KEDS: Investimet në rrjetin elektrik janë të përditshme

Ekonomi

KEDS: Investimet në rrjetin elektrik janë të përditshme

Më: 22 korrik 2014 Në ora: 20:06

Zyra e Rregullatorit i ka miratuar 20 milionë euro investime në këtë vit në përmirësimin e infrastrukturës së vjetruar të rrjetit të energjisë elektrike, por në disa pjesë të vendit, gjendja vazhdon të mbetet e njëjtë. Në KEDS thonë se megjithatë do të duhet kohë deri në përmirësimin e tërësishëm të situatës në rrjet, pasi kërkohen investime kapitale.

Ka dy vjet që kjo shtyllë elektrike po i rrezikon banorët në rrugën "Haxhi Zeka" në Prishtinë. Banorët thonë se punëtorët e KEDS-it e kanë parë në çfarë gjendje është shtylla, por deri tani nuk e kanë zgjidhur problemin. Fahri Rukovci thotë se ka gjashtë muaj që është vendosur një shtyllë e re, por e vjetra ka mbetur në funksion.
"Paraqet rrezik. Me ba mu rrëzu me marrë mas nermjet vjeti, dihet. Kallen shpija. Te KEDS-it na kanë thnae vimë kemi me ardh. Folë e rri në vend e kerkush nuk u ardh”, thekson Rukovci, banorë i lagjes.
Por, drejtori ekzekutiv i rrjetit – KEDS, thotë se investimet në rrjet janë të përditshme. Ai për herë të parë tregon për RTK-në, investimet që po i bënë KEDS në rrjetin elekrik në Kosovë.
"Rrejtin elektrik e kemi në një gjendje mjaft të vjetëruar. Shumica e rrjetit është me kabllo ajrore e jo nëntokësore. Natyrisht që duhet të bëjmë investime të nivelit të lartë. Zyra e rregullatorit, i ka miratuar 20 milionë euro investime në këtë vit. Qëllimi kryesor i joni është që t'i japim popullit energji stabile", tha për RTK, Mehmet Koç, drejtor ekzekutiv i rrjetit – KEDS.
KEDS tashmë ka bërë përzgjedhjen e projekteve që do t'i investoj për sivjet. Por, a janë të mjaftueshme investimet e sivjetme për të eliminuar problemet në rrjet.
"Kur e mendoj vjetërsinë e rrjetit dhe ato telashet që i kemi, natyrisht që duhet një kohë më e gjatë për t'i zgjidhur të gjitha problemet. Nëse do të kishim më shumë investime do të zgjidheshinë më shpejt", theksoi Koç.
Kryeqyteti ka një pamje të shëmtuar të instalimit të energjisë elektrike. Kabllot gjithandej qyteti faktojnë gjendjen e rëndë të një qyteti që synon të bëhet metropolë. Në KEDS thonë se e kanë menduar përmirësimin e rrjetit në Prishtinë.
"Projektet i kemi përgatitur në atë mënyrë që së pari në qendër të Prishtinës t'i realizojmë projekte nëntokësore. E vërtet që po na del një pamje jo e mirë. Natyrisht, qëllimi i ynë është që Prishtina të ketë një pamje si metropolë. E çka është në duart tona do ta bëjmë", tha ai.
Për të ulur humbjet teknike që shkaktohen në rrjet, Mehmet Koç thotë se duhet një kohë e gjatë për t'i ulur humbjet në 7 për qind. KEDS është kompani e privatizuar para dy vitesh nga konzorcium turk "Limak-Çalik" në vlerë prej 26.5 milionë euro.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat