“Art – Aluminium”, 100 punësime në fabrikën e re në Fushë Kosovë

Ekonomi

“Art – Aluminium”, 100 punësime në fabrikën e re në Fushë Kosovë

Më: 17 prill 2015 Në ora: 16:59

Është hapur fabrika për prodhimin e profileve të aluminit “Art –Aluminium” në Fushë Kosovë, e cila do të punojë për tregun e vendit dhe të jashtëm dhe ku do të punësohen rreth 100 punonjës.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës , Kadri Veseli, me rastin e hapjes së fabrikës , deklaroi se Parlamenti i Kosovës do të punojë në përmirësimin në fushën e legjislacionit për prodhuesit vendorë edhe për biznese vendore.

“Kuvendi i Republikës së Kosovës, do të vazhdojë në mënyrë të veçantë edhe në mënyrë insistuese, veçanërisht përmirësimin në fushën e legjislacionit për prodhuesit vendorë dhe për biznese vendore , për arsye se në qoftë se kemi borxh dikujt sot në Kosovë më së shumti i kemi borxh veprimtarive të bizneseve, atyre që ballafaqohen me kamata të larta bankare, atyre që ballafaqohen me taksa bukur të larta doganore , atyre që ballafaqohen me burokraci “, ka thënë Veseli.

Ai ka përgëzuar familjen Muja për iniciativën dhe ka falënderuar kryetarin e Fushë Kosovës për mbështetjen që i ka dhënë investitorit.

Fatmir Muja, pronar i fabrikës, tregoi sfidat të cilat e kanë ndjekur gjatë procesit të hapjes së fabrikës. Po, ai ndjehet krenar që prodhimet e kësaj fabrike do të jenë prezentë si “Made in Kosovo” në tregjet ndërkombëtare.

“Art Aluminium” sot, përveç kontratave që posedon me prodhues vendorë, ne kemi arritur tash të përmbyllim kontrata të suksesshme me ndërtues të suksesshëm, në Gjermani, Bullgari, Itali , Afrikë të Jugut, si dhe negocimi tani më i vonshëm me kompaninë e autobusëve dhe kamionëve Volvo në Suedi. Kjo ka qenë një sfidë e madhe për ne e cila do të jetë në shërbim të prodhuesve të vegjël dhe të mëdhenj. Në detyrat që i kemi marrë mbi vete dhe prodhuesit e dritave dhe të aluminit, siç e patë edhe vetë kjo fabrikë është fleksibile në prodhimet e saj, prodhuesit do ta adaptojnë nevojës së prodhuesve e jo politikat imponuese “, tha Muja.

Kryetari i komunës së Fushë Kosovës, Burim Berisha, tha me këtë rast se rrallë ndodh që të promovojë numër kaq të lartë të punëtorëve në komunën të cilën e drejton.

“Rrallë ndodh që të promovojmë 100 vende të punës. Sepse jetojmë në rrethana bukur të vështira ekonomike rajonale edhe ndërkombëtare edhe lokale... Fushë Kosova, po ndryshon ju e keni parë se ndryshon , ndryshon edhe në aspektin demografik , ndryshon edhe në aspektin material , kulturor shpirtëror , ekonomik ne nuk bëjmë ndryshime përmes rrugës së fyerjes shantazheve“, tha Berisha.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat