Rritja e çmimit të rrymës, e kundërligjshme

Ekonomi

Rritja e çmimit të rrymës, e kundërligjshme

Më: 2 shtator 2014 Në ora: 21:10

Rritja e çmimit të rrymës për 5.18 % për herë të dytë nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë është e kundërligjshme.

Me këtë vendim është shkelur “Rregulla për vendosjen e çmimeve të furnizuesit publik të energjisë që është e ZRRE”. Kështu thonë përfaqësues të Organizatave Joqeveritare për Zhvillim të Qëndrueshëm KOSID.

“KOSID vlerëson që nxjerrja e vendimit nga ana e ZRRE-së, ka shkelur shtojcën 5 të rregullës për çmimin e rrymës të furnizuesit publik të vet zyrës së ZRRE-së e cila e ndalon që të ketë një proces të rishikimit të tarifës dhe të energjisë brenda 3 muajve pas vendimit të fundit për rritjen e çmimit të energjisë që i bie që vendimi i tanishëm i ZRRE-së për rritjen e çmimit është i kundërligjshëm dhe e shkel vet parimin rregullativ”, ka theksuar për transmetuesin publik Fisnik Korenica nga Grupi për studime juridike.

Korenica thotë se vendimi i marrë duhet të anulohet sepse nuk ka parlament funksional të cilit i përgjigjet ZRRE-ja si dhe për shkak të gjendjes së rëndë sociale.

“Pavarësisht që në total ne kemi pasur afërsisht një rritje 10 % të energjisë në fakt në periudhë të dimrit kur ne konsumojmë energji të importit më shumë se sa në këtë periudhë të verës, ky çmim mund të rritet shumëfish më tepër në kuptim të parave që paguajnë në fund konsumatorët”, ka shtuar Korenica.

Por zyrtarë të ZRRE-së të kontaktuar për këtë shkelje të pretenduar nga KOSID, thanë se do të përgjigjen nesër.

E kryetari i BSPK-së, Haxhi Arifi thotë se do të protestojnë bashkë me bizneset, qytetarët e organizatat jo qeveritare të cilët janë njëzëri kundër këtij vendimi.

“Nëse nuk do të ketë rishqyrtim dhe nuk do të merren parasysh kërkesat tona se është jolegjitime dhe jo ligjore ngritja e çmimit të energjisë, atëherë këta vetë po ua hapin rrugën këtyre institucioneve që të dalin dhe protestojnë dhe ne do të protestojmë”, ka thënë Arifi.

Sipas përfaqësuesve të KOSID-it, kundërshtimin për këtë rritje e kanë filluar në mënyrë ligjore, por që në bashkëpunim me të gjitha organizatat, mund të përdoren edhe forma të tjera.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat