2.4 miliardë euro të depozituara, vetëm rreth 440 milionë të siguruara

Ekonomi

2.4 miliardë euro të depozituara, vetëm rreth 440 milionë të siguruara

Më: 23 gusht 2014 Në ora: 09:39

Kosova vazhdon të ketë një sistem bankar deri diku të konsoliduar, po ashtu edhe sigurim të depozitave të menaxhuara deri diku. Fondi i Sigurimeve të Depozitave të Kosovës (FSDK), është një nga segmentet më të rëndësishme që ndikojnë në stabilitetin financiar. Pavarësisht rritjes prej 9 për qind, akoma duhet punë për të kontribuar në ruajtjen e stabilitetit financiar dhe zhvillimin ekonomik.

“Shuma totale e depozitave të bankave anëtare të FSDK-së, përveç depozitave të Komercijalna Banka a.d. Beograd, sipas rregullës së brendshme që përfshinë interesin aktual deri më 30.06.2014 arriti në afro 2.4 miliardë euro, që paraqet një rritje prej afro 200 milion eurosh apo 9 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2013 kur totali i depozitave arriti në afro 2,2 miliardë euro”, thanë për mediat, zyrtarë nga FSDK-ja.

Sipas raportit, shuma totale e depozitave të siguruara deri në limitin e sigurimit prej 3,000 euro (efektive nga 01.01.2014) sipas raporteve të bankave anëtare më date 30.06.2014 ka arritur në 439.8 milionë euro. Të gjitha shtetet e Unionit Evropian sipas direktivës evropiane mbi skemat e garancionit të depozitave, kanë të themeluara skemat e sigurimit të depozitave që aplikojnë sigurim të depozitave të limituar që do të thotë se deri në shumën e caktuar e cila përcaktohet me Ligj, psh. deri në 3,000 euro, 10,000 euro, 20,000 euro ose më shumë.

Ngjashëm edhe në Kosovë, është themeluar sistemi i sigurimit të depozitav, që siguron depozitorët, në bankat anëtare të FSDK-së deri në limit e sigurimit 3,000 euro. “FSDK-ja, siguron shumicën e depozitorëve, përkatësisht 96.5 për qind të numrit të përgjithshëm të depozitorëve në sektorin bankar, që është tregues i përmbushjes së politikës publike të mbrojtjes së depozitorëve të vegjël të përcaktuar me ligj”, thonë zyrtarë nga FSDK-ja.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat