KOSID: Ngritja e çmimit të energjisë, kënaq interesat private të KEDS-it

Ekonomi

KOSID: Ngritja e çmimit të energjisë, kënaq interesat private të KEDS-it

Më: 1 shtator 2014 Në ora: 19:17

​Ngritja e çmimit të energjisë elektrike, për herë të dytë, shkakton dëme serioze tek konsumatorët e energjisë, derisa në anën tjetër shërben si mjet monpolistik që kënaq interesat privatë të furnizuesit publikë, KEDS-it. Madje, vendimi i marrë për një ngritje të tillë, ka shkelur edhe disa nene të ligjit të zyrës së rregullatorit të energjisë.
Kështu ka vlerësuar, Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID), ku nëpërmjet një njoftimi për media, ka kundërshtuar vendimin e fundit të ZRRE-së dhe nga këta të fundit, KOSID ka kërkuar se brenda një periudhe të shpejtë kohore, të anulohet një vendim i tillë.

“KOSID vlerëson që vendimi në fjalë i Bordit të ZRRE-së përbën gjithashtu shkelje të Nenit 3.1 të Ligjit për ZRRE-në, meqë e ndërmerr një veprim të tillë rregullativ pa transparencë, duke shkelur parimet e mbrojtjes së konsumatorit dhe të veprimeve jo-monopoliste të tregut. Një rritje e tillë e çmimit përbën një veprim që i shkon në dëm serioz konsumatorëve final të energjisë në Kosovë, dhe në anën tjetër shërben si mjet monopolistik që kënaq interesat private të furnizuesit publik, KEDS”, shkruan në një njoftim nga KOSID.

Në njoftim gjithashtu thuhet se, Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë ka shkelur detyrimin e saj që të mos ndërmarrë ndonjë hap në rritjen e tarifave, përkatësisht të hyrave të lejuara për furnizuesit publik në afat prej 3 muajsh, pas vendimit të fundit për një rritje të tillë, e përcaktuar specifikisht në Shtojcën 5.1 të Rregullores për Çmimet e FPEE-së, njjë veprim i tillë, i Bordit të ZRRE-së, thuhet në njoftim, se përbën shkelje serioze të mandatit të tij të besuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës për të mbrojtur tregun dhe konsumatorin e energjisë në Republikën e Kosovës, dhe natyrisht që përbën edhe veprim të ndaluar në kuptim të Nenit 1.3 të Ligjit mbi ZRRE-në.

Prandaj, KOSID i ka kërkuar ZRRE-së që në periudhë sa më të shpejtë kohore të bëjë anulimin e një vendimit të tillë, në mënyrë që të ndërpriten efektet e kundërligjshme të faturimit të energjisë tek konsumatorët final. Në rast të mos anulimit të një vendimi të tillë, Bordi i ZRRE-së do të mbaj përgjegjësi ligjore për të gjitha pasojat e shkaktuara tek konsumatori final dhe tregu i energjisë.

KOSID kanë vlerësuar se një sjellje e tillë e ZRRE-së jo vetëm që përbën shkelje ligjore, por edhe një papërgjegjësi totale ndaj publikut dhe qytetarëve te varfër të vendit. Ndër të tjera, në njoftim thuhet se KOSID për këtë shkak do të vazhdoj me mobilizimin e publikut dhe të organizatave të shoqërisë civile, për ta kundërshtuar një proces të tillë në vazhdimësi.

Në fund, KOSID, ibën thirrje të gjitha mediave në Kosovë që të ndjekin me shqetësim, tendencën e ZRRE-së për rritjen e çmimit të energjisë në Kosovë, në këtë periudhë kohore dhe sipas tyre, dëmtimin me çdo kusht të konsumatorit të energjisë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat