Vazhdon interesimi i Komunës për bashkëpunim me bizneset vendore

Ekonomi

Vazhdon interesimi i Komunës për bashkëpunim me bizneset vendore

Më: 26 mars 2015 Në ora: 17:09

Në vazhdën e vizitave bizneseve vendore, drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit, Nasuf Aliu, me bashkëpunëtorë, ka vizituar fabrikën për prodhimin e detergjenteve EUROCOMMERCE në Mitrovicë.
Kjo ndërmarrje private është ri-themeluar në vitin 2000. Fillimisht ka qenë e orientuar në tregti dhe shpërndarjen e detergjenteve të lëngshme, kryesisht në rajon dhe Evropë. Ndërkaq, në vitin 2009, menaxhmenti i ndërmarrjes kishte vendosur zhvillimin e mëtejmë të biznesit të tyre, duke filluar me prodhimin, mbushjen dhe paketimin e detergjenteve të lëngshme, si dhe prodhimin e ambalazhit.
Zyrtarët komunal janë pritur nga drejtori i kompanisë, Muharrem Osmani, i cili i ka njoftuar mysafirët në detaje për punët që kryhen në kompaninw e tij, por edhe me problemet me të cilat ballafaqohet.
“Që nga viti 1991, ndërmarrja ka filluar si distributor dhe përfaqësues i shumë produkteve evropiane të detergjenteve të lëngshme, ndërkaq pas vitit 2009, ndërmarrja EUROCOMMERCE, ka instaluar një strukturë të saj të prodhimit. Prodhimi i produkteve të ngjashme me kapacitetet e përditshme është rreth 16 tonë”, tha Osmani.
Sipas tij, ndërmarrja aktualisht ka 10 punëtorë të rregullt, ndërsa në sezonin me shitje të madhe, numri i të punësuarve arrin mbi 15. Kjo ndërmarrje ka një listë të gjerë të detergjenteve të lëngshme që i prodhon, siç janë; Pure-sapunë i lëngët për duar, Eco-për pastrimin e sipërfaqeve të qelqit, Provita –shampoo i flokëve, Eco-pastrues për pllaka, Baby Shampoo, etj.
Të gjitha këto produkte mbushen dhe paketohen brenda objekteve të ndërmarrjes, ndërsa mund t’i gjesh pothuajse në të gjitha shitoret e mëdha në të gjitha qytetet e Kosovës, por edhe në qytetet e mëdha të Shqipërisë, si nw Tiranë, Durrës, Shkodër, etj.
“Tregu i konsumatorëve tanë është i ndarë në nivelin rajonal të Kosovës dhe atë duke vizituar të gjitha pikat shitëse, sipas planit që ka bërë kompania. Këto pika vizitohen nga shitës komercial dhe ata ambulativ”, tregon Osmani, duke shtuar se “së shpejti do të plasohen në treg edhe prodhime të reja të kësaj ndërmarrje”.
I pyetur nëse është ndihmuar ndonjëherë nga institucionet, apo ndonjë organizatë për të ec përpara, ai përmendi shumën prej 4.800 euro, si të vetmin donacion, dhuruar nga Banka Evropiane për Ndërtim dhe Zhvillim, që i ka ndihmuar për blerjen e një makine për prodhim.

“Problemi më i madh i joni është çështja e objektit. Ky objekt ishte i ndërmarrjes “LUX” dhe ne deri më tani i kemi paguar qira menaxhmentit të kësaj ndërmarrje shoqërore. Mirëpo, tani objekti ka kaluar nën menaxhim të Agjencionit Kosovar të Privatizimit, i cili na ka rrit qiranë, por së shpejti edhe mund ta shes objektin dhe ne nuk e di se çfarë do të bëjmë”, tha Osmani.
Ai po ashtu u ankua edhe për ndërprerjen e energjisë elektrike nga KEDS-i, pa paralajmërim, gjë që i sjell dëme të mëdha në materialin që e ka në proces dhe kallëpet e punës.
Drejtori Nasuf Aliu, ka inkurajuar Osmanin për punën që bënë ndërmarrja e tij, duke premtuar që në të ardhmen do të shqyrtohen mundësitë e Komunës, për të ndihmuar prodhuesit vendor në forma të ndryshme, në mënyrë që përmes mbështetjes së bizneseve të ndihmohet edhe zhvillimi ekonomik i qytetit.
“Ju përmendet si problemin më të madh çështjen e objektit, kështu që unë ju kisha rekomanduar të jeni të gatshëm për mundësi aplikimi në Parkun Industrial, apo pas analizave që do të bëhen dhe marrjes së vendimit të ri për Parkun e Biznesit, të aplikoni me projektin tuaj, në përfitim të një hapësire për zgjerim si një biznes i suksesshëm prodhues”, tha drejtori Aliu.
Ai u zotua se do të bëjë përpjekje që si institucion të ndërmjetësoj në çështjen problematike në mes biznesit dhe KEDS-it, për energjinë elektrike, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat