Ministria e Bujqësisë 43 milionë euro për mbështetjen e fermerëve

Ekonomi

Ministria e Bujqësisë 43 milionë euro për mbështetjen e fermerëve

Më: 25 shkurt 2015 Në ora: 15:11

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rrural (MBPZhR) këtë vit do të jep 43 milionë euro grante dhe pagesa direkte për fermerët dhe agropërpunesit në gjithë Kosovën.

MBPZhR njofton se nga sot është hapur periudha për aplikim për grante dhe pagesa direkte për fermerët dhe agropërpunuesit. Peridha e aplikimit është e hapur për 45 ditë.

“Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, që nga sot ka hapur periudhën për aplikim për grante dhe pagesa direkte për fermerët dhe agropërpunuesit në gjithë territorin e Kosovës. Buxheti i planifikuar për të dy kategoritë, grante dhe pagesa direkte është rreth 43 milionë euro. Për grante janë planifikuar 20 milionë euro, ndërkaq për pagesa direkte 23 milionë euro”, thuhet në komunikatë.

Siç njofton MBPZhR-ja gjatë kësaj periudhë, fermerët mund të aplikojnë për të përfituar në kuadër të masave të programit të vitit 2015 për bujqësinë dhe zhvillimin rural, përmes të cilit Ministra do të ofrojë mbështetje për shumë sektor të bujqësisë, përfshirë këtu edhe kultura të reja bujqësore, të cilat nuk janë mbështetur në të kaluarën.

“Krahas kësaj, rritja e buxhetit për MBPZhR-në ka ndikuar që përveç zgjerimit të mbështetjes në sektorët tjerë, të rritet edhe shuma e mjeteve të ndara për sektorët që janë mbështetur edhe viteve të kaluara”, thuhet tutje në komunikatë.

Përveç shpërndarjes së granteve, Ministria e Bujqësisë, këtë vit ka paraprarë edhe subvencione për grurë, për farë gruri, misër, lulediell, për lopë dhe buallica qumështore, për dele dhe dhi, për qumësht sipas kategorive të cilësisë, për pulari, për bletari, për derrari.

Ndërkaq, sivjet për herë të parë do të ketë subvencione edhe për pemishtet ekzistuese si dhe për raportimin e therjeve të gjedheve.

“Ndërkaq, përmes granteve investive sivjet do të përkrahet prodhimtaria e qumështit, mishit, brojlerëve, vezëve. Po ashtu përkrahje edhe sivjet do të ketë në agropërpunim përmes investimeve në pajisje dhe makineri për përpunimin, ruajtjen dhe marketingun e prodhimeve bujqësore, si dhe do të investohet edhe në diversifikimin e fermave dhe zhvillimin e biznesit.Pastaj, do të përkrahet edhe prodhimtaria e mjaltës, prodhimtaria e perimeve në fushë të hapur dhe serra, prodhimtaria e patates, prodhimtaria e mollës, dardhës, kumbullës, vishnjës, dredhëzës, mjedrës, manaferrës, boronicës, vreshtaria dhe bimët mjekuese”, thuhet në komunikatën e MBPZhR.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat