Kredia me probleme në mars arriti në 22.6%

Ekonomi

Kredia me probleme në mars arriti në 22.6%

Më: 6 maj 2015 Në ora: 09:42

Kredia me probleme në muajin mars ka shënuar një rritje në raport me shkurtin, duke arritur në 22.69%, nga 22.5% që kishte zbritur në muajin shkurt.

Të dhënat bëhen të ditura nga statistikat tremujore të Bankës së Shqipërisë. Ndonëse në raport me tremujorin e fundit të 2014-s, tendenca është zbritëse e lehtë (0.07 pikë përqindjeje më pak), marsi duket se vërtetoi se rënia e huave të pakthyera në afat nuk ishte e qëndrueshme, por më shumë një “manovër” e bankave për të dalë me fitime të larta në tremujorin e fundit.

Në tremujorin e fundit të 2014-s, NPL-të zbritën me 2.1 pikë përqindjeje në 22.8%. Niveli më i lartë rekord i huave të pakthyera në afat, që prej fillimit të viteve 2000, para se sistemi të pastrohej nga kreditë problematike të bankave shtetërore, u arrit në tremujorin e tretë 2014, prej 24.9%.

Në tremujorin e fundit 2014, rënien më të madhe e shënuan huatë nënstandarde (kategoria e parë e klasifikimit si problematike, deri në 180 ditë vonesë), me 1.6 pikë përqindjeje.

Huatë e humbura (ato që banka nuk ka shpresë t’i rikuperojë më) përbënin 11.73% të totalit të huave në fund të tremujorit të parë. Në vlerë absolute, kredia e humbur ishte rreth 470 milionë euro.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat