Braathu: Zhvillimi ekonomik është çelësi

Ekonomi

Braathu: Zhvillimi ekonomik është çelësi

Më: 19 dhjetor 2014 Në ora: 17:12

Zhvillimi ekonomik dhe krijimi i vendeve të reja të punës duhet të jenë prioritet i qeverisë së re të Kosovës, deklaroi ambasadori norvegjez në Kosovë, Jan Braathu.

Sipas tij, të dy partitë në koalicionin qeveritar, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), i kishin përqendruara fushatat e tyre parazgjedhore pikërisht në zhvillimin ekonomik.

“A garanton kjo krijimin e vendeve të reja të punës? Jo, por është një fillim i mirë nëse ata i mbesin besnik kësaj. Si vëzhgues, ende nuk kam parë detaje konkrete, por e di që LDK-ja ka investuar shumë në agjendën e vet ekonomike, sikur edhe PDK-ja. Andaj, pres që nga kjo qeveri të shohim ngritje në agjendën ekonomike. LDK-ja ka marrë pozitat kyçe të fushës së ekonomisë në kabinet, kështu që pres që ata do të kenë një rol udhëheqës në përmbushjen e kësaj agjende”, ka shtuar më tej Ambasadori i Norvegjisë.

Ai thotë se nuk ekziston një formulë magjike se si të krijohen vende të reja të punës, por konsideron se duhet të përmirësohen rrethanat për zhvillim ekonomik. Ai shton se edhe sistemi arsimor duhet të riorientohet në bazë të nevojave të sektorit komercial.

“Gjatë takimeve të mija me kompanitë në Kosovë, atë që zakonisht e dëgjoj është se nuk ka mjaft punëtorë të kualifikuar. A nuk është paradoksale që në një vend ku papunësia është 35 për qind, kompanitë nuk mund të gjejnë punëtorë të kualifikuar? Kjo më thotë se diçka nuk është në rregull me sistemin arsimor. A po prodhon sistemi arsimor të diplomuar që mund të punësohen? Nuk duhet që të gjithë të jenë juristë ose të kenë një fakultet. Nëse keni një certifikatë të elektricistit, hidraulikut etj..., atëherë për ta duhet të ketë vende të punës. Keni një numër të madh të të rinjve të papunësuar, por ata nuk kanë përgatitjen që po kërkojnë kompanitë. Dhe kjo është një sfidë për qeverinë. Qeveria duhet patjetër të ketë një sistem arsimor që do të krijoj njerëz të trajnuar për këto kompani në Kosovë. Politikanët në Kosovë duhet të kenë parasysh krejt zinxhirin - që nga arsimi e deri te sektori privat - në mënyrë që të krijojnë politika të përshtatshme”, thotë Braathu.
Papunësia dhe situata e rënduar ekonomike, ndërkaq, nuk guxojnë të jenë arsye për migrim ilegal, shtoi ai.

“Si mund t’i fajësoj njerëzit që dëshirojnë të përmirësojnë jetën e tyre? Por çështja është se veprimet e tyre në rrafsh individual janë të kuptueshme, por në rrafshin e përgjithshëm, kjo është shumë e dëmshme për interesat e Kosovës”, tha ambasadori, duke shtuar se shumica e këtyre imigrantëve në fund nuk do të marrin azilin.
“Duhet kuptuar se institucioni i azilit vlen vetëm për azilin politik dhe jo për shkak të vështirësive ekonomike. Emigrantët që po kërkojnë azil, po shkojnë në drejtim të panjohur, së bashku me familje e tyre. Disa, që është tragjike, kanë shitur pasurinë e tyre në mënyrë që dikujt t’i paguajnë shuma të mëdha parash për premtime që ata nuk mund t’i përmbushin. Për këto familje kjo është një tragjedi. Porosia është se pavarësisht vështirësive këtu është më mirë që të mbesin këtu dhe të shfrytëzojnë ato resurse që kanë”, theksoi Braathu.

Ambasadori norvegjez ka folur edhe për prioritetet tjera të Kosovës, siç është lufta kundër korrupsionit dhe formimi i Gjykatës Speciale.

Ai ka thënë se është i vetëdijshëm se drejtësia është e mbingarkuar me lëndë, por shton se kjo nuk duhet të jetë arsyetim për mosluftimin e korrupsionit, që është problemi kryesor në Kosovë dhe që frenon zhvillimin ekonomik.

“Nëse një degë e sistemit të drejtësisë nuk i kushton vëmendjen e duhur luftës kundër korrupsionit, atëherë kjo është shqetësuese. Është me rëndësi që njerëzit ta lajmërojnë korrupsionin dhe është me rëndësi që korrupsioni të hulumtohet dhe procedohet sipas ligjeve dhe rregulloreve. Por duhet të jetë e qartë, dhe po ashtu, duhet të kihet kujdes me konstatimet për korrupsion, sepse në sistemin e drejtësisë konstatimet duhet të jenë të mbështetura në fakte. Ndonjëherë, ndoshta ndodh edhe shpesh, është e vështirë të sigurohen faktet. Kjo, mbase është arsyeja pse në shumë raste nuk vazhdohet të punohet”, tha ai.
Braathu nuk ka dashur të komentojë lidhur me dyshimet për korrupsion në EULEX, por mendon se këto dyshime duhet marrë seriozisht dhe duhet hulumtuar. Ambasadori Braathu ka potencuar se në Kosovë mund të hezitohet për të reaguar kur kemi të bëjmë me themelimin e Gjykatës Speciale, por ai thotë se kjo gjykatë do t’i ndihmojë Kosovës që “t’i heq njollat”, që janë të dëmshme për reputacionin e shtetit.

“Do të vërtetojë se Kosova është një shtet i ndershëm dhe me dinjitet, dhe se nëse dikush ka kryer krime - do të marrë përgjegjësitë. Është me rëndësi që ky proces të filloj. Nuk mund të paragjykohet asgjë, por është më rëndësi që procesi të filloj. Në një gjë jam i sigurt: Clint Williamson, ndryshe një jurist serioz dhe i dedikuar, nuk do të shkruante në raportin e tij atë që ka shkruar, sikur të mos kishte arsye të forta”, tha ai.
Duke komentuar institucionet e reja kosovare para të cilave janë këto prioritete, ai tha se koalicioni qeverisës ka shans për udhëheqje të mirë, duke pasur parasysh se dy partitë - PDK dhe LDK, numërojnë 67 nga 120 deputetë në Kuvendin e Kosovës. Ambasadori Braathu nuk ka qenë i befasuar me faktin që PDK-ja ka hequr dorë nga posti i kryeministrit, sepse ata kanë thënë menjëherë pas zgjedhjeve se kanë gatishmëri për kompromis me të tjerët. Ai potencon se kryeministri në çdo qeveri duhet të luajë rolin e personit që së bashku me kabinetin përcakton drejtimin, dhe i cili ndërmjetëson mes interesave të ndryshme që mbretërojnë në secilin kabinet. Në traditën e shteteve të Evropës Veriore, thotë ambasadori norvegjez, kryeministri nuk është diktator e as Tito, por është personi kryesor i kompromiseve dhe ndoshta i pari mes të barabartëve.

“Këtu theksohet pak më shumë i pari, sesa barabarësia. Por, në një koalicion të tillë qeverisës, ku janë dy parti të forta, mendoj se roli i kryeministrit është pak më ndryshe se sa që do të ishte në një strukturë tjetër të koalicionit. Kemi dy parti që janë përafërsisht të njëjta për nga madhësia, me atë që PDK-ja është diç më e madhe, por natyrisht se këto dy parti duhet të pajtohen rreth politikave që do të udhëheqin. Kemi dëgjuar se këto dy parti kanë pasur grupe punuese të cilat kanë punuar në harmonizimin e politikave, kështu që mendoj se ekziston një kompromis i madh. Mendoj se është e pashmangshme që edhe kryeministri, për shkak të natyrës së koalicionit, duhet të jetë i hapur për kompromise. Kush është politikani më i fortë? Nëse flasim për të kaluarën, kryeministri, natyrisht, është politikani më i fortë. Por, në çdo vend, në cilindo kabinet, pozita formale është vetëm një pjesë e fotografisë. Pjesa tjetër e fotografisë varet nga energjia dhe kreativiteti intelektual, nga angazhimi i ministrave të tjerë. Ministrat mund të kenë më pak apo më shumë ndikim, varësisht nga aktiviteti i tyre, angazhimi dhe puna brenda kabinetit. Në këtë çast është vështirë për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje. Kjo mbetet për tu parë”, tha pos tjerash Braathu.

Ambasadori Braathu, po ashtu, ka theksuar se edhe në të ardhmen e afërt mund të pritet që Beogradi të ketë ndikim në popullsinë serbe në Kosovë dhe atë për shumë arsye. Serbët në veri vetëm pas Marrëveshjes së Brukselit kanë kuptuar se ndarja nuk është më opsion, dhe se Prishtina është adresa e tyre. Krejt kjo është arritur pasi që edhe Beogradi i ka dërguar sinjale të qarta popullatës atje.
“Besoj se marrëveshja e 19 prillit ka sinjalizuar ndryshimin e qasjes së Serbisë përballë Kosovës. Por duhet të kuptojmë se ky është vetëm një hap në një seri hapash që ne besojmë, duhet të ndërmerren nga të dyja palët, në mënyrë që raportet mes dy vendeve të normalizohen. Ajo që po ndodh në Beograd është se politikanët po kuptojnë se në Kosovë kemi një realitet ndryshe nga e kaluara. A ju pëlqen kjo? Me gjasë jo! A e kuptojnë se realiteti ka ndryshuar dhe se Kosova është e pavarur? Me gjasë po! Si përballen ata me këtë - po e shohim çdo ditë e çdo javë. Po tentojnë ta normalizojnë situatën, para së gjithash, në mënyrë që njerëzit të kenë liri të lëvizjes dhe të kenë më pak pengesa në jetën e tyre të përditshme. Kjo është mirë edhe për Serbët edhe për komunitetet tjera etnike në Kosovë”, ka përfunduar ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, Jan Braathu, në intervistën për transmetuesin publik.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat