thirr në përgjegjësi qeverinë e Republikës së Kosovës me rekomandime se është bashkëfajtore qoftë te mos menaxhimi të opinionit publike me skandalin nëse ka ekzistuar ose pa skandalin nëse kanë keq interpretuar mediat”, theksoi Muja.

Ndërsa deputeti nga radhët e AAK-së anëtar i këtij komisioni Lahi Brahimaj ka thënë se pa një dokument që sqaron se mielli a është i shitur për kafshë apo për shtazë nuk ke se si të arsyetosh atë që ka ndodhur.

“Pjesa e fundit gjithashtu e konstatimeve ku thuhet se 11 mijë e 600 tonë grurë të kompanisë M-Sillosit për ushqim të kafshëve, ndërsa kompania është shit për aty . Ne nuk mundemi me ditë saktë, derisa ti nuk e din se është shitur për kafshë qysh e din se është shitur për njerëz, ose e kundërta. Ti duhesh me pas një dokument. Ne kemi shkuar në Komoran ai ka thënë se e kemi ble për ushqim për kafshë, kemi shkuar në Pejë kanë thënë se kanë ble e kem shit ushqim për kafshë”, theksoi Brahimaj.

Ndërkohë pas këtyre diskutimeve deputetët votuan 6 rekomandimet e dala nga ky Komision, të cilat më pastaj do t’iu dërgohen Kuvendit për aprovim. Disa nga rekomandimet ftojnë Qeverinë të ndërmarrë veprimet e duhura në ngritjen e përgjegjësisë së stafit udhëheqës të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës së Kosovës në zbatimin e ligjit, në mënyrë që popullata e Kosovës të jetë e mbrojtur nga produktet ushqimore të dyshimta.

Ndryshe siç u raportua në këtë komision nga kryetari i saj Fikrim Damka , u tha se Ministria e Bujqësisë u ka borxh bujqve e fermerëve të Kosovës rreth 18 milionë euro nga subvencionet e premtuara.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat