Kosova importon sasi të mëdha të produkteve

Ekonomi

Kosova importon sasi të mëdha të produkteve

Më: 21 dhjetor 2014 Në ora: 15:21

Produktet ushqimore duke filluar nga pemët, perimet dhe atyre të konservuara, janë produktet të cilat hyjnë në kategorinë e mallrave më të importuara në Kosovë. Këto mallra kryesisht importohen nga vendet e rajonit dhe Bashkimit Evropian.

Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë, se produkti më i importuar në Kosovë mbetet nafta dhe duhani, pasuar menjëherë nga produktet ushqimore.

“Sa i përket sasisë dominon nafta, por ka produkte ushqimore të cilat importohen. Gama e produkteve ushqimore që importohen janë gjithëpërfshirëse duke filluar nga pemët e perimet deri tek produktet e konservuara”, shton Stavileci.

Kjo gjendje, sipas përfaqësuesve të bizneseve është për faktin se prodhimet vendore nuk kanë arritur të fitojnë besimin e konsumatorit dhe se qytetarët janë mësuar që të konsumojnë produktet që nuk janë të Kosovës.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se importin e lartë të këtyre produkteve, e ka shkaktuar mentaliteti konsumues i qytetarëve të Kosovës.

“Kosova posedon më shumë se 20 fabrika të ujit dhe ne importojmë ujë nga Italia, Sllovenia, Greqia, Turqia e nga vendet e ndryshme dhe kjo jo që ata kanë një ujë më të mirë, por që ato kompani kanë një traditë më të gjatë dhe i përkushtohen tregjeve të reja,ndërsa prodhuesitvendor ende nuk ka një traditë të gjatë të treg dhe shpesh bien pre e konkurrencës së padrejtë në treg”, thekson Shahini.

Deficiti i lartë tregtar është një problem që e ka përcjellë Kosovën ndër vite. Sipas të dhënave zyrtare, kontributi i eksporteve në volumin tregtar është shumë i ultë dhe atë rreth 200 milionë euro në vit, kurse importi kalon shifrën e mbi 1 miliard euro.

Eksporti i mallrave në muajin tetor të këtij viti, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës kishte vlerën 29.6 milion euro, ndërsa importi 234,9 milion euro.

Eksporti mbulon importin vetëm me 12.6 për qind.

Kjo situatë, sipas Shahinit do të vazhdojë nëse nuk merren masa konkrete për përmirësimin e politikave fiskale.

“Bizneset vendore ende nuk po munden që t’i plotësojnë në të gjithë sektorët kërkesat me prodhim vendor, dhe produktet vendore po dalin në disa raste më të shtrenjta se sa produktet e importuara. Kjo është për shkak se politikat fiskale , financiare dhe tregtare janë gati të njëjta si për prodhuesit vendor ashtu edhe për ato të importi”, shton Shahini.

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, tregojnë se produktet minerale prijnë në listën e produkteve më të importuara, pasuar nga ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike.

Përqindja më e madhe e importit është nga Serbia, Italia, Gjermania, Turqia , Kina Shqipëria dhe Maqedonia.(REL)

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat