Shlyerja e borxheve, auditimi i procesit bllokon rimbursimin e TVSH, 4.9 miliardë lekë shkojnë për vendimet gjyqësore

Ekonomi

Shlyerja e borxheve, auditimi i procesit bllokon rimbursimin e TVSH, 4.9 miliardë lekë shkojnë për vendimet gjyqësore

Më: 25 shkurt 2015 Në ora: 12:04

Ministria e Financave ka paguar, deri në javën e tretë të muajit Shkurt 2015, rreth 40.5 miliardë lekë për të gjitha kategoritë e përfshira në Strategjinë e Shlyerjes së Detyrimeve të Prapambetura. Sipas informacionit të përditësuar të Njësisë së Posaçme të Administrimit dhe Monitorimit të Detyrimeve të Prapambetura, fondi gjithsej i alokuar nga Ministria e Financave për zbatimin e kësaj strategjie është 44,5 miliardë lekë. Përveç kësaj vlere, në fund të vitit 2013 janë paguar rreth 3 miliardë lekë për investime të prapambetura dhe 1,9 miliardë lekë për pagesën e prapambetur për Personat me Aftësi të Kufizuar (PAK).
Në përgjigje të interesimit të medias dhe publikut lidhur me të dhënat e plota që kanë të bëjnë me respektimin e këtij detyrimi të dikasterit të Financave, burime zyrtare sqaruan se në lidhje me shlyerjen e detyrimeve të prapambetura për shpenzimet për investime, gjatë vitit 2014 janë çelur rreth 10.1 miliardë lekë, të cilat i përkasin detyrimeve për periudhën 2005-2013, nga të cilat, deri në fund të vitit 2014, janë paguar rreth 9.7 miliardë lekë. Ndërsa për sa i përket vitit 2015, janë çelur rreth 5.7 miliardë lekë dhe janë paguar aktualisht rreth 4.4 miliardë lekë. Totali i çeljeve për detyrimet e prapambetura për investime është rreth 15.8 miliardë lekë, nga të cilat janë disbursuar rreth 14 miliardë lekë.
Auditi, bllokohet rimbursimi për TVSH
Burimet zyrtare nga Ministria e Financave, kanë dhënë informacione dhe në lidhje me kategorinë e detyrimeve të prapambetura për shpenzimet korente. Gjatë vitit 2014 mësohet se janë çelur rreth 5.6 miliardë lekë, të cilat i përkasin detyrimeve për periudhën 2005-2013, nga të cilat deri në fund të vitit 2014 janë paguar rreth 5.3 miliardë lekë. Kurse për vitin 2015 janë çelur rreth 100 milionë lekë për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura për shpenzimet korente. E njëjta tablo është edhe sa i përket rimbursimit të TVSH së prapambetur. Gjatë vitit 2014 janë çelur rreth 12.9 miliardë lekë, nga të cilat janë paguar rreth 12.8 miliardë lekë ose rreth 100% e fondit të çelur për këtë kategori. Për vitin 2015, Ministria e Financave është në pritje të përfundimit të auditimit të procesit të shlyerjes së detyrimeve të prapambetura për këtë kategori, për të vijuar më tej me çeljen e radhës së fondeve për këtë kategori, rreth 3.2 miliardë lekë. Bazuar në strategjinë e shlyerjes së borxheve, Ministria e Financave ka paguar dhe detyrimet për vendimet gjyqësore.
Për këtë kategori, mësohet se fondi i çelur për gjatë vitit 2014 është rreth 3.5 miliardë lekë, nga të cilat janë paguar rreth 3.4 miliardë lekë (rreth 97%), kurse për vitin 2015 është çelur fondi rreth 1.6 miliardë lekë, nga të cilat janë disbursuar rreth 1.5 miliardë lekë. Gjithsej për vendimet gjyqësore janë çelur rreth 5.1 miliardë lekë, janë disbursuar rreth 4.9 miliardë lekë. Vendimet gjyqësore kanë qenë kryesisht për individët (rreth 60%) dhe për subjektet (rreth 40%). Për sa i përket shpronësimeve, fondi total i çelur për shlyerjen e detyrimeve për këtë kategori mësohet se është rreth 1.5 miliardë, nga të cilat janë disbursuar ose paguar rreth 300 milionë lekë. Ndërkaq, gjatë muajit Prill 2014, janë paguar rreth 4.4 miliardë lekë si detyrime të prapambetura, që institucionet buxhetore kishin ndaj OSHEE, ndërsa për sa i përket pagesave për prodhimin e energjisë nga HEC-et private mësohet se për vitin 2014, totali i faturimit të HEC-eve është 9.76 miliardë lekë, ndërsa deri më datë 18 Shkurt 2015 janë shlyer në total 6.08 miliardë dhe kanë ngelur pa u shlyer 3.68 miliardë lekë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat