​Kosovës i kërkohet fokusim në cilësinë e prodhimeve

Ekonomi

​Kosovës i kërkohet fokusim në cilësinë e prodhimeve

Më: 14 prill 2015 Në ora: 17:35

Për eksportin e prodhimeve të Kosovës, tregjet e vendeve anëtare të CEFTA-së dhe ato të BE-së mbeten tregjet potenciale. Kjo, për shkak të afërsisë dhe marrëveshjeve tregtare.

Kosova si shtet, tregtinë më të madhe e zhvillon me vendet anëtare të Marrëveshjes së CEFTA-së dhe të Bashkimit Evropian, ndërsa një pjesë më të vogël e ka me SHBA-të dhe Turqinë.

Blerim Ahmeti, Drejtor i Departamentit të Tregtisë në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, ka thënë sot se vëllimi i eksportit është më i ultë në krahasim me importin dhe kryesisht sipas tij eksportohen mallra me vlera të ultë.

Këtë të dhëna janë dalë nga një raport që është publikuar nga UNDP rreth “Tregjeve potenciale për eksport”.

Blerim Ahmeti, tha se deri më tani është punuar shumë për krijimin e tregjeve të reja, por tani sipas tij kompanitë duhet të punojnë më shumë për të qenë më të pranishëm në këto tregje.

Ahmeti: Tregti kemi vetëm me vendet që janë më afër

“Tregjet e reja janë krijuar në mënyrë shumë natyrale. Çdo shtet tregjet e veta i krijon zakonisht në rajon. Sa më afër tyre që gjendet, për shkak të shpenzimeve më të uëlta, për shkak të traditës që ka me vendet, të cilat trajton zakonisht në rajon dhe vendet të cilat ka tregtuar më herët. Kosova do të thotë tregtinë më të madhe e ka me vendet në rajon, vendet e CEFTA-s, si dhe me vendet e BE-së, zakonisht ato vende me të cilat ka pasur tregti më herët, vitet e më hershme, gjatë kohës së socializmit si Gjermania, Italia, Greqia, kryesisht këto vende që gravitojnë për rreth neve, që nuk janë shumë larg, të cilat ne kemi pasur traditë të tregtisë”, tha Ahmeti.

Ahmeti theksoi se Kosova ka potencial të madh për eksport të shërbimeve dhe në këtë drejtim nevojitet fokusim më i madh i kompanive vendore.

Në anën tjetër udhëheqësja e departamentit të Industrisë në MTI, Valbona Dushi tha se është duke u hartuar edhe një studim rreth potencialit të kompanive vendore në krahasim me vendet tjera.

Dushi:Jemi duke përgatitur strategji të zhvillimit të sektorit privat

“Studimet e para që janë bërë, janë bërë për studimin e 6 sektorëve potencial, të cilat janë identifikuar nga Qeveria e Kosovës, si sektor të cilët kanë potencial për eksport dhe zëvendësimin e importit. Mandej është bërë studimi për përgatitjen e një analize krahasuese në fushën e politikave industriale në mes të Kosovës dhe vendeve të ngjashme me të… departamenti i industrisë e ka hartuar një politikë industriale, ku gjatë këtij viti do të përpunohet dhe zhvillohet më tutje në strategjinë e politikave industriale që do të jetë pjesë e strategjisë të zhvillimit të sektorit privat në kuadër të Ministrisë së Industrisë dhe Tregtisë”, tha Dushi.

Raporti i mbështetur nga UNDP bën vlerësimin e potencialeve në industrinë e ushqimit, bujqësisë, përpunimit të drurit dhe materialeve ndërtimore.

Teuta Purrini, menaxhere e projektit nga UNDP ka thënë se tani Kosova dhe eksporti i bizneseve kosovare, çdo ditë e më shumë po rritet, mirëpo që informatat shumicën e rasteve janë të shpërndara në shumë burime.

Sipas saj qëllimi kryesor i këtij raporti ka qenë që të ofrohet një raport ku të gjitha bizneset mund të gjejnë informata që atyre u interesojnë.

Raporti fokusohet në 6 sektor dhe që janë bujqësia, përpunimi ose prodhimi i ushqimeve, artizanatet, turizmi, përpunimi i drurit dhe përpunimi i materialeve ndërtimore./KosovaPress/

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat