ASK: Afër 3 mijë biznese u regjistruan për 3 muaj

Ekonomi

ASK: Afër 3 mijë biznese u regjistruan për 3 muaj

Më: 6 maj 2015 Në ora: 17:32

Rritet numri i ndërmarrjeve të reja të regjistruara në Kosovë. Për tre muajt e parë janë regjistruar 2 mijë e 582 biznese të reja që krahasuar me tre mujorin e fundit të vitit paraprak janë 407 ndërmarrje më shumë.

Këto të dhëna janë publikuara në “Repertorin Statistikor mbi Ndërmarrjet në Kosovë, tre mujori i parë 2015”, mbi bizneset e reja të regjistruara në Agjencionin për Regjistrim të Bizneseve në Kosovë (ARBK).

“Gjatë tremujorit të parë të vitit 2015 (TM1 2015) janë regjistruar gjithsej 2 582 ndërmarrje, ndërsa në tremujorin paraprak , TM4 2014 kanë qenë 2 175 sosh, që vërehet rritje krahasuar me tremujorin paraprak për 407 ndërmarrje, e që shprehur në përqindje kemi për 18.7% më shumë ndërmarrje të reja në këtë tremujor”, thuhet në statistikat e publikuara të ASK-së.

Sipas vlerësimeve të AK-së, krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar, ka pasur një rënie prej 11.3% e bizneseve të reja.

“Aktivitetet ekonomike më të preferuara gjatë këtij tremujori ishin: tregtia me 784 ndërmarrje të reja me 30.4%, prodhim me 276 me 10.7%, bujqësia, pylltaria dhe peshkatari me 255 me 9.9% akomodim dhe aktivitete të shërbimeve me ushqim me 253 me 9.8%, ndërtimtaria me 237 9.2%,aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike me 144 me 5.6% transporti dhe ruajtja me 143 5.5%, aktivitete të shërbimeve të tjera me 133 me 5.2% ndërsa, aktivitetet e tjera marrin pjesë në shkallë më të vogël”, thuhet në këtë raport.

Sipas ASK-së, kategoria e numrit të të punësuarve nga 1-4 të punësuar përbën rreth 2 507 ndërmarrje, ose 97.1% e ndërmarrjeve të reja, kategoria me 5-9 punëtorë me 49 ndërmarrje ose 1.9%, me 10-19 me 15 ndërmarrje 0.6%, 20-49 punëtorë me 9 ndërmarrje 0.3%, te kategoria me 50-249 janë vetëm 2 ndërmarrje, ndërsa, në kategorinë tjetër 250+ nuk është asnjë ndërmarrje e regjistruar në këtë tremujor.

Sa i përket shtrirjes gjeografike të ndërmarrjeve të reja në nivel të komunave, ashtu si në çdo tremujor, mbizotëron Prishtina me 608 ndërmarrje të reja e që shprehur në përqindje ka 23.5%, Prizreni me 193 ndërmarrje apo 7.5%, Ferizaj me 190 ndërmarrje me 7.4%, Peja me 158 ndërmarrje apo 6.1%, Mitrovica me 116 ndërmarrje , Gjilani me 112 ndërmarrje dhe Gjakova me 110 ndërmarrje apo 4.3%. Ndërsa, komunat e tjera kanë numër më të vogël të ndërmarrjeve të regjistruara gjatë këtij tremujori.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat