Kredi 18 mln euro për bypass-in e Vlorës

Ekonomi

Kredi 18 mln euro për bypass-in e Vlorës

Më: 19 korrik 2014 Në ora: 15:56

Komisionet kuvendore pritet të shqyrtojnë marrëveshjen e kredisë në vlerë 18 milionë euro që qeveria shqiptare ka nënshkruar me Bankën Europiane të Investimeve.

Ky fond do të përdoret për ndërtimin e bypass-it të Vlorës, punimet e të cilit janë parashikuar të përfundojnë në mars të vitit 2017. Referuar relacionit të marrëveshjes që ëhstë paraqitur në Kuvend, kredia në vlerë 18 milionë euro ka një afat maturimi 25 vjet, duke përfshirë një periudhë pa pagesë principali prej 6 vjetësh.

Kostoja totale e parashikuar për ndërtimin e bypass-it të Vlorës është 53 milionë euro dhe realizimi i këtij objekti bashkëfinancohet gjithashtu nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Bashkimi Evropian, nëpërmjet fondit grant IPA 2011 dhe me kontributin e qeverisë shqiptare.

Objektivi i ndërtimit të këtij bypass-i është rritja e shpejtësisë në lëvizje, çlirimi i trafikut, sidomos gjatë sezonit turistik, rritja e komoditetit dhe sigurisë në rrugë e lëvizje, si dhe përmirësimi i situatës ambientale të qytetit të Vlorës.

Realizimi i këtij projekti, si nyje lidhëse me korridorin Veri-Jug, është tepër i rëndësishëm për zhvillimin e Shqipërisë Jugore, zhvillimin industrial, turizmin dhe me impakt në bujqësi për transportin e prodhimeve vendase. Bypass-i i Vlorës lidh autostradën Levan - Vlorë me rrugën nacionale bregdetare Vlorë - Sarandë, pjesa jugore e Vlorës. Gjatësia e këtij aksi është 29 km dhe fillon që nga rrethrrotullimi në fund të autostradës Levan - Vlorë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat