Tregu i autoveturave dhe sfidat kineze

Ekonomi

Tregu i autoveturave dhe sfidat kineze

Më: 16 tetor 2014 Në ora: 17:30

Se sa shumë ka përparuar Kina, tashmë kjo kuptohet thjesht dhe qartë sidomos në zhvillimin e industrisë së automobilave e prezencën e saj në tregjet botërore. Për koncernet e mëdha botërore të automobilave, në të shkuarën, Kina ka qenë gjithnjë një treg me perspektiva të mira, në rritje e sipër. Por, gjithçka, deri më tani.

Sepse në shtator, numri i shitjeve të automobilave është rritur vetëm me 2,5 për qind, siç bënte të ditur të hënën Shoqata kineze e Automobilave (CAAM). Për raportet, kushtet e objektivat kineze, kjo konsiderohet një rritje e pakët. Një vit më parë plusi në këtë sektor shënonte më shumë se 20 për qind.

Shtatori në Kinë zakonisht është një muaj i gjallë për koncernet automobilistike. Pak para ditëve të lira që organizohen për Ditën Kombëtare të Kinës më 1 tetor, interesi për blerje të reja është veçanërisht i madh atje. Shumë kinezë duan t’i inaugurojnë këto ditë festash, duke kryer një udhëtim me një autoveturë të re. Mirëpo këtë radhë, rritja është më e ulët se sa para një viti e gjysmë.

Në atë kohë, udhëheqja kineze futi në fuqi një seri rregullash të reja. Numri i automjeteve të lejuara në qytetet e mëdha, përballë rritjes së madhe të ndotjes së ajrit dhe bllokimeve të shumta në trafik, duhet të reduktohet ndjeshëm. Prodhimi pas kësaj ra, por e mori më pas sërish veten në terma relativë. Qëllimin e saj, kësisoj qeveria nuk mundi dot ta arrinte.

Dobësia apo rënia aktuale e rritjes, duhet të zgjaste edhe më gjatë në terma kohorë. Pasi në fakt, në tregun më të madh të automobilave në botë, po jepen shenjat e një mbingopjeje. Para së gjithash, në qytetet me mbi pesë milionë banorë, apo edhe me më pak se aq, – të cilët deri para pak kohëve përbënin tregje të suksesshme – numrat e shitjeve po bien, sipas një raporti të gazetës amerikane Wall Street Journal. Sipas të dhënave të Shoqatës Kineze të Automobilave, një autoveturë e re, së fundmi rezulton se mbetet 45 ditë në një sallon makinash, pa u shitur mesatarisht. Para një viti, kjo periudhë ishte 36 ditë. Para së gjithash, tregjet e automobilave po shfaqen si mbrojtës të koncesionarëve. Shumë firma kineze të automobilave ankohen për kapacitete të tejmbushura.

Por, larg tyre, nuk mbeten as ndërtuesit e prodhuesit gjermanë të automobilave. Ato kanë shënuar edhe në vijim shifra të larta rritjeje. Vetëm Volkswagen, për shembull, sipas të dhënave që kompania ofron vetë, në nëntë muajt e këtij viti, ka shënuar një rritje prej 15,2 përqindësh (në krahasim me vitin e shkuar), duke prodhuar 2,7 milionë automjete. Përqindja në treg e koncernit të madh automobilistik gjerman në Kinë, u rrit kësisoj me rreth 16 për qind.

Mirëpo pikërisht përqindja e lartë mund të shndërrohej paradoksalisht në një problem për koncernet automobilistike. Udhëheqja kineze kishte lejuar shumë ndërmarrje të huaja automobilash në vend, për t’u ndihmuar kështu teknologjikisht kinezëve të shënojnë përmirësime cilësore. Ndër to, edhe firma të suksesshme e të mirënjohura franceze, britanike e amerikane. Në thuajse asnjë fushë tjetër, ndërmarrjet e huaja në formë të të ashtuquajturave Joint Ventures, nuk kooperojnë aq ngushtë me firmat kineze, se sa ato në industrinë e prodhimit të autoveturave.

Por, kjo taktikë, është aplikuar vetëm pjesërisht. Megjithëse shumë tregje autoveturash kineze në aspektin teknologjik, kanë pësuar përparim e janë bërë kësisoj edhe më të lira kur dalin në treg për konsumatorët, se sa konkurrenca që u vjen nga jashtë, prej disa kohësh po shënohet rënie në përqindjen e tyre në tregjet vendase. Shifra aktuale është fiksuar tek 37,6 për qind dhe me këtë, ajo shënon një nivel prej rreth 2,5 përqindësh më të ulët se sa në periudhën e njëjtë të vitit të shkuar.

Autoriteti i fuqishëm kombëtar i planifikimit (NDRC) edhe për këtë arsye, gjatë muajve të verës, ka nxjerrë një sërë masash, që synojnë të zvogëlojnë konkurrencën nga koncernet e huaja të autoindustrisë. Por rezultati mbetet të shihet në vijim.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat