Gjatë janarit përfundon ekzekutimi i subvencioneve

Ekonomi

Gjatë janarit përfundon ekzekutimi i subvencioneve

Më: 18 dhjetor 2014 Në ora: 09:21

Subvencionet për kultivuesit e drithërave dhe disa kulturave tjera bujqësore, sivjet, për dallim prej viteve tjera nuk janë ekzekutuar me kohë.

Krejt kjo ka ndodhur për shkak të mos rishikimit të buxhetit, si pasoj e mos krijimit të institucioneve. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), edhe pse me vonesë, ekzekutimi i subvencioneve për kulturën e grurit është në përfundim e sipër, ku sipas po këtyre të dhënave deri më tash janë ekzekutuar rreth 4.3 milionë euro subvencione për 8671 përfitues, ku pjesa e mbetur për rreth 2000 përfitues, pritet të ekzekutohet në janar.

Ndërkaq, për 10 kultivuesit e lulediellit, të cilët sipas zyrtarëve të MBPZHR-së janë të vetmit përfitues, janë ekzekutuar 44096 euro, ndërsa për kultivuesit e misrit deri më tash nuk është ekzekutuar asnjë subvencion, gjë që ka mbetur të bëhet në fillim të vitit të ardhshëm. “Për 5310 përfitues të subvencioneve për misër, mjetet në vlerë prej rreth 1.2 milion euro pritet të ekzekutohen në fillim të vitit, pasi që mos rishikimi i buxhetit ka bërë të pamundur që këto mjete të ekzekutohen e bashkë me këtë kanë mbetur edhe grantet për projektet e zhvillimit rural, mjetet për mbështetjen e të cilave pritet t’i ekzekutojmë vitin e ardhshëm”, kanë treguar zyrtarë të MBPZHR-së.

Ndërkaq, gjatë gjysmës së dytë të këtij viti, kohë pas kohe ka pasur edhe ankesa nga fermerët përfitues, të cilët kanë pritur edhe shpërndarjen e mjeteve nga kjo ministri. E vonesat në ekzekutimin e këtyre mjeteve, sipas fermerëve kanë pamundësuar zhvillimin e disa projekteve të tyre.

Njëri ndër këta fermer, i cili është duke pritur subvencionet e grurit, është edhe Muhamet Duriqi nga komuna e Podujevës, i cili thotë se subvencionet e marra nga kjo ministri janë të mirëseardhura, pasi që po ndikojnë në zhvillimin e veprimtarive bujqësore.

Ndërkaq, Daut Avdullahu nga fshati Henc i Komunës së Fushë Kosovës, i cili merret me kultivimin e drithërave, thotë s e nga bujqësia siguron të ardhurat për familjen e tij. Ky fermerë tregon se tashmë atij i kanë dalë mjetet e subvencioneve për grurë. “Kam të kultivuar me grurë rreth tre hektarë dhe subvencionet e ministrisë tashmë janë flokuar, por nuk janë alokuar mjetet për misër dhe për lopë qumështore”, tha ai.

Fermeri Avdullahu thekson se përkrahja e fermerëve nga institucionet i lehtëson punën e tyre. “Përkrahja është mirëseardhur për neve si fermerë pasi që na lehtëson punën në kultivimin e drithërave si dhe mund të ndikojë në rritjen e sipërfaqeve”, thotë ky fermerë.

Ai thekson se do të rrisë sipërfaqen me drithëra sidomos me kulturën e misërti të cilën planifikon ti kultivojë më shumë se dy hektarë pasi që thotë e përdorë për bagëtitë e tij për silazh. Ai ka thënë se në nëse ka më shumë përkrahje do t’i rriste sipërfaqet e kultivuara.

Ndryshe, mbështetja e Ministrisë se Bujqësisë, për pagesa direkte dhe grante investive gjatë këtij viti, sipas të dhënave në fillim të këtij ishte paraparë të ishte rreth 28 milionë euro, ndërkaq, vlera e investimeve të Ministrisë së Bujqësisë në vitin 2013 arrinte në 26,733,231.96 euro, nga e cila në mënyrë të drejtpërdrejtë kishin përfituar 24,583 fermerë, ku 24,003 prej tyre kishin qenë përfitues të subvencioneve në vlerë prej 12,145,467.20 euro dhe 580 kishin përfituar grante investive për projektet e tyre të zhvillimit rural në vlerë prej 14,587,764.76 euro. (ferma.ime)

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat